Home / Opinion / A ishte Lenini një agjent i Gjermanisë?

A ishte Lenini një agjent i Gjermanisë?

Më 16 prill 1917, Vladimir Uljanov, emigranti rus i njohur më mirë me nofkën e tij revolucionare, Lenin, mbërriti në Shën Petersburg, pas një udhëtimi të gjatë nga Zvicra, vend ku kishte kaluar gati 2 dekadat e fundit. Ai i elektrizoi menjëherë turmat me një fjalim të zjarrtë, dhe një program radikal politik të njohur në histori si “Tezat e Prillit”.

Nga ai moment politika ruse dhe ajo botërore, nuk do të qe më kurrë e njëjta. Fakti që u rikthye në atdhe përmes Gjermanisë – dhe me bashkëpunimin e dukshëm të komandës së lartë gjermane – që asokohe ishte në luftë kundër Rusisë, dhe aleatëve të saj të Antantës (Francës, Britanisë dhe nga 6 prilli 1917 edhe Shteteve të Bashkuara), bëri që kundërshtarët ta akuzonin menjëherë atë se ishte një agjent në shërbim të Gejrmanisë.

Kjo akuzë mbetet e diskutueshme edhe sot e kësaj dite. Dhe nëse vërtetohet ndonjëherë, se Lenini ka vepruar në emër të qeverisë perandorake gjermane në vitin 1917, atëherë kuptimi që kemi sot mbi Revolucionin e Tetorit, dhe mbi regjimin komunist sovjetik që lindi prej tij, dhe që zgjati deri në vitin 1991, do të ndryshonte jo pak.

Kjo do ta bënte atë operacionin me ndikimin më të madh të të gjitha kohërave, duke bërë që shqetësimet e viteve të fundit mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e vendeve perëndimore, përfshirë ato presidenciale në SHBA në vitin 1916, të duken qesharake. Por ai është vërtet Lenini një agjent i gjermanëve?

Në një farë kuptimi, një komplot gjerman për të sabotuar një qeveri armike gjatë kohës së luftës, nuk ishte ndonjë gjë e re. Për shekuj me radhë, kjo lojë ishte luajtur nga fuqitë e mëdha. Gjatë Luftërave Napoleonike, Franca ndihmoi rebelët irlandezë që të dëmtonin Britaninë, dhe nacionalistët polakë të bënin të njëjtën gjë kundër Rusisë.

Në kundërpërgjigje, Britania mbështeti guerilët spanjollë që luftonin kundër forcave pushtuese franceze. Gjermanët, megjithëse të fundit në arenën ndërkombëtare si një komb i bashkuar, mësuan shumë shpejt pas bashkimit kombëtar që ndodhi në vitin 1871.

Ata krijuan madje një fjalë të veçantë në gjuhën e tyre për këtë lloj operacioni specifik të ndikimit:”Revolutionierungspolitik”, politika e revolucionarizimit. Sikur qeveritë britanike ose franceze të ishin më të dobëta gjatë Luftës së Parë Botërore, ato mund të ishin dëmtuar shumë nga “Leninët” e tjerë.

Në fakt, Gjermania i shënjestroi edhe ato, por mbështetja gjermane ndaj nacionalistëve irlandezë dhe pacifistëve francezë, nuk arriti në asnjë rast ndonjë gjë të madhe. Rusia, e trazuar prej kohësh nga propaganda e ekstremit të majtë, dhe rebelimet e fshatarëve, ishte hallka me e dobët e aleancës së Antantës.

Prandaj nuk është për t’u habitur, pse gjermanët u përpoqën aq shumë të minojnë sundimin e Carit. Shumë të gatshëm në mbështetjen e tyre ndaj revolucionarëve rusë, gjermanët financuan

jo vetëm bolshevikët e Leninit, por edhe rivalët socialistë, si Leon Trockin, në atë kohë një menshevik, që botonte shkrime kundër luftës në Paris, dhe më pas në Nju Jork.

Edhe pse Lenini nuk do të ishte i vetmi që e pranoi ndihmën gjermane, ai ishte megjithatë më i rëndësishmi. Megjithëse ajo që shumica e njerëzve sot e kuptojnë si komunizëm, është programi marksist i zhdukjes së pronës private, pronësisë shtetërore të mjeteve të prodhimit, dhe e një ekonomie të planifikuar, nuk ishte ky programi që mbështesnin në atë kohë marksistët e tjerë evropianë, dhe ai që i rekomandoi Leninit qeveria gjermane.

Ajo që e dallonte Leninin nga socialistët e tjerë ruse, ishte kundërshtimi i tij fanatik ndaj luftës, dhe mbështetja për pavarësinë e Ukrainës, një synim ky kryesor edhe i Fuqive Qendrore me në krye Gjermaninë.

Ndërsa socialistët e tjerë pacifistë si Trocki, e neveritën gjakderdhjen në frontin e luftës, dhe u përpoqën t’i japin fund saj, duke mbështetur protestat popullore, Lenini argumentoi në pamfletin e tij të vitit 1915 “Socializmi dhe lufta”, se revolucionarët duhet të infiltrohen në ushtri, dhe t’i shndërrojnë ato në “të kuqe”, duke synuar humbjen e qeverive në Luftë e Parë Botërore.

Aq i fortë ishte ndikimi i programit të Leninit, i njohur si “disfatizëm revolucionar”, sa që Ministria e Jashtme gjermane ndërhyri për të parandaluar shpërndarjen e këtij programi tek ushtarët në front, që të mos e nxiste qeverinë cariste të arrestonte anëtarët e Partisë Bolshevike me akuzën e tradhtisë.

Për arsye të ngjashme, Berlini prodhoi dhe përhapi narrativën e tij rreth udhëtimit të Leninit nëpër territorin gjerman:një tren i mbyllur, një mit ky i përshtatshëm për Leninin, që gjithashtu donte të distancohej nga sponsorizimi gjerman. Në realitet, treni nuk ishte i mbyllur.

Në disa raste Lenini zbriti, dhe e kaloi natën në një hotel gjerman në Sasnic. Sipas dëshmitarëve, ai mbajti madje fjalime politike në Gjermani, dhe pikërisht në kampet me të burgosur rusë të luftës. Ai nuk i fshehu pikëpamjet e tij kundër luftës, edhe kur u rikthye në Rusi.

“Tezat e Prillit”, mbështetën rrëzimin e qeverisë së përkohshme së Kerenskit, që ishte ngjitur në pushtet pas Revolucionit të Shkurtit të atij viti. Ato ditë prilli, aktivistët bolshevikë mbanin një duart pankarta kundër luftës, që nxisnin haptazi vëllazërimin me armikun (“Gjermanët janë vëllezërit tanë!”).

Pas një tentative të dytë për grusht shteti, të njohur si Ditët e Korrikut, Lenini dhe 10 bolshevikë të tjerë u akuzuan për “tradhti dhe për organizimin e një rebelimi të armatosur“. Një numër dëshmitarësh dolën në gjyq, dhe dëshmuan mbi transferta të çuditshme monetare nga Stokholmi i Suedisë, mbi pastrimin e parave përmes një kompanie gjermane që merrej me importe, për financimin gjerman të gazetës bolshevike “Pravda”, për pagesat ditore të atyre që mbanin në duar pankartat bolshevike gjatë protestave në rrugë (10 rubla), apo për ata që përlesheshin me forcat e policisë si pjesëtarë të Gardës së Kuqe (40 rubla në ditë).

Kur Lenini u arratis në Finlandë, shumica e shokëve të tij u arrestuan. Në pozitë të vështirë qeveria e përkohshme, amnistoi në gushtin e 1917-ës shumicën e bolshevikëve të arrestuar (edhe pse jo Leninin), me synim që bolshevikët ta mbështesnin kundër gjeneralit Lavr Kornillov, për

të cilin Kerenski dyshonte se po përgatiste një grusht shteti ushtarak të krahut të djathtë.

Por përmes atij akti dritëshkurtër, Kerenski i dha mundësi organizatës ushtarake bolshevike që të riorganizohej, të rrëmbente armët dhe t’i përdorte ato për rrëzimin e qeverisë së tij 2 muaj më vonë. Lenini, fotoja e të cilit ishte varur në të gjitha ambjentet publike nga policia pasi kërkohej me ngulm që të arrestohej, nuk la t’i ikte rasti nga dora.

Dhe kur u ngjit në pushtet, ai nuk u kujdes që të mos shfaqte aq hapur marrëdhëniet e ngushta me sponsorizuesit e tij të dyshuar gjermanë. Përkundrazi, një nga aktet e tij të para ishte dërgimi i një telegrami shtabit ushtarak gjerman në Frontin Lindor, përmes së cilës ai ofrohej për një armëpushim të pakushtëzuar.

Kur u bënë publike në Petrograd kushtet e ashpra të Traktatit të Brest-Litovskit, që përfshinin shkëputjen e Ukrainës dhe shteteve balltike nga Rusia, Lenini u sulmua nga turma me thirrjet “Poshtë tradhtarët!”, “Judë!” dhe “Spiun gjerman!”.

Por ai ishte vërtet Lenini një agjent i gjermanëve? Në mendjen e tij, Lenini i justifikonte veprimet e tij si manovra taktike, që i shërbenin kauzës më të lartë të komunizmit, dhe jo synimeve të qeverisë perandorake gjermane. Dhe kjo mund të jetë e drejtë.

Por provat e mbledhura nga departamenti i drejtësisë së kabinetit Kerenski, shumica e të cilave janë zbuluar vetëm vitet e fundit në arkivat ruse, janë kokëforta. Pavarësisht qëllimeve reale të Leninit, është një fakt i pamohueshëm që ai pati një mbështetje të madhe logjistike dhe financiare nga gjermanët në vitin 1917, dhe se veprimet e tij, nga agjitacioni kundër luftës në gjirin e ushtrisë ruse, deri tek kërkesa e tij për një armëpushim të pakushtëzuar, i shërbyen interesave të armikut.

Ato shkaktuan gjithashtu pasoja katastrofike për vetë Rusinë, nga humbjet e rënda sterritoriale në vitin 1918, deri tek dekadat e agonisë nën diktaturën mizore bolshevike. Revolucioni Rus, përuroi një epokë të re në operacionet e ndikimeve të huaja.

Vetë Lenini ndihmoi në themelimin e Internacionales Komuniste, që për gati çerekshekulli, ishte e përkushtuar në përpjekjet për të rrëzuar qeveritë kapitaliste në mbarë botën. Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja e shndërruan “Revolutionierungspolitik” në një formë arti, duke u përpjekur të minojnë me të gjitha mënyrat subversive aleatët dhe shtetet satelite të njëri-tjetrit.

Sot, duket se ka nisur një raund i ri i Luftës së Ftohtë, megjithëse me një “aromë” ideologjike të ndryshme. Kjo pasi Kremlini po promovon nacionalizmin populist në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, madje pikëerisht në kohën kur liderët perëndimorë dhe aktivistët pro demokracisë, po mobilizohen kundër kundër Rusisë dhe regjimeve miqësore ndaj Putinit, si ai i Viktor Orbanit në Hungari. “Revolutionierungspolitik”, është bërë tanimë një praktikë globale./ “The New York Times”

Leave a Reply

%d bloggers like this: