Ekonomia

Përzgjidhet kompania franceze Voltalia për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, Balluku: Investimi parashikohet mbi 110 milionë euro

5 kompani kanë paraqitur ofertat në ankandin ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë, por vetëm një kompani ajo franceze, Voltalia ka plotësuar kriteret teknike dhe ato financiare.

Kompania ka paraqitur një ofertë financiare prej 24.89 euro për megavat nga 55 euro që ishte çmimi tavan në kërkesën e paraqitur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se ky është një çmim rekord për parqet energjetike, pasi çmimi llogaritet minimumi 26 euro.

Kompania franceze Voltalia, tha ministrja Balluku, është ndër më të mëdhatë në Europë dhe me kapital 100% francez. “Investimi që ajo do të kryejë në zonën e Divjakës dhe Fierit llogaritet mbi 110 milionë euro”, tha Balluku.

Ministrja Balluku deklaroi sot se siguria energjetike dhe diversifikimi i burimeve të energjisë janë një prioritet kombëtar.

Vendi ynë, shtoi Balluku, ka një varësi të jashtëzakonshme nga moti, ndaj dhe parku fotovoltaik konsiderohet një hap i rëndësishëm për krijimin e burimeve alternative të energjisë.

“Parku fotovoltaik i Karavastasë që është më i madhi në Ballkan me kapacitet 140 megavat energji, të ndara sipas një skeme që qëndron 70 megavat me një çmim të parashikuar në kontratën e tipit PPA dhe 70 megavat për ti lënë investitorit për ta tregtuar në treg të lirë, pse jo në Shqipëri pasi tani më kemi bursën e energjisë”, deklaroi Balluku.

Sipas saj, të gjitha kriteret e garës dhe hapat e ankandit janë ndjekur edhe nga ekspertet e BERZH-t.

Parkun Energjetik Fotovoltaik prej 140 MW, që do të ndërtohet në zonën e Karavastasë dhe është pjesë e strategjisë së Qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme.

Qeveria Shqiptare e sheh të domosdoshme diversifikimin e burimeve të energjisë për tju shmangur varësisë që ajo ka nga moti dhe sasia e reshjeve, që furnizojnë më pas basenet e hidrocentraleve.

Diversifikimi i burimeve energjetike të rinovueshme do të ndihmonte në uljen e blerjeve nga importi, duke krijuar mundësi që të prodhojmë brenda vendit jo vetëm energji të rinovueshme nga hidrocentralet.

Parku do të shtrihet në bashkinë e Divjakës, në zonën Remas ku janë 122 hektarë tokë dhe në bashkinë e Fierit, në zonën e Libofshës ku janë përfshirë edhe 76 hektarë të tjerë.

Megjithëse është pagëzuar si Parku i Karavastasë, zona e ndërtimit të Parkut Fotovoltaik nuk ka të bëjë me lagunën e Karavastasë dhe projektuesit janë munduar t’i qëndrojnë sa më larg lagunës dhe zonës së mbrojtur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button