Home / Arte / Teater / “Radio Iliria” në Teatrin Kombëtar

“Radio Iliria” në Teatrin Kombëtar

radio“Radio Iliria” është shfaqja qe do te jepet sot dhe nesër në Teatrin Kombëtar ora 19:00.

Një punë hulumtuese dhe kërkimore, e cila vjen pas një kërkimi të gjatë në historitë njerëzore, metodologjinë skenike, gjuhën e shprehjes dhe hapësirën skenike, është thelbi i kesaj pjese teatrale.

Në regjinë e Erand Sojlit, dramaturgjinë e Iris dhe Erand Sojlit, aktorët Arben Bajraktari, Mërkur Bozgo dhe Erjeta Cufaj, sillet një histori e kaluar, për të sotmen që jetohet. Një udhëtim brënda qënies njerëzore dhe memories kolektive.

I riu dhe i moshuari, një njeri, dy epoka, dy njerëz, një skenë, mbartin fajin dhe pafajësinë e të gjitha viktimave të një sistemi që mbretëroi në Shqipëri për 50 vite, duke lënë pas plagë, të cilat nuk janë shëruar ende. Kjo shfaqje u dedikohet të gjithë të përndjekurve në burgjet e diktaturës.

Drama ka në qëndër një burre, Palin, një shqiptar i Kosovës i ardhur në Shqipëri në vitet ‘60 për t’i shpëtuar UDB-s dhe i dënuar për arsye absurde, atë të sintonizimit në një radio të huaj, qe për t’i mbijetuar vrasjes, u detyrua të spiunojë, veprim që do t’i rëndojë në ndërgjegje gjithë jetën.

Pali plak dhe Pali i ri zhvillojnë debatin e tyre në dimensione që thyejnë barrierat e kohës dhe të hapësirës, me që i riu jeton në vitet ‘70 dhe plaku në ditët e sotme. Njëri është në burg e tjetri rrethuar nga muret e shtëpisë së tij. Radio i bashkon, dashuria e humbur gjithashtu. I riu nuk e di ende, ndërsa plaku sheh veten e tij në naivitetin e të riut.

Të dy bashkë përshkojnë 25 vite persekutimi duke thyer çdo kufi të fajit dhe pafajësisë, kujtimit dhe harresës, realitetit dhe imagjinatës, kohës dhe hapësirës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.