Ekonomia

Balluku: Nga data 4 maj lehtësohen procedurat për riatdhesimin e qytetarëve të bllokuar jashtë kufijve

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi sot rregullat e reja të riatdhesimit nga data 4 maj. Sipas saj, të gjitha aplikimet për të rezervuar një vend në avion do te bëhen tashmë në E-Albania.

“Të gjithë shqiptarët që do të riatdhesohen në Shqipëri prej datës 4 maj duhet të aksesojnë direkt faqen e Air Albania për të kryer rezervimin e biletës dhe për t’u rikthyer në atdhe. Gjatë këtij procesi ju duhet të deklaroni adresën tuaj të banimit, pasi të gjithë ata qytetarë, të cilët banojnë në zona të deklaruara të gjelbërta nga Ministria e Shëndetësisë, do të duhet të karantinohen 14 ditë në hotelet e përshtatura si struktura karantinuese COVID-19.

Ndërkohë të gjithë qytetarët të cilët banojnë në zonat e shpallura si zona të kuqe do të vetëkrantinohen në banesat e tyre me përgjegjësi të plotë dhe të monitoruar nga policia e shtetit.

Për t’u qartësuar më tej, secili nga qytetarët që do aplikojë për një biletë, duhet të deklarojë me përgjegjësi të plotë ligjore vendbanimin e tij, pra nuk është më i nevojshëm prenotimi i hotelit në fillim, pasi banorët e zonave të gjelbërta që do të riatdhesohen do të klasifikohen për karantinë menjëherë pas rezervimit të biletës.

Gjatë udhëtimit tuaj në bordin e Air Albania ju do të keni një formular. Ky formular quhet formulari i vetëdeklarimit ku me përgjegjësi të plotë ligjore do të shkruani edhe një herë adresën tuaj të banimit dhe më pas do duhet ta firmosni.

Më duhet t’ju kujtoj se ky formular ju ngarkon juve me përgjegjësi ligjore dhe në rast deklarimi të rremë do të aplikohen masa penale sipas ligjeve në fuqi. Policia e Shtetit do të monitorojë të gjithë procesin nga momenti i mbërritjes tuaj në aeroportin e Rinasit.

Udhëtarët e riatdhesuar do të ndahen në dy grupe në aeroport. Banorët e zonave të gjelbërta do të dërgohen me autobusët e vënë në dispozicion në strukturat karantinuese. Ata ashtu si dhe në rastet e mëparshme do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet ushqimore, prej 7 euro në ditë ndërsa shuma prej 14 eurosh që korrespondon me akomodimin dhe shërbimet do të mbulohet nga shtetit shqiptar.

Banorët e zonave të kuqe do të udhëtojnë drejt banesave të tyre për t’u vetëkarantinur së bashku me të gjithë familjen për 14 ditët e ardhshme. Në rast se dikush nga banorët e zonave të kuqe dëshiron të karantinohet në hotel për të mos penguar vazhdimësinë me kushtet e lehtësuara tashmë për familjen e tij, mjafton ta deklarojë këtë në formularin që do të plotësojë në avion ose gjatë procesit të rezervimit të biletës.

Lajmi i mirë për masa lehtësuese në të gjithë Shqipërinë duhet të shoqërohet me veprime të përgjegjshme nga secili prej nesh. Kemi luftuar këto 8 javë të gjata dhe të mundshme me armikun e padukshëm COVID-19. Ja kemi dal, jo vetëm për shkak të impenjimit kolosal të qeverisë dhe të strukturave shtetërore, por edhe sepse ju të gjithë keni kontribuar me përgjegjshmëri dhe keni treguar sjellje qytetare ndaj çdo mase të marrë për parandalimin e kësaj pandemie.

Të dashur bashkëqytetar, edhe sot kërkohet bashkëpunimi juaj tashmë me kushtet e reja të vendosura për riatdhesim. Dëgjoni me vëmendjen mesazhet, lexoni me vëmendje të gjithë udhëzuesit që do të shpërndahen për mënyrën e re të riatdhesimit. Deklaroni me përgjegjshmëri vendbanimin tuaj dhe mos vini veten në pozicion të vështirë. Mos detyroni organet ligj zbatuese të marrin masa ndaj jush.

Ditët që po vijnë padyshim do të jenë më të mira nga ato që kaluam, por vetëm nëse të gjithë së bashku ashtu si ne dimë të përballojnë vështirësitë do të vazhdojmë të zbatojmë me rigorozitet protokollet dhe rregullat e shpallura nga Ministria e Shëndetësisë në luftën kundër pandemisë COVID-19”, tha Balluku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button