Ditët e fundit, me rënien e kurbës së shfaqjeve të rasteve të reja dhe rënien e numrit të vdekjeve, po del në pah gjithmonë e më tepër nevoja e ndërhyrjes së qeverisë për hapjen dhe ringritjen e ekonomisë.

Pa qartësitë për burimin e virusit, koha e gjatë e gjetjes dhe e përdorimit të vaksinës i ka penguar ekonomistët të parashikojnë llojet, përmasat dhe kohëzgjatjen e paketave anti-COVID-19.

FMN sapo ka publikuar rivlerësimet për rritjen ekonomike 2019-2021, ku për vitin 2020 konstatohet një rënie e konsiderueshme e ekonomisë. Konkretisht, ekonomia globale do të ketë një rritje negative, që do të shkojë në 2-3%. Vendet europiane në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria, do të kenë një rritje–5.2% dhe vendet e zhvilluara me -6.1%. Për të frenuar këtë rritje ekonomike negative apo më saktë për t’i bërë ballë kësaj krize, janë hedhur një sërë idesh “jo të kaluduara” dhe që nuk gjejnë konsensus të gjerë.

Një ndër idetë fillestare ishte ajo e përdorimit të politikave monetare apo e “helikopter money”, e cila nuk gjen shumë konsensus te shumë studiues ekonomie. Kjo lloj ndërhyrje mund të gjenerojë inflacion dhe mund t’ia shtojë problemet ekonomisë sipas disa ekspertëve të ekonomisë.

Ideja tjetër ishte ajo e financimit me anë të borxhit publik, por, sipas disa përllogaritjeve, shuma e nevojshme për t’i bërë ballë krizës së shkaktuar nga Covid-19 është rreth 8 trilionë dollarë, që korrespondon me 9.5 për qind të PBB-së botërore. Një shumë e tillë do të vinte në rrezik financat publike dhe do të përkeqësonte ndjeshëm qëndrueshmërinë e borxhit publik. Konkretisht, Italia, që konsiderohet vendi më i prekur në BE, do të kishte një rritje të borxhit publik me rreth 20%, duke e çuar atë në 155% të GDP-së në 2020. Pra, nga një anë do të frenonte rënien ekonomike, që parashikohet të jetë nga 8- 10%, e do të frenonte rënien e kapacitetit prodhues, i cili është parashikuar me 20%, por do të “shkatërronte” financat publike.

Përtej aspektit të financimit, nuk duhet harruar po ashtu edhe fakti se strukturimi dhe madhësia e paketave anti-COVID-19 është jetike: për të varfrit e të papunët; për biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh; për buxhetin e shtetit.

Grupi i parë që konsiderohet më vulnerabël, diskuton nivelin e mbijetesës. Nga çdo krizë, çdo vend del më i varfër dhe me borxhe më të mëdha. Në rastin e Greqisë, gjatë krizës globale 2008, borxhi publik arriti në 180 % të GDP-së. Të njëjtat pasoja negative pësuan Spanja, Portugalia dhe Italia.

Në kulmin e krizës globale 2008, papunësia e përgjithshme në këto vende arriti mbi 25 %, ndërsa papunësia për të rinjtë u rrit në dyfish, deri në 50%. Aktualisht, vlerësimet e ILO tregojnë një rritje të papunësisë globale midis 5.3 milionë (skenari ‘i ulët’) dhe 24.7 milionë (skenari ‘i lartë’). Gjatë krizës financiare 2008, papunësia globale u rrit me 22 milionë.

Rritja e papunësisë do të rrisë ndjeshëm edhe varfërinë.

ILO parashikon se të papunët do të humbasin të ardhura midis 860 miliardë dollarë dhe 3.4 trilionë dollarë deri në fund të vitit 2020. Kjo mungesë e të ardhurave do të përkthehet në rënie të konsumit të mallrave dhe shërbimeve, duke vështirësuar ringritjen e bizneseve dhe ekonominë.

Grupi i dytë, biznesi, do të paguajë një pjesë të krizës së pandemisë. Ata janë të detyruar të reduktojnë ose ndërpresin aktivitetin e tyre ekonomik. Individët dhe bizneset familjare mund të gjallërohen më shpejt. Biznesi i vogël dhe i mesëm, në varësi nga kohëzgjatja e mbylljes së aktivitetit ekonomik, do të ndodhen përballë mbijetesës, ringritjes graduale apo ristrukturimit të tyre.

Bizneset e mëdha do të përballen me krizë të likuiditeteve dhe burime financimi për ringritjen dhe ristrukturimin e modelit të biznesit. Gjatë kësaj periudhe do të ndodhin edhe falimentime.

Pandemia shkaktoi këputjen e shumë hallkave të zinxhirit të furnizimeve dhe shitjeve midis disa qindra miliona bizneseve. Ekziston rreziku që pasojat e zinxhirëve të këputur kanë ndërgjegjësuar bizneset për ta strukturuar modelin e zhvillimit të biznesit të tyre si për nga shkalla e aplikimit të platformave online dhe teknologjive të larta, por edhe nëpërmjet strukturimit të marrëdhënieve me punonjësit. Edhe qeveritë duhet të ristrukturojnë zinxhirët e furnizimit, duke u dhënë një vëmendje mbështetëse bizneseve vendase.

Pra, për bizneset, edhe hapja e menjëhershme e ekonomisë nuk mund të ndihmojë ringritjen e shpejtë të ekonomisë. Pavarësisht parashikimeve të FMN-së për rënien e madhe të rritjes ekonomike në 2020 dhe ringritjen e shpejtë të ekonomive në vitin 2021, ekonomia nuk do të veprojë thjesht sipas disa stimulimeve makroekonomike të rritjes ekonomike, pasi pritshmëritë e individëve dhe bizneseve që kanë impakt të ndjeshëm, por që aktualisht rezultojnë të ulëta, mbeten një variabël jo lehtësisht i matshëm.

Një pjesë të kostove të pandemive do të paguajë edhe shtetit, por që në thelb është një barrë e rritur ndaj tatimpaguesve, të cilët do t’i shlyejnë këto borxhe. Rënia e rritjes ekonomike, rritja e deficitit buxhetor dhe e borxheve (individuale, të biznesit dhe të buxhetit) do të përkeqësojnë stabilitetin e financave. Pas vitit 2020, paketat antikrizë do të bëhen të domosdoshme, por edhe të imponueshme.

Ky risk kërkon që presionet për paketa sa më të mëdha mbështetëse kanë kuptim kur kanalet e përcjelljes së politikave monetare dhe politikave fiskale, që duhet të mbërrijnë deri te përfituesi i fundit, duhet të jenë sa më transparente, sa më profesionale dhe sa më efektive. Kjo lehtëson kostot sociale dhe financiare të hapjes dhe ringritjes së ekonomisë.

Politikat monetare të Bankës së Shqipërisë përputhen me ato të bankave qendrore dhe janë të koordinuara me FMN-në.

Ulja e kostos së parasë duhet të realizojë objektivin e saj kryesor, ndaljen e thellimit të krizës dhe lehtësimin e ringritjes së ekonomisë shqiptare.

Ulja e kostos së parasë dhe çdo instrument tjetër i politikave monetare jo të zakonshme duhet të mos pengohet për të vepruar shpejt dhe në mënyre efektive. Ulja e kostos së parasë ka lehtësuar koston e borxhit e këtë ulje të deficitit për shkak të uljes së kostos së borxhit, qeveria duhet ta përdorë për të financuar kostot shtesë të COVID-19.

Ndërsa mekanizmat e tjerë si garancia sovrane duhet të bashkëveprojnë me politika dhe instrumente e tjerë të politikave monetare e fiskale.

Lidhur me politikat fiskale, vendi rrezikohet të shënojë deficite të larta dhe një rritje të ndjeshme të borxhit publik. Edhe pse kostoja e parasë, si brenda dhe jashtë vendit, është e ulët, kjo nuk përligj asnjë qëndrim pro paketave sa më të mëdha në qoftë se nuk rezultojnë efektive.

Interesat e borxheve që merren gjatë kësaj periudhe janë kryesisht luhatëse. Nëse ndodh që kompanitë e retingut bëjnë “downgrade”, kjo sjell rritje të kostove të borxhit.

Prandaj duhet të përcaktojmë primare transparencën dhe eficiencën e paketave të mëparshme përpara se të deklarohen paketa të tjera. Edhe krahasimi i shkallës së ndërhyrjeve buxhetore me vende të ndryshme ka pika të dobëta krahasimi, sidomos në shkallën e produktivitetit dhe nivelit të deficiteve dhe borxheve publike përpara COVID-19.

Mbështetja nuk është një shifër fiks e asistencës sociale, por edhe një shkallëzim i ndihmës sipas numrit të pjesëtarëve të familjeve. Fondet grant që vijnë nga BE apo donatorë të tjerë duhet të kenë në fokus kryesor mbrojtjen sociale. Së dyti, grantet të përdoren së shkëndija e rindezjes së bizneseve individuale, familjare dhe të mikro-ndërmarrjeve, përfshirë edhe zonat rurale.

Biznesi i mesëm dhe biznesi i lartë duhen mbështetur me rialokim të pagimit të detyrimeve, kredi me kosto të buta dhe skema mbështetëse nga garancia sovrane.

Njëkohësisht duhet përdorur me efikasitet mbështetja për biznesin nëpërmjet politikave dhe fondeve të ndihmës shtetërore. Pritshmëritë optimiste i ushqen edhe kohezioni social i paketave anti-COVID.

Qeveria duhet ta përmirësojë transparencën publike të hartimit dhe miratimit të paketave sociale dhe mbështetëse për biznesin.

Konsultimi dhe analiza e kujdesshme e çdo propozimi prej grupeve të interesit.

Analiza, vlerësimi dhe përfshirja e propozimeve të opozitës përmirësojnë pritshmëritë e individëve dhe biznesit për daljen nga kriza dhe ringritjen e tyre.

Përmirësimi i pritshmërive optimiste ka një efekt pozitiv në ekonomi shumë më të madh se qindra miliona dollarë apo euro të injektuara në ekonomi.

Hapja e ekonomisë edhe në mënyrë graduale është fillimi i fundit të efekteve negative të COVID-19, ndërsa ringritja e ekonomisë të jetë fillimi i fundit të keqqeverisjeve, sepse aty gjenden rrënjët përse disa vende preken më pak dhe ringrihen menjëherë.