Home / Ekonomia / COVID-19/ “Paga e luftës” në llogarinë e 60 421 punonjësve të bizneseve të mbyllura

COVID-19/ “Paga e luftës” në llogarinë e 60 421 punonjësve të bizneseve të mbyllura

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, plani i shpallur i mbështetjes financiare për kategoritë e përcaktuara nga qeveria ka hyrë në zbatim dhe të gjithë do të marrin në dorë, qindarkë për qindarkë, paratë e premtuara.

Ai informoi se “pensionistëve u kemi derdhur në llogarinë e përgjithshme të pensioneve 21 milionë dollarë dhe pensioni i tyre do të rritet, përmes indeksimit që këtë muaj”.

“Nuk është shumë natyrisht, por sidoqoftë është më shumë se sa ishte dhe ndërkohë po u shërbejmë nëpër shtëpi të gjithëve”, tha Rama.

Ai theksoi se “barnat e rimbursueshme i kanë marrë deri tani tek dera, 25 657 pensionistë, ndërkohë që skuadrat tona në bashki i ndihmojnë për pazarin e me radhë, nevoja të natyrave të ndryshme, të gjithë ata që janë të vetmuar dhe ne nuk do t’i lëmë kurrë vetëm”.

Rama tha po ashtu se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka filluar marrjen e aplikimeve online, nga të gjitha bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të luftës e që do të marrin pagën e luftës.

“Paga e luftës do të derdhet direkt në llogarite e tyre dhe sot kemi marrë nga bankat garancinë e kërkuar, se nuk do të mbajnë asnjë komision për këto paga. Kush në rastin e tij konkret është në listën e 60 421 individëve që janë identifikuar si përfitues, sepse e kanë mbyllur biznesin si shkak i luftës, është i lutur të aplikojë në faqen online të Tatimeve, ku deri në orën 16:30 kishin aplikuar 1852 persona”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se edhe kategoritë e atyre që punojnë në kopshte a shkolla private, apo në transport qytetarësh, janë përfituese, gjithnjë nëse në këto biznese xhiroja nuk i kalon 140 mijë dollarët.

“Në këtë paketë përfshihen edhe taksitë, meqë shoferë taksish më kanë pyetur shpesh gjithashtu”, tha ai.

Po ashtu, Rama tha se “është gati për lëvrim edhe dyfishi i ndihmës ekonomike për familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike, për të cilat jemi angazhuar me gjithsej për t’u dhënë mjetet jetike të ekzistencës”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: