Home / Kronika / Fondi i UEFA-s, Partizani në luftë me FSHF-në dhe Kukësin! Akuza dhe kundërakuza mes palëve

Fondi i UEFA-s, Partizani në luftë me FSHF-në dhe Kukësin! Akuza dhe kundërakuza mes palëve

3.25 milionë eurot e akorduara nga FSHF për stadiumin e Kukësit janë bërë shkak i një debati të fortë mes klubit verilindor dhe Partizanit. Kampionët akuzojnë direkt FSHF-në për mënyrën e menaxhimit të fondit prej 4.3 milionë eurosh që UEFA akordoi për federatat si ndihmë për përballimin e situatës së emergjencës së shkaktuar nga Covid-19, ndërsa Kukësi nuk e ka kapërdirë dot reagimin e rivalëve të tyre. “A është normale që të akordohen kaq shume fonde për një stadium në Kukës dhe të mos jepet asnjë lek për një klub që ka bërë historinë e futbollit shqiptar, patjetër që nuk është. Ose a është normale që disa klube, kryesisht provincash, që historinë e tyre e kanë bërë vetëm këto 5-10 vitet e fundit, të trajtohen në mënyrë preferenciale dhe ato që kanë histori, traditë e tifozë më të shumtë në vend, jo vetëm të mos ndihmohen, por dhe shpesh të rëndohen përmes formave të ndryshme, sigurisht që nuk është normale,” pat thënë për “Panorama Sport” dy ditë më parë sekretari i klubit të Partizanit, Gerald Burba.

Ai ngriti gishtin e akuzës direkt drejt Federatës Shqiptare të Futbollit, pas prononcimit të drejtorit administrativ të këtij institucioni, Kejdi Tomorri, që deklaroi se nga 4.3 milionë eurot e projektit “Hat Trick”, të dhëna nga UEFA si fond emergjence për krizën e shkaktuar nga koronavirusi, 3.25 do të shkojnë për stadiumin e Kukësit, ndërsa pjesa e mbetur do t’i shpërndahet komunitetit të futbollit. Deklaratë që nuk është pritur mirë te 16 herë kampionët, pasi këta të fundit prej 4 vitesh janë në ndërtimin e kompleksit të tyre dhe ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga federata.

Por kjo përplasje mes Partizanit dhe FSHF-së ka sjellë reagimin e Kukësit, që ditën e djeshme ka sulmuar personalisht sekretarin Burba dhe klubin e kuq. Verilindorët nuk e kanë kapërdirë dot etiketimin si “provincë”, ndërsa u kanë kujtuar kampionëve se në 10 vitet e fundit janë më superiorë se çdo klub i kryeqytetit.

Reagimi i plotë i Kukësit:

Duke marrë shkas nga një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partizanit, Gerald Burba ku klubi i Kukësit konsiderohet nje klub provincial dhe me 5 vite histori, jemi të detyruar t’i tregojmë Z. Burba se klub historik nuk të bëjnë as deklaratat në media, as vitet e luajtura futboll dhe pa fituar asgjë dhe as fakti se je një klub i kryeqytetit.

Burba dhe kushdo që ka një mendim të tillë për klubin tonë, duhet të kuptojë mirë se FK Kukësi ështe një klub i krijuar afro një shekull më parë dhe me sakrificë e shumë punë, bëri që të mbushej stadiumi kombëtar për të parë futboll të vërtetë dhe emocione të cilat kishit vite pa i provuar në arenën ndërkombëtare.

Sa i përket ndërtimit të stadiumit, investimi nuk po shkon te një klub 5-vjeçar por te një klub që çdo vit luan dhe kalon ture në Europë, te një klub që po i jep tonus kampionatit duke luftuar çdo vit për titullin kampion, duke fituar ndaj jush si në Kukës, si në “Selman Stërmasi”, ashtu edhe në “Air Albania”. Këto fitore Z.Burba, nuk të bëjnë provincialë por superiorë!

Futbolli luhet në fushë dhe jo në media. Kështu, Kukësit i takon stadiumi për gjithçka ka bërë në Shqipëri! Pavarësisht se ju jeni ziliqarë, tendenciozë e paragjykues, ne jemi Fair Play dhe do të vazhdojmë të nderojmë jo vetëm klubin e qytetin por edhe flamurin shqiptar.

Është për të ardhur keq se si një sekretar klubi mërzitet dhe irritohet pse te një klub investohet. Kukësi është një klub që çdo vit kërkon trofe dhe jo të ngjitet në Superiore dhe të zbresë në Kategorinë e Parë e të dytë ashtu siç ka bërë edhe klubi juaj. Me të vërtetë erdhëm edhe ne duke ngjitur çdo kategori, por ngjitja vazhdoi deri në turin e katërt të Europa League.

Kukësi si qytet i ka dhënë shumë jo vetëm Partizanit por edhe Shqipërisë. Nuk është provincë një qytet kandidat për çmimin Nobel. Mos harroni që ende tifozeria juaj duartroket një futbollist si Rrahman Hallaçi, e mos harroni njëkohësisht edhe numrin e sportistëve kuksianë që kanë kontribuuar për ju në sporte dhe disiplina të tjera. Me deklaratën tuaj, keni ofenduar jo vetëm këto figura, por një qytet dhe një tifozeri të tërë. Ne nuk bëhemi ziliqarë dhe nuk mërzitemi pse një klub po forcohet e bëhet me stadium të ri, përkundrazi na vjen mirë që do të ketë më shumë konkurrencë. Shpresojmë dhe urojmë që të reflektoni edhe ju Z.Burba dhe të mos mërziteni e zemëroheni për sukseset e të tjerëve.

Klubi i Kukësit gjen rasti të falënderojë FSHF-në dhe qeverinë shqiptare për investimin e bërë në një qytet të diskriminuar dhe paragjykuar në dekada. Në këtë mënyrë, Kukësi nuk ka më nevojë të ecë me çanta në duar për të gjetur një stadium ku të luajë e njëkohësisht duke i hapur probleme edhe ekipeve kundërshtare!

Ndryshe nga Kukësi, të kuqtë nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale, por ka reaguar në profilin e tij në Facebook, sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba, që sërish vë theksin se fondet e akorduara nga FSHF dhe që kanë lënë kryeqytetasit gjithmonë jashtë skemave të tyre të financimit, teksa edhe 150 mijë eurot e premtuara për tapetin e njërës prej fushave të kompleksit që i kalon 5 milionë euro investim, kurrë nuk kanë arritur në arkat e klubit.

Reagimi i plotë i Burbës:

Nisur nga një reagim publik i FK Kukësit ndaj meje, për një prononcim të shkurtër dhënë në median e shkruar “Panorama Sport” , nëpërmjet të cilës jam pyetur nëse më duket normale që bëhen investime nga ana e FSHF në vlera 3.2 milion euro për ndërtimin e stadiumit të klubit të Kukësit dhe për kompleksin sportiv të Partizanit nuk akordohet asnjë fond, dëshiroj të sqaroj se:

Së pari, e konsideroj të pakuptimtë që për një prononcim (duhet lexuar) që i adresohej problematikës së politikave të investimeve të FSHF në raport me Partizanin vjen një reagim nga FK Kukësi, i cili ngjason si hartim i përshtatur nga ndonjë fushatë elektorale, ku miksohen tinëzisht traditat e admirueshme kuksiane, qytetarët e nderuar kuksianë dhe historia e themelimit të klubit, të cilat nuk i ka vënë askush në diskutim dhe as ka patur për qëllim ti fyejë. Në këtë kontekst, më duket edhe më e habitshme se si një apo disa pjesëtarë të FK Kukësit marrin përsipër që të flasin në emër të të gjithë qytetarëve të qytetit të Kukësit dhe të traditave të tij, apo të dalin në mbrojtje të tyre, pa patur asnjë arsye apo ngacmim nga askush. Për sa i përket arritjeve sportive përgjatë këtyre viteve të fundit të klubit që ka zgjedhur të mbajë emrin e qytetit të Kukësit, konstatova që në deklaratën e tyre është harruar të përmendet specifikisht dhe fitimi i një kampionati, i cili mbase duhej cituar tek rubrika e falënderimeve…

Së dyti, në vijim te prononcimit në median “Panorama Sport”, pa dashur të bëj avokatin e klubeve të tjera elitare që kanë bërë e vazhdojnë ta bëjnë historinë e futbollit shqiptar, si dhe kanë dhënë e me shumë mund vijojnë të japin për të, si Flamurtari, Tirana, Dinamo, etj., i qëndroj fort mendimit që nuk është as normale, as e drejtë dhe madje selektive që për këto klube, veçanërisht për Partizanin klub të cilin përfaqësoj, nuk është dhënë asnjë qindarkë investimi në infrastrukture nga fondet e akorduara nga UEFA për zhvillimin e futbollit shqiptar, të cilat menaxhohen nga FSHF. Më se shumti, klubet kryeqytetase, sidomos Partizani, kanë vuajtur mungesën e investimeve dhe të ndihmës nga FSHF, çka është lehtësisht e konstatueshme po të shikosh gjendjen e tyre aktuale në infrastrukturë. Edhe ato investime që janë bërë nga FSHF në kryeqytet për ndërtimin e terreneve sportive, menaxhohen po nga ajo vetë, si psh. Qendra Stërvitore në Kamez, terrenet të cilat po ndërtohen në ish kompleksin Dinamo apo dhe Stadiumi “Air Albania” , të cilat për tu përdorur (nga halli) me qera duhet të paguash sa “frëngu pulën”.

Së treti, personalisht mbetem i opinionit që futbolli ka një mision të theksuar social. Në këtë këndvështrim, besoj se edhe misioni i programit “HatTrick” është për të ndihmuar projekte sportive me impakt social të qenësishëm. Në kushtet kur 2 nga 3 klube të kryeqytetit, me kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar, nuk disponojnë asnjë terren sportiv si pasojë e shpronësimeve të ndryshme apo lojërave politike, nuk me rezulton proporcionale që 75% e buxhetit të akorduar nga UEFA ti alokohet një projekti të miratuar rishtaz, në funksion të një klubi të vetëm. Veçanërisht, kur projekti i kompleksit sportiv “Partizani” është tërësisht një financim privat që ka nisur prej vitesh, nuk është absolutisht logjike që mos të ketë asnjë lloj mbështetje nga institucioni i cili prezumohet se përfaqëson interesat e të gjitha klubeve shqiptare.

Ky debat i krijuar nga koleget e FK Kukesit, që mesa duket dhe kur nuk përmenden nominalisht, ndihen të cënuar, tingellon si një diversiv ndaj thelbit të diskutimit. E theksoj, këtu nuk kemi të bëjmë me krahasimin ndërmjet vlerave të klubit që unë përfaqësoj me atë të FK Kukësit, por me politikën e investimeve të FSHF-së, për sa i përket klubit Partizani. Nuk flas si tifoz kur them që krahasim ndërmjet klubeve nuk mund të bëhet. Në dijeninë time, Panajot Pano e qindra futbollistë të tjere të kombëtares nuk vinin nga radhët e Përparimit, siç është njohur dikur FK Kukësi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: