ArteKronika

Rama, Meta, Basha: Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur Rikard Ljarja

Politikanë, aktorë dhe kolegë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar Rikard Ljarja.

Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Ljarjes, për humbjen e madhe.

“I hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, skenaristit e regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja. Pa fjalë nga dhimbja për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, për teatrin dhe kinematografinë shqiptare, por për të gjithë brezat që u rritën dhe duartrokitën talentin e veçantë dhe personazhet e paharruara të luajtura mjeshtërisht prej tij.

Si një përfaqësues tipik i një brezi idealistësh me shpirt krijues, të cilët aq shumë e deshën artin dhe Shqipërinë, ky largim në amëshim i Rikardit të madh na ka pikëlluar të gjithëve!
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ljarja, Marjetën e dashur, fëmijët, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët, dhe të gjithë artdashësit shqiptarë. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar si vetë trashëgimia e çmuar që la pas me talentin, pasionin dhe krijimtarinë e shkëlqyer”, -thotë Meta.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi Ljaren si mik në mesazhin e ngushëllimit të tij.

“Lamtumirë mik”, tha Rama.

Gjithashtu kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shprehu ngushëllimet e tij duke u shprehur se Ljarja ishte pjesë e vetëdijes artistike të kombit.

“Iku një emblemë e kinematografisë dhe artit shqiptar, që krijoi për të gjithë ne figura vetëmohuese. Rikard Ljarja është pjesë e vetëdijes artistike të kombit. Ne jemi rritur me personazhet e Ljarjes midis nesh. Ai ka frymëzuar e do të frymëzojë brezat me jetën dhe me personazhet e tij. Me veprën e vet, Rikard Ljarja na la kumtin se madhështia krijohet prej thjeshtësisë dhe përsosmëria prej përkushtimit. Peng për të gjithë ne që nuk e përcjellim siç e meritonte”, tha Ruçi.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehet se “Rikard Ljarja ishte dhe do të mbetet artisti i madh që mbushi zemrat e shqiptarëve për dekada me radhë. Ndarja e tij nga jeta është një lajm i trishtuar jo vetëm për brezat që u rritën me personazhet e filmave të tij, por dhe për më të rinjtë që humbën një pasuri kombëtare të artit dhe kinematografisë”.

“Në këtë ditë të vështirë për familjen Ljarja i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta bashkëshortes së tij znj. Marjeta Ljarja dhe familjes së aktorit tonë të dashur, si dhe kolegëve e miqve të tij në botën e artit. Rikard Ljarja do të nderohet dhe kujtohet përherë si ikonë e artit shqiptar, si personaliteti që me punën e tij ndriçoi për vite me radhë errësirën e kobshme të regjimit të kaluar. Arti i tij do të na shoqërojë për gjatë në skenën e madhe të jetës, ku Rikard Ljarja spikati me qytetarinë dhe talentin e tij gjenial”, shprehet Basha.

Gjithashtu ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se, “e vështirë t’i japësh lamtumirën njeriut që i ke shtrënguar dorën pak kohë më parë, burrit që e fshihte dhimbjen pas një buzëqeshjeje dhe zërit të tij kumbues, artistit, që sot po niset drejt vendlindjes, Shkodrës, ku la amanet të prehej.

Në kushte të pazakonta po ndahemi nga Rikard Ljarja. Aktor karizmatik, realizues i sa e sa roleve, regjisor e skenarist, shkrimtar me penë të mprehtë e plot humor, sot e kuptojmë më shumë se kurrë pse Deda është roli më i dashur prej publikut. Ai do të mbetet fillrojtësi i përjetshëm, që bën bashkë zemrat e shqiptarëve edhe në ditë të trishta si kjo”, tha Margariti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button