Kosova

Kosovë: Kundërshtohet ashpër mundësia e ndryshimit të kufirit me Serbinë

Kreu i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi, nëse palët pajtohen për këtë në kuadër të dialogut. Ky qëndrim nxiti reagime të forta në Prishtinë.

Në Prishtinë është kundërshtuar ashpër një qëndrim i kreut të diplomacisë evropiane, Jozeph Borrell, i cili e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse palët pajtohen për këtë në kuadër të dialogut Kosovës-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kështu është “lexuar”, në Prishtinë një deklaratë e Joseph Borrelh, gjatë një interviste me disa medie të Ballkanit. Ai thotë se BE-ja, prioritet e ka që ta lehtësojë dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa, thotë se duhet t’i marrë parasysh “efektet kolaterale të çfarëdo lloj marrëveshjeje në pjesë tjera të rajonit, ku problemi i lëvizjes së kufijve ka qenë gjithmonë i ndjeshëm”.

Borrell: “Nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa”

“Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa. Nuk na takon neve t’u themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo. Roli ynë do të jetë të lehtësojmë dialogun. Por, siç thash nuk duhet të jemi më katolikë se Papa. Nëse ata merren vesh për diçka ne duhet gjithsesi ta studiojmë atë marrëveshje, sepse secila marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës ka ndikim në rajon. Por, në parim ky duhet të jetë dialog i lirë dhe fer mes dy palëve”, citohet në mediet e Kosovës Josep Borrel.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas Samitit të Zagrebit tha në një konferencë për medie se Kosova është një vend i pavarur dhe sovran dhe dialogu duhet të vazhdojë në mes të dy vendeve të pavarura.

“Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i njohur nga shumica e vendeve të BE-së. Dialogu duhet të vazhdojë në mes të dy vendeve të pavarura, dhe këto realitete nuk mund t’i ndryshojë askush”, tha presidemti Thaçi, duke shtuar se ai “përfaqëson vizionin e politikës dhe institucioneve kosovare, të vendit të pavarur dhe sovran duke respektuar integritetin territorial të saj”.

Osmani: Kosova – projekt i pakthyeshëm në aspektin politik dhe i paprekshëm në aspektin teritorial

Qeveria e Kosovës në detyrë thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë parimor dhe në këtë dialog nuk duhet të ketë harta. “Ne tashmë kemi përsëritur qëndrimet tona se nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog dhe dialog me harta. Për qeverinë e Kosovës, diskutimet që kanë për subjekt kufijtë e Republikës së Kosovës si premisë për një marrëveshje, janë të papranueshme, ashtu sikurse një marrëveshje që përfshin ndryshimin e tyre si rezultat”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës në detyrë.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, duke e çmuar angazhimin ndërkombëtar në lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi, thotë se “Bashkimi Evropian nuk mund të shërbejë thjeshtë si forum ku bëhet dialogu, por duhet doemos të ofrojë edhe udhëzime që bazohen në parimet e vlerat mbi të cilat funksionon BE. Ndryshimi i kufijve mbi baza etnike nuk bën pjesë në këto parime e vlera”, thotë Osmani. “Rrjedhimisht, do të ketë rol të rëndësishëm në përmbylljen e një marrëveshjeje të tillë eventuale. Andaj, çdo përpjekje dhe angazhim për marrëveshje përfundimtare duhet të afirmojë edhe jetësimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Çdo pikënisje në rifillimin e dialogut në të ardhmen, duhet të bëhet mbi parimet se Kosova është projekt i pakthyeshëm në aspektin politik dhe i paprekshëm në aspektin teritorial”, shkruan Vjosa Osmani duke bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar t’i refuzojë sic thotë “përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve”.

Edhe partia e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj AAK, deklaratat e përfaqësuesit të BE-së për politikë të jashtme Joseph Borrell, ku ai lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi nëse palët dakordohen, i ka cilësuar të dëmshme për stabilitetin e rajonit. “Pasaktësia dhe qëndrimi tendencioz i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Joseph Borrell, lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve, ashtu siç është deklaruar në media, është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe e cilësojmë si qasje destruktive në raport me rolin e tyre si lehtësues në dialogun e udhëhequr nga Amerika për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e AAK-së. Sipas AAK “secila përpjekje për të na rikthyer në një proces të paqartë, të pakornizuar në kohë, dhe pa parime dialoguese, do të jetë kundërproduktive, dhe do të refuzohet fuqishëm nga Kosova dhe populli i saj”.

Samiti i Zagrebit konfirmoi Miroslav Lajçak

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pas vendosjes së taksës 100% nga Kosova për prodhimet e Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj lobimit të diaplomacisë serbe kundër njohjeve të Kosovës. Kosova tashmë e ka hequr taksën ndaj mallrave serbe, ndërsa, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të po bëjnë përpjekje për rifillimin e dialogut ndërmjet palëve. Pesë vende të BE-së akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ky fakt po e bënë të zbehtë në Kosovë, angazhimin e BE-së në ndërmjetësimin e këtij dialogut.

Shefi i diplomacisë evropiane Joseph Borrell, ka thënë se “BE-ja ka marrëveshje për bashkëpunim me Kosovën”, dhe kjo sipas tij “dëshmon se ne pranojmë se diçka që quhet “Kosovë” ekziston”. “Nuk nënshkruani një marrëveshje me dikë që nuk ekziston. Në anën tjetër, njohja si shtet nuk është çështje për Bashkimin Evropian, sepse kjo nuk është në kapacitetet e saj. Kjo është kompetencë e shteteve anëtare dhe secili vet vendos për këtë”, ka thënë Joseph Borrell duke e mbështetur në misionin e tij të ngarkuarin e BE-së në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, sllovakun Mirosllav Lajçak. Kjo mbështetje Mirosllav Jalçakut ju dha edhe nga Samiti i Zagrebit. I ngarkuar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, është ambasadori Richard Grenell.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button