Kronika

Akuzat për falsifikim dokumentesh dhe pezullimi nga detyra, shtyhet seanca ndaj Luan Dacit

Daci në aplikimin e kryer prej tij në shkurt të vitit 2017, për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna″. Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, në vitin 1997 është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë. Vendimi është marrë më 24 dhjetor të vitit 1997, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion tashmë i shkrirë nga reforma në drejtësi.

Kështu me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur ndaj Luan Daci caktimin e masës së sigurimit ndaluese ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik″, duke e pezulluar nga atë funksioni Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Fillimisht hetimet nisën nga SPAK pas kallëzimit të bërë nga Besnik Cami, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por që më pas edhe ky i fundit u shkarkua nga detyra pasi kishte probleme me deklarimin e pasurisë.

Ndërkohë dokumentin për falsifikim të bërë nga Luan Daci, e ka bërë publik Antoneta Sevdari, prokurorja e cila u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Apelimit, ku pjesë e trupës së gjyqtarëve më 28 shkurt 2019, ishte edhe Luan Daci. Antoneta Sevdari u shkarkua duke mos kaluar procesin e vettingut, me arsyetimin se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm sa i përket kriterit të pasurisë. Me një letër drejtuar ONM-së ajo kërkon përfundimin e mandatit për gjyqtarët Luan Daci pasi nuk plotësonte sipas aj kriteret për të qenë pjesë e KPA.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button