Politika

‘Himara e Vorioepirit’, kërkesa e MPJ shqetëson Athinën: Tirana po kërkon ‘reston’

himaraNë faqen e presidencës greke ende ekziston emërtimi “Himara e Vorioepirit”, edhe pas kërkesës që Tirana zyrtare i bëri Athinës për heqjen e saj.

Megjithatë fakti që ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i kërkoi zyrtarisht ambasadorit grek në Tiranë, që të hiqet nga faqja e presidencës greke emërtimi “Himara e Vorioepirit”, i përdorur për Himarën, ka bërë përshtypje në Greqi. Gazeta greke ‘Ethnos’ shkruan se me kërkesën për fshirjen e këtij emërtimi, ‘Tirana i kërkon reston Athinës’, por shton se sipas informacioneve që ka gazeta, faqja e presidentit nuk ka ndërmend ta ndryshojë emërtimin.

Sipas ‘Ethnos’, një kërkesë e tillë u bë nga Tirana zyrtare me qëllim që të minimizohen incidentet në Dervican, ku u sulmuan anëtarë të minoritetit grek, dhe këto u vlerësuan si incidente të izoluara. “Qeveria shqiptare kalon në kundërsulm, në vend që të kërkojë falje për flamurin e “Shqipërisë së madhe” që përfshin Epirin, Maqedoninë perëndimore dhe Korfuzin”, shkruan gazeta.

Edhe gazeta “Protothema” shkruan për ngjarjet në Dervican dhe pastaj për rrezikun e rikthimit të Ballkanit në një “fuçi baruti”. Duke iu referuar një zyrtari të ministrisë së jashtme greke, gazeta Protothema shkruan: “Nacionalizmi shqiptar dhe fanatizmi islamik, mund të bëhen një përzierje shpërthyese që kërcënon të ngrejë Ballkanin në ajër”.

Sipas “Protothemës”, s’është rastësi që kryeministri Rama nuk e dënoi helikopterin shqiptar mbi fushën e futbollit të Beogradit, dhe duke u përpjekur të kultivojë një profil modern dhe evropian, “i shkel syrin” partisë së çamëve. Në të njëjtën gjatësi vale sipas gazetës, ishte edhe paraardhësi i tij Berisha që në vitin 2012 deklaroi se kufijtë e Shqipërisë shkojnë deri në Prevezë. Gazeta nuk harron të përmendë edhe tekstet shqiptare të historisë dhe gjeografisë me të cilat mësojnë nxënësit shqiptarë si dhe që Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, kanë “prodhuar” xhihadistë fanatikë, të cilët shkaktojnë shqetësim në Perëndim.

Në fund gazeta prek faktin që 2 nga lojtarët e kombëtares së Shqipërisë, Andi Lila dhe Ergys Kaçe, të cilët i quan “tifozë të Shqipërisë së madhe” luajnë me ekipe greke.

KËRKESA E MPJ
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko i shprehu dje, ambasadorit grek, Leonidas Rokanas keqardhjen për këtë çështje duke i kërkuar që të negociojë për heqjen e menjëhershme të kësaj shprehjeje nga Faqja e Presidencës së Republikës së Greqisë. “Ky term nuk është koncept politiko-administrativ në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që përdoret rëndom nga qarqe antishqiptare, të cilët, në kuadër të pretendimeve territoriale identifikojnë me këtë term Shqipërinë e Jugut. Ambasadori grek u shpreh në takim se do të informojë menjëherë autoritet e Presidencës greke për të bërë korrigjimin përkatës”, – thuhet në njoftimin e MPJsë lidhur me takimin Qirko- Rokanas.

INCIDENTET E DERVICANIT
Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së shqiptare, Qirjako Qirko priti dje në një takim në Tiranë, ambasadorin e Greqisë, Leonidas Rokanas me kërkesë të vetë diplomatit grek, i cili kishte shkuar në ministri për të informuar në lidhje me një incident të ndodhur në fshatin Derviçian, mbas ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri. Në këtë fshat, pas kësaj ndeshjeje, një grup i vogël të rinjsh kanë lëshuar parulla dhe i kanë shkaktuar dëme materiale një automjeti. Sipas njoftimit të MPJ, “duke e dënuar këtë incident dhe duke e quajtur atë një rast krejt të veçantë i cili nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në frymën e bashkëjetesës shekullore midis shqiptareve dhe minoritarëve, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së i bëri të ditur ambasadorit grek reagimin e shpejtë dhe efikas të Policisë së Shtetit, e cila vuri para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës”. Gjithashtu, ai informoi se autoritetet e pushtetit vendor dhe të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës kanë marrë kontakte me banorët dhe kryeplakun e fshatit, që pohuan se ngjarja në fjalë ishte një rast i veçantë dhe se gjendja në fshat është krejt e qetë. Ambasadorit grek iu kërkua që ky rast sporadik të mos ketë asnjë ndikim negativ në marrëdhëniet tona dypalëshe, mbasi përkatësia euroatlantike e dy vendeve tona përjashton çdo fenomen negativ që cënon vlerat e përbashkëta. Nën udhëzimet e zv/kryeministrit, njëkohësisht ministër i Jashtëm Evangelos Venizelos, Ambasadori i Greqisë në Tiranë dorëzoi një notë proteste në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Në këtë notë, kërkohet nga Shqipëria të dënojnë incidentet që kanë ndodhur në fshatin Derviçan kundër anëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri, pas ndërprerjes së ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, mbrëmjen e 14 tetorit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button