Kryeartikull

Koleksionisti i vijave të kuqe

Skender Minxhozi

Një vijë e kuqe, pastaj dy, më në fund tre e me rradhë. Derisa në fund, vetë vijave, por edhe atij që i ka vizatuar, ju bie vlera. Mos prek këtu se do bëhet nami, mos kalo këtej se shpërthen lufta, do ketë përplasje fizike, sy për sy e dhëmb për dhëmb! Ky ka qenë kodi parapolitik i përjetshëm i politikës shqiptare: të kërcënosh për të mundur frikën tënde. Si ai fëmija që ecën vetëm natën në pyll dhe këndon me zë të lartë, për t’i dhënë zemër vetes.

Në orët kur sytë e shqiptarëve po spostohen nga pandemia, drejt një lajmi të vjetër sa bota, shembjes së teatrit kombëtar, Lulzim Basha ka hequr një vijë tjetër të kuqe në rërë. “Partia Demokratike ka qenë pranë artistëve, i bej thirrje qytetarëve që t’u qëndrojë pranë, po mbrojnë vijën e fundit pas së cilës vjen diktatura. Do kaloj orë të tëra këtu dhe do jem pranë tyre”… “Jam këtu për të treguar solidaritetin tim personal dhe të gjithë opozitës dhe për tu kërkuar të gjithë qytetarëve të jemi solidarë për të mbrojtur një vijë të kuqe të demokracisë. Qytetarët kanë të drejtë të mbrohen me të gjitha mjetet. Kur shteti bie në dorë të banditëve dhe shkel ligjin dhe Kushtetutën siç po shkelet ligji dhe Kushtetuta këtu qytetarët mund të zgjedhin tu përgjigjen me çdo mjet”, ka deklaruar Basha në prani të disa artistëve që i vajtën në zyrë.

Në endjen absurde që ka krijuar karantina për jetët e njerëzve e familjeve, vija më e fundit e kuqe është si një zgjim i shëmtuar. Në njërën anë habia përzier me maraz, sesi një vend që i ka rënë mbi krye një tërmet shkatërrimtar dhe një epidemi e paprecedent, ka kohë të sherroset për ndërtime teatrosh me para publike. Në anën tjetër, kërcënimet patetike të një pale që kërcënimin, e më pas tërheqjen, e ka kthyer në shkollë të vërtetë taktike.

Në fillim, e kujtoni, ishte vija e kuqe e Çadrës. Nuk dalim gjallë që këtu, s’ka zgjedhje, s’ka qeveri. Madje as makinat në bulevard nuk i lemë të kalojnë, do shtrihemi këtu në mes të rrugës. Hynë në qeveri, hynë edhe në zgjedhje dhe rezultatin e dimë tashmë. Më pas erdhi vija tjetër e kuqe, Astiri me unazën e tij të shumëdebatuar. Një kokëçarje e hatashme për qytetin, mijëra orë bllokadë makinash e acarim nervash në portën më të madhe dalëse të Tiranës. Fundi? Edhe asaj vije të kuqe s’i mbeti as nami, as nishani.

Dalja nga Kuvendi? Një vijë e kuqe e hequr me bojë të trashë në muret e kryeministrisë gjatë katër muajve protesta të dhunshme, ku në secilën prej tyre pritej rënia e qeverisë. “Punë orësh, e ka thënë Basha”! Edhe kjo vijë e kuqe përfundoi si të tjerat, madje më keq se të tjerat. Sepse shënoi daljen e opozitës kolektivisht nga institucionet e shtetit, në një akt të përbashkët marrëzie politike, që demokratët vazhdojnë ta paguajnë edhe sot, duke kërkuar medoemos një formulë që t’i sjellë në pushtet. Si fjala vjen, një qeveri teknike parazgjedhore, një eksperiment maqedonas që s’e gjen askund tjetër.

Lulzim Basha është një koleksionues vijash të kuqe, por jo domosdoshmërisht edhe një koleksionist fitoresh politike. Paradigma e mësipërme përcakton vetë thelbin e tij si lider partie dhe figurë publike. Një kundërshtar që ka në xhep fishekë manovre, jo municion fitoreje. Një oponent i padëmshëm që i ka krijuar Edi Ramës perandorinë politike më të madhe të imagjinueshme, aq sa i vetmi armik i mbetur në fushë kundër kryeministrit të sotëm, të jetë vetja e tij: Edi Rama! Pasi sfidanti i tij i vetëm për pushtetin e nesërm, është i zënë duke vizatuar vija të kuqe në mëngjes, e duke i fshirë më pas në darkë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button