Ekonomia

Shqipëria turistike/ Protokolli i sigurisë nga distanca në plazhe deri te shërbimi në dhomë, gati turistët e parë me charter

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kanë hartuar një draft protokoll për masat e sezonit turistik, një draft që është i ngjashëm me ato të vendeve të Europës dhe rajonit dhe që do jetë i vlefshëm për të gjitha subjektet turistike nga veriu në jug të vendit.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Kornelia Ferizaj, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se përmes këtij protokolli do të përcaktohen se cilat janë masat e sigurisë që një subjekt duhet të respektojë për të ushtruar aktivitetin e tij gjatë sezonit turistik. Ky protokoll do të jetë dhe një certifikatë sigurie për turistët e huaj të cilët presin të vijnë në vendin tonë nga një moment në tjetrin.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe duke iu referuar të gjitha praktikave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe sugjerimeve nga Organizata Botërore e Turizmit ka hartuar një draft protokoll për masat e sezonit turistik në kuadër të pandemisë”,- tha Ferizaj për ATSH.

“Është një dokument mjaft i gjerë sepse ne e kemi konsultuar me praktikat e vendeve të tjera dhe është pothuajse si të gjitha vendet e rajonit dhe të Europës. Kjo do të thotë se drafti përmban element të shtuar sigurie në të gjitha strukturat akomoduese, bare e restorante dhe është shumë i detajuar dhe përfshin që nga momenti që turistët hyjnë në strukturat akomoduese ku do të jetë një koordinator që do të masë temperaturën”, theksoi Drejtoresha e AKT për ATSH.

“Ka element të shtuar sigurie për sa i takon distancimit social gjatë mëngjesit, nuk do të jenë më ato baret klasike që do të jenë bufe, por mëngjesi do të ofrohet në dhomë kryesisht. Do të ketë masa të tilla që do të jenë vetëm 4 anëtarë të një familje në 10 metër katrorë. Do të ketë masa të shtuara sigurie në ashensor, përdorimi i ambienteve rekreative, sauna, pishina, plazhi gjithashtu është shumë i rëndësishëm. Ky është një element shumë i rëndësishëm. Dhe ky protokoll përfshin edhe masat e shtuara për sa i përket stacioneve të plazhit, ku do të ketë rregullat të shtuara higjiene, do ruhet distance në det 3 metra. Sheslongët do të kenë një ndarje në metra të caktuara, ku do te jenë 4 persona në 10 metra katror”, – sqaroi Ferizaj.

Sipas saj, duhet një bashkëpunim tejet i fortë mes institucioneve për monitorimin e zbatimit të këtij protokolli sigurie.

“Do të ketë element të shtuar siguria në të gjitha ofrimin e shërbimeve dhe strukturën akomoduese, bare restorante, hotele e sheslong”, tha Ferizaj për ATSH duke shtuar se Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare të Bregdetit, do të bëjnë certifikimin e strukturave akomoduese.

“Pra do të shkojnë në terren pas aplikimit që do të bëjë struktura akomoduese dhe do të verifikojë të gjitha kushtet. Nëse struktura i ka të gjitha kushtet higjieno-sanitare dhe standardet e vendosura nga MTM dhe MSHMS, atëherë kjo strukturë do certifikohet me COVID FREE. Nëse kjo strukturë nuk e ka certifikimin COVID FREE, atëherë do të merren masat për reduktimin e aktivitetin ose mbyllje të tij”,-deklaroi Ferizaj për ATSH.

Lidhur me hyrjen në fuqi të këtij protokolli, ajo tha se “është pak herët për të folur, pasi është një draft për konsultim që po diskutohet dhe ende nuk është lançuar publikisht. Ne nga momenti që ky draft është lançuar para një jave, ka pasur shumë ndryshime dhe janë reflektuar të gjitha sugjerimet që kanë dhënë operatorët, sigurisht duke u bazuar në praktikat dhe eksperiencat e tyre. Sigurisht nëse operatorët do të kenë sugjerime të tjera do t’i reflektojnë”,- theksoi Ferizaj për ATSH.

“Që në titull të tij (Drafti) ka një mbishkrim që është i vlefshëm vetëm në heqje të masave kufizuese nga qeveria shqiptare. Pra në momentin që ne do të kemi një hapje graduale dhe do të nis aktiviteti gradualisht, atëherë dhe ky protokoll do të vihet në zbatim. Protokolli do të jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjitha strukturat akomoduese nga veriu në jug të vendit, përfshirë këtu nga hotelet me shumë dhoma, deri te Guest House, qoftë këto dhe me vetëm dy dhoma. Të gjitha strukturat do të kalojnë te ky proces është e paevitueshme”,- tha Ferizaj për ATSH.

“Për sa i përket turizmi të natyrës, aktivitet do të jenë më të lejuara për shkak dhe të karakteristikës që kanë, që ka më pak rrezikshmëri, por strukturat akomoduese ku do jenë sistemuar këta turistë do jenë patjetër të certifikuar”,- shtoi ajo.

Sa i takon turistëve të huaj dhe atyre që vijnë me charter, Ferizaj tha në intervistën për ATSH se protokolli i sigurisë është një certifikatë sigurie dhe për këta turistë, të cilët nuk kanë anuluar udhëtimet e tyre drejt vendit tonë, por i kanë pezulluar apo shtyrë në pritje të një momenti më të përshtatshëm.

“Ne si Ministri kemi kontakte të vazhdueshme me tur operatorët kryesorë shqiptarë dhe ata kanë kontakte me tur operatorët e tyre. Kontratat nuk i kanë anuluar, thjesht i kanë shtyrë në kohë ose i kanë mbajtur pezull në varësi të situatës. Me shpresën pozitive që të hapen dhe të fillojë gradualisht aktiviteti, në fund të majit dhe fillim të qershorit, ata i kanë charterat gati, madje edhe protokollin prandaj e kërkuan pasi donin t’ua ofronin si certifikatë sigurie partnerëve të tyre, se Shqipëria po merr masat”,- tha Ferizaj.

“Në protokoll është parashikuar gjithashtu se nëse një person deklaron që nuk ndihet mirë, atëherë është parashikuar një protokoll i caktuar, që ky turistë do të izolohet, do ketë një staf që do e ndjekë aq ditë sa do të qëndrojë me të gjitha procedurat”,- nënvizoi Drejtoresha e AKT-së për ATSH.

Ky vit, tha Ferizaj duhet të jetë viti “Konsumo Shqip.

“Fushata promocionale që ne po e lançojmë tani është që të përdorim sa më shumë produkte shqip dhe të jetë viti eksplorimit të Shqipërisë. Të gjithë ne le ta shijojmë këtë verë në Shqipëri dhe të eksplorojmë destinacionet fantastike që ka Shqipëria. Të mos harrojmë që në vendin tonë janë bërë investime fantastike, si në Durrës, ku janë hotele që kanë të gjitha të përfshira, të njëjta me ato në Europë, qoftë dhe në zona të ndryshme të Shqipërisë ku ka hotele që mund të pushoni njësoj si në Turqi apo Greqi”,- përfundoi Kornelia Ferizaj, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button