Home / Kronika / Reforma në drejtësi: Ata “që i shkaktuan dëm sistemit me sjellje korruptive duhet të përgjigjen penalisht”

Reforma në drejtësi: Ata “që i shkaktuan dëm sistemit me sjellje korruptive duhet të përgjigjen penalisht”

“Disa gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë që do të largohen, po e shfrytëzojnë këtë kohë për të përfituar dhe për të deformuar imazhin e reformës, duke siguruar se këta prokurorë dhe gjyqtarë duhet jo vetëm të largohen por edhe të përgjigjen penalisht”, tha sot në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, në një intervistë televizive, ministrja Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në një intervistë televizive, Gjonaj e përshkruan reformën si një proces që ka vënë në përballje drejtësinë e re me te vjetrën dhe me përpjekjet e vazhdueshme për ta denigruar, deformuar dhe ndikuar më ngritjen dhe funksionimin e drejtësisë së re.

Gjonaj tha se “Reforma në Drejtësi është reforma më e thellë e kryer në këto 30 vjet, një reformë që ka pasur dhe ka ende mbështetjen dhe shpresën e qytetarit shqiptar. Zbatimi i reformës është një proces që ka marrë dhe do të vazhdoj të marrë kohën e vet pasi është një proces kompleks që synon nga njëra anë shembjen e një mentaliteti dhe qasje të vjetër e regresive në sistem dhe ngritjen e një sistemi të ri drejtësie, themelimin e një prej 3 pushteteve kyç të demokracisë. Një proces që zhvillohet në një përballje me të vjetrën dhe përpjekjet e vazhdueshme për të denigruar, deformuar e ndikuar atë në ngritjen dhe funksionimin e tij. Vetingu padyshim është një nga komponentët kryesor të reformës, një proces që me rezultatet e dhëna ka provuar drejtësinë e ideimit dhe zbatimit të tij dhe vet domosdoshmërinë e reformës në drejtësi. Rezultatet e tij edhe deri në këtë fazë kanë dëshmuar qartë pse qytetarët kishin humbur besimin te sistemi dhe përse ata kanë mbështetur e mbështesin fort reformimin e drejtësisë. Përparimet me këtë reformë kanë qenë një nga arsyet e vendimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë”.

Në lidhje me ecurinë e Vetingut për shkak të COVID-19,  Gjonaj tha se, “nga procesi i Vetingut janë shkarkuar tashmë rreth 134 gjyqtarë e prokurorë. Po kaq e vërtet është edhe ana tjetër. Janë konfirmuar rreth 44 gjyqtarë dhe rreth 48 prokurorë ç’ka dëshmon që në radhët e sistemit kemi pasur dhe kemi mjaft profesionistë me integritet dhe profesionistë të zotë të cilët japin shpresë për të bërë ndryshimin e duhur, për t’ju kthyer besimin qytetarëve te drejtësia, për ti kthyer pushtetit të gjyqtarit e prokurorit, pushtetit të drejtësisë, forcën dhe autoritetin e duhur si kusht për një demokraci të qëndrueshme dhe shtet të së drejtës. COVID-19 ishte dhe mbetet ende një dukuri që ka pezulluar jetën normale shoqërore në të gjithë botën dhe si i tillë nuk mund të mos ndikonte edhe në ecurinë e procesit të Vetingut. Gjithsesi në dijeninë time gjatë kësaj periudhe puna në nivelin e parë të vetingut ka vazhduar me ritëm më të ulët por nuk është pezulluar, duke vijuar me punën hetimore. Shpresoj shumë që me masat për hapjen e aktivitetit në gjithë të vendin, të rifillojë puna edhe nga institucionet përkatëse të Vetingut dhe shumë shpejt të shohim vijimin normal të seancave të gjykimit ne të dyja nivelet e Vetingut por me ritme edhe më të shpejta”, tha ajo.

Ajo shprehet se ka besim se reforma në drejtësi do të ecë përpara dhe shumë shpejt do të kemi drejtësinë funksionale në të gjitha nivelet, ku ndër të tjera përcjell edhe një mesazh për gjyqtarët dhe prokuroret gra në institucionet e reja të drejtësisë.

Mbi problemet e zgjidhjeve të kërkesave dhe ankesave të qytetarëve në gjykata dhe prokurori Gjonaj tha se, “duhet të pranojmë se ndryshimet në sistem, në procesin e ngritjes së institucioneve të reja dhe riformatimin e atyre ekzistuese kanë sjellë dhe për pak kohë do të vazhdojnë të sjellin probleme në trajtimin e zgjidhjes së kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Sfida e reformës në drejtësi është që ndërkohë që nisi puna për reformimin dhe ngritjen e themeleve të reja të sistemit të drejtësisë, në të njëjtën kohë kërkohej edhe dhënia e shërbimit cilësor. Fillimi nga puna i ILD, GjL dhe GjK padyshim do të sjell shumë shpejt normalitetin në trajtimin e dosjeve gjyqësore. Ajo çfarë ndodh në pak kohë me gjyqtarët e rinj në GjL është mjaft inspiruese dhe një shembull shumë i mirë për institucionet e tjera të sistemit, për ritmin dhe performancën që duhet të dëshmojnë edhe në kushtet e mungesave të krijuara nga vet ecuria e procesit. Ka gjithsesi edhe disa element pozitiv që sapo kanë filluar të ndjehen në sistem siç janë rritja e aksesit, transparenca, komunikimi me publikun etj”.

Përsa i përket ekzistencës së korrupsionit në drejtësi, Gjonaj tha se “korrupsioni në sistem ishte dhe mbetet një nga arsyet bazë që imponoj këtë reformë të thellë strukturore dhe njerëzore në sistem. Vetingu është treguesi më i mirë. Korrupsioni është një dukuri që do ta shoqëroj këtë periudhë tranzitore në sistem si një dukuri prezente. Në disa aspekte për gjyqtarë dhe prokurorë që janë të vetëdijshëm për të ardhmen e tyre jashtë sistemit për shkak të asaj çfarë ata përfaqësojnë kjo është një periudhë që po shfrytëzohet për të përfituar dhe disa edhe për të deformuar imazhin e reformës. Kjo është përkohshme dhe shpresoj që shumë shpejt këta individ që për fat nuk janë shumica jo thjesht të dalin nga sistemi por edhe të përgjigjen penalisht për çfarë kanë bërë dhe dëmin e madh që i kanë shkaktuar sistemit dhe vet shoqërisë me sjelljen e tyre korruptive”.

Gjithashtu, Gjonaj përcjell edhe një falenderim për partnerët Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian jo vetëm për mbështetjen e ofruar përmes misioneve të tyre por edhe për qëndrimin e tyre si garanci për vetë reformën.

“Kam besim se reforma në drejtësi do të ecë përpara dhe shumë shpejt do të kemi një drejtësi funksionale dhe eficente në të gjithë nivelet e saj, një drejtësi që jep shpresë dhe besim te qytetari, garanci për rrugën tonë europiane. Dëshiroj të siguroj për mbështetjen e qeverisë dhe timen si ministre e Drejtësisë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë në mirëfunksionimin e tyre. Në këtë ditë të dedikuar drejtësisë, një mesazh të veçantë kam për zonjat që shërbejnë si gjyqtare dhe prokurore, si pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe grave e vajzave që janë pjesë e stafeve të sistemit të cilat bëjnë një punë me shumë përkushtim dhe në përballje me pengesa të shumta. Mbështetja dhe promovimi i tyre është një synim i punës sime edhe sepse jo vetëm se ato përbëjnë sot shumicën e sistemit por edhe sepse me integritetin dhe profesionalizmin e tyre janë një garanci e fortë për të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri. Në këtë ditë të veçantë të drejtësisë, një falenderim të veçantë edhe për partnerët ndërkombëtar, SHBA dhe BE dhe shumë vende anëtare mike të cilat përmes misioneve të tyre të asistencës janë duke dhënë një kontribut të çmuar në procesin e reformimit të drejtësisë shqiptare dhe janë njëherësh një garanci e madhe për të”, tha Gjonaj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: