Ekonomia

Në diskutime 3 destinacione të reja, Balluku: Jemi përgatitur për të riatdhesuar rreth 2000 persona

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur  se brenda kësaj jave pritet të arrijë në 2 mijë numri i shqiptarëve që do të riatdhesohen.

Duke folur në një intervistë në media, Balluku tha se ka një numër të madh shqiptarësh që kërkojnë të riatdhesohen nga destinacione të shumta, por kjo vështirësohet për shkak të masave që po zbatojnë qeveritë për të frenuar përhapjen e COVID-19.

“Ka një numër të madh personash që duan të riatdhesohen ka patur gati 3 mijë kërkesa. Jemi përgatitur për të kthyer rreth 2000 persona”, u shpreh Balluku.

Ministrja vuri në dukje se aktualisht në Itali po aksesojmë aeroportin e Milanos dhe Romës pasi aty është fluksi më i lartë. Nga Bari, tha ajo, kemi riatdhesuar sot 94 qytetarë.

Ministrja informoi qytetarët shqiptarë se autoritetet italiane lejojnë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë nga një rajon në tjetrin nëse ata u tregojnë biletën e avionit.

Gjithashtu ministrja theksoi se do të ketë sërish një fluturim drejt Frankfurtit, pasi ka kërkesa.

Balluku tha se jemi në diskutime për të kryer riatdhesime edhe nga 3 destinacione të reja, Vjena, Brukseli dhe Amsterdami për shkak të kërkesave të larta.

Ministrja po ashtu sqaroi se është zgjedhur për të kryer riatdhesimet kompania Air Albania, pasi është kompania flamurmbajtëse shqiptare.

Në fjalën e saj ministrja Balluku bëri të ditur se po punohet me autoritetet e Arabisë Saudite, për të gjetur një zgjidhje për riatdhesimin e 20 studentëve shqiptarë që ndodhen atje.

Po ashtu, ajo tha se jemi në diskutime edhe me autoritetet italiane për të parë nëse mund të tërheqë edhe qytetarët shqiptarë, të cilët janë bllokuar në shtete të tjera në kohën kur tërheq qytetarët e vet.

Një rast i tillë, tha ajo, mund të jetë me Maltën, ku janë të bllokuar 20 qytetarë shqiptarë.

Më tej, ministrja bëri të ditur se qeveria shqiptare ka marrë përsipër pagimin e kostos së hotelit për kohën e karantinimit prej 14 eurosh për çdo qytetar shqiptar që do të riatdhesohet dhe se ata do të paguajnë vetëm koston për ushqimin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button