Ekonomia

Sigurimet, Çela: Problem vendimet e gjykatave

Dritan-Çelaj-kreu-i-Byrosë-Shqiptare-të-SigurimeveTregu i sigurimeve është në një sfidë të vazhdueshme, dhe kjo lidhet direkt me kushtet në të cilat operohet.
Kjo dhe masat që janë marrë nga byrotë e sigurimeve për zgjidhjen e problemeve dhe minimizimin e risqeve u diskutuan dje gjatë takimit të 18-të të Grupit Juglindor të Byrove të Sigurimit, ku merrnin pjesë 12 vende nga rajoni dhe më gjerë.
Çelaj
Kreu i Byrosë Shqiptare, Dritan Çelaj, do të mbante edhe fjalën e hapjes së aktivitetit, ku theksoi se sigurimet janë një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë së një vendi dhe si të tilla duhet të marrin vëmendjen që meritojnë. Kështu ai iu referua bashkëpunimit institucional për masat e marra me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Transporteve për uljen e aksidenteve. Kjo, sipas Çelajt, ishte edhe një masë parandaluese përpara se problemi të jetë konkret. Bashkëpunimi, sipas tij, ka dhënë edhe frytet e veta në disa aspekte, ku do të veçonte edhe uljen e masës së mjeteve të pasiguruara, pasi vetëm pak kohë më parë qeveria vendosi që makinat të mund të kolaudohen vetëm nëse kanë siguracion. Një tjetër rast problematik, por që duket se ka gjetur zgjidhje së fundmi, ishte edhe ai lidhur me vendimet e gjykatave për rastet e shpërblimit të dëmeve. “Vlerësimet e gjykatave mund të cilësohen me dy standarde, pasi edhe pse ka dalë ligji në vitin 2009, hera-herës trupat gjykuese vendosin sipas një vendimi unikues të 2007-s. Së fundmi ka një vendim të Gjykatës së Lartë, ku thuhet se vendimet për ngjarjet e ndodhura pas vitit 2009 të bazohen në ligj”, tha Çelaj.
Risqet në treg
Presidenti i Këshillit të Byrove Europiane, Mariusz Wichtowski, i pranishëm në panel, do ta vendoste theksin në problemet e brendshme të tregut, ato të jashtme, si dhe zgjidhjet për një mjedis konkurrues e të shëndetshëm. Lidhur me risqet e brendshme ai do të theksonte se së pari është marrëdhënia që ekziston mes palëve, pra kompanive dhe të siguruarve. Kjo marrëdhënie, tha Wichtowski, bazohet vetëm në besim. Së dyti, është pjesa e stabilitetit financiar, pra duhet të kihet një marrëdhënie korrekte për ta ruajtur këtë stabilitet. Së treti, problemi qëndron te drejtuesit e pasiguruar të mjeteve. Është pikërisht ky kontingjent që krijon edhe problemet më të mëdha në tregje. “Nuk bëhet fjalë për tregje si Austria apo Gjermania, ku të pasiguruarit zënë 0.01 për qind, por flasim për vende ku të pasiguruarit janë 20 për qind”, tha kreu i Këshillit të Byrove Europiane. Ai do të ndalej edhe te marrëdhënia e operatorëve me politikëbërësit, duke theksuar se influenca duhet të jetë për të parë çfarë vjen dhe jo për të siguruar sa para do fitojmë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button