Intervista

Intervista/Prof.Dr.Zlatimir Kolarov: Ja si Bullgaria po e përballon COVID-19

Prof.Dr.Zlatimir Kolarov, reumatolog dhe autor i afro 600 hulumtimeve shkencore, në një intervistë, realizuar nga z.Selim Hoxhaj-Konsulli i Nderit i Bullgarisë në Shqipëri, ka hedhur dritë mbi menyrën se si shteti bullgar po e përballon  pandeminë e COVID-19. Kolarov ka hedhur drite mbi masat që janë marrë nga shteti atje, ndërsa tregon se në fillim të muajit janë hapur restorantet dhe ka filluar lehtësimi i lëvizjes. Po ashtu bëhet me dije se shërbimi urban ka vijuar normalisht në të gjithë Bullgarinë.

Zoti Kolarov, të gjitha vendet, qeveritë dhe popujt janë përfshirë në luftën kundër koronavirusit COVID-19. Cilat janë masat e janë ndërmarra në Bullgari?

Prof. Kolarov: Me urdhër të Kryeministrit të Bullgarisë Bojko Borisov më 26 shkurt u themelua Shtabi operativ kombëtar për luftimin e pandemisë. Në të u përfshin specialistë të shquar bullgarë të fushave të ndryshme si shëndetësia, profilaktika shëndetësore, sëmundje infekcioze dhe fatkeqësi natyrore. Në krye të Shtabit është Prof. Dr. Vencislav Mutafçijski-drejtori i Spitalit Ushtarak të Sofjes, kurse anëtarët e tjerë janë Prof. Dr. Todor Kantarxhiev-drejtor i Qendrës së sëmundjeve infektive dhe parazitare, Doc. Dr. Angel Kunçev-kryeinspektori shtetëror i shëndetësisë, Doc. Dr. Dimo Dimov-udhëheqës i Katedrës “Mjekësia e fatkeqësive natyrore” pranë Spitalit Ushtarak, kryekomisari Georgi Arabaxhiev nga MPJ, kryekomisari Svetlan Kiçikov nga Policia Kufitare dhe kryekomisari Bojko Hristov nga MPB. Emrat dhe pozicionet e anëtarëve të Shtabit tregojnë vlerësimin e treguar dhe kompetencën që ata kanë,  për të cilën janë zgjedhur. Atyre iu bashkuan edhe një ekip matematikanësh nga Akademia Bullgare e Shkencave, të cilët llogaritin rrezikun, krijojnë modele dhe parashikime matematikore në secilën fazë të epidemisë dhe mbështesin punën e ekspertëve nga Shtabi. Në qytetet rajonale u krijuan qendra rajonale me specialistë të ngjashëm, të cilat kryenin urdhrat e Shtabit qendror në qarqet. Që nga emërimi i tyre para më shumë se dy muaj, anëtarët e Shtabit punojnë pa pagesë dhe pa ditë pushimi, çdo ditë që nga herët në mëngjes e deri vonë në mbrëmje. Dita e tyre e punës fillon në orën 07.00 të mëngjesit me një takim me Kryeministrin dhe vazhdon deri në mesnatë. Bile tani, me lehtësimin e masave, vazhdon të punojnë me të njëjtin orar të ngjeshur.

Si punon konkretisht Shtabi operativ kombëtar për luftimin e pandemisë?

Që nga formimi i tij, Shtabi ka filluar punën aktive për vlerësimin e mundësive dhe riorganizimin e burimeve shëndetësore të vendit, siç është sigurimi i shtretërve spitalorë, repartet infektive dhe njësitë e reanimimit në vend, gatishmërinë e Inspektorateve Rajonale të Shëndetit për të kryer studimet epidemiologjike. Në këtë kuptim, epidemia na gjeti të përgatitur për të përballuar valën e parë të të sëmurëve. Parimi, filozofia e ngjarjeve është parandalimi epidemiologjik, d.m.th. ndalimi i epidemisë në “hyrje” dhe trajtimi pasues. Për këtë ishte e nevojshme të kërkohen personat kontaktues dhe të kthyerit nga jashtë përmes Inspektorateve Rajonale të Shëndetit dhe karantinimi i tyre për 14 ditë, dhe për të sëmurët për 28 ditë. Laboratorët e testimit për Covid-19 punojnë 24 orë në ditë. Shtabi vazhdimisht shkëmben informacione me të gjitha qendrat e njohura shkencore dhe klinike botërore. Në punën e saj, Shtabi ka mbështetjen e plotë të Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe ata punojnë së bashku. Ata reagojnë jashtëzakonisht në kohë dhe në mënyrë adekuate ndaj mjedisit që po ndryshohet vazhdimisht.

Kur Bullgaria e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe si është operuar gjatë kësaj kohe?

Prof. Kolarov: Fillimisht në Bullgari u shpall gjendja e jashtëzakonshme më 13 mars, kurse ajo më vonë u zgjat me nga një muaj. Gjatë këtyre dy muajve u vendosën masa të ndryshme kufizuese dhe të detyrueshme-si mbajtja e maskave në vende publike, respektimi i distancës, mbyllja e hoteleve, restoranteve dhe lokaleve, rekomandime për punë nga shtëpia. Gjatë kësaj periudhe dy mujore, çdo ditë në orën 8 të mëngjesit Shtabi mban konferencë shtypi 30 minutashe me anëtarët e Shtabit të cilët u përgjigjen të gjitha pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. Konferencat e shtypit kanë luajtën një rolë të rëndësishme për informimin e popullsisë dhe pakësimin e rrezikut. Në mesin e muajit prill u mbyll lëvizja mes qyteteve të mëdha. U ndaluan shëtitjet nëpër parqet, kurse për të moshuarit, farmacitë dhe ushqimoret punuan në fashën orare mes 08.00-10.30. U mbyllën edhe qendrat e mëdha tregtare. U krijuan korridore të gjelbra për transportimin e maunave me mallra në drejtim  të Evropës dhe anasjelltas. Njerëzit vetë u organizuan duke mbledhur para për spitalet dhe për blerjen e aparaturave dhe mjeteve mbrojtëse. Shumë shpejt u ristrukturuan disa ndërmarrje të industrisë së lehtë për prodhimin e veshjeve mbrojtëse, maskave dhe syzeve, të cilat u çerfikuan jashtë shtetit dhe filloi prodhimi i tyre në Bullgari, filloi dhe eksportimi i tyre. Kjo kontribuoi edhe për ruajtjen e shumë vendeve të punës. Me ndihmën aktive të Kryeministrit dhe ministrave u siguruan testet dhe mjetet e nevojshme mbrojtëse. Merita për reagimin e shpejtë dhe organizimin e mirë është patjetër e Kryeministrit dhe e Ministrave të Kabinetit. Masat u diskutuan gjerësisht, njëkohësisht ishin rigoroze dhe liberale (ndërtimi nuk ishte ndërprerë, dyqanet e vogla punonin, kishat ortodokse mbeten të hapura). Në fillim të muajit maj u lehtësuan masat-u lejuan shëtitjet në parqet duke mbajtur distancën, u hapën restorantet me veranda me kushte të ndryshme (p.sh. deri në 4 persona në një tavolinë), u hap lëvizja mes qyteteve, etj. Mund të konkludoj, se anëtarët e Shtabit, Kryeministri dhe Ministrat punonin dhe po vazhdojnë të punojnë më mënyrë adekuate, dinamike, inteligjente dhe me transparencë të plotë. Masat ishin shumë efektive. Bullgaria disponon specialistë të nivelit botëror në të gjitha fushat. Anëtarët e Shtabit e vërtetuan këtë në mënyrë kategorike, me profesionalizmin e tyre duke punuar vullnetarisht dhe në mënyrë të dedikuar. Me të gjitha masat e ndërmarra popujt tanë e bërë sakrificën e nevojshme për ruajtjen e gjerës me të rëndësishme-jeta njerëzore.

Transporti urban që nuk është ndërprerë gjatë pandemisë, si janë pajisur qytetarët?

Prof. Kolarov: Po transporti urban funksiononte në tërë Bullgarinë. Kushti është njerëzit të mbajnë maska dhe të respektojnë distancën. Intensiteti i lëvizjes u pakësua ndjeshëm, u pakësua edhe numri i udhëtarëve dhe të autobusëve. Për personat të cilët nuk respektonin udhëzimin për vendosjen e maskave gjobat ishin 300 leva ose 150 euro.

Cili është reagimi i qytetarëve ndaj atyre që nuk respektojnë distancën apo vendosjen e maskave?

 Prof. Kolarov: Masat e ndërmarra nga Shtabi dhe Këshilli i Ministrave perceptohen pozitivisht nga shumica e bullgarëve. Pak janë të pabindurit. Njerëzit kujtuan se duke i mbrojtur të tjerët e mbrojnë shëndetin e vet dhe të afërmve të vet. Shumica prej qytetarëve mbanin maska. Me lehtësimin e masave ishte hequr detyrimi për mbajtjen e maskave, njerëzit filluan të mblidheshin dhe të vizitonin restorantet dhe lokalet në të hapur. Bullgaria ngadalë po kthehet ndaj normalitetit.

Kur mendohet se Ministria e shëndetësisë do lejojë hapjen e kufijve?

Prof. Kolarov: Nuk disponoj të dhëna, por mendoj se jemi larg hapjes së kufijve. Kjo pa tjetër do të krijojë probleme me turizmin, por siç thash edhe më herët-kjo është sakrifica e nevojshme për jetët e shpëtuara.

Diçka për përfundim

 Prof. Kolarov: Shqiptarëve iu uroj shëndet dhe të dalim nga kriza më të fortë dhe më të mençur! Dhe përsëri të ulemi së bashku në një tavolinë dhe të pimë si miq…

FUND

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button