Home / Politika / Palmer: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë në partneritet me vendet e rajonit

Palmer: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë në partneritet me vendet e rajonit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, njëherësh i Dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, të mërkurën, gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Egje dhe në Turqi gjatë pandemisë së koronavirusit, të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për të hapur rrugën europiane për të dyja vendet.

“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha Palmer.

“Po përpiqemi të ndihmojmë palët që të gjejnë një zgjidhje. Me sa di unë Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit po pret demonstrim nga autoritetet e Kosovës që janë të interesuara për të ndjekur një hapje më të gjerë ekonomike që siguron mundësi më të mira për zhvillim ekonomik dhe vende pune. Ajo që duam të shohim është jo vetëm pezullimi i tarifave, por edhe heqja e masave reciproke. Shpresoj se do të shohim përparim në këto çështje dhe Korporata do të rikthehet me programet e saj”, tha Plamer.

COVID-19 ishte një tematikë tjetër e prekur nga Palmer, i cili kujtoi se SHBA ka kontribuar me 20 milionë dollarë në Ballkan.

“Serbia dhe Kosova lanë anash dallimet politike dhe punuan së bashku për ofrimin e ndihmës përtej kufijve për të lehtësuar lëvizjen e personelit mjekësor e pajisjeve dhe furnizimeve humanitare, përfshirë ushqimet. Vetëm për të përballur krizën me COVID-19 Shtetet e Bashkuara kanë ndarë rreth 20 milionë dollarë si ndihmë e drejtpërdrejtë për vendet e Ballkanit”, tha ai.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë në partneritet me vendet e rajonit dhe me partneret dhe aleatët tanë europianë për të mbështetur zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në familjen e kombeve europiane”, shtoi Palmer.

Palmer e vlerësoi me “rëndësi historike” vendimin e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Mendoj se kemi investuar kohë dhe përpjekje për të mbështetur integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, qoftë nëpërmjet mekanizmave ekzistues, siç është CEFTA, por edhe nismave të reja siç është ajo për Minishengenin që është nismë rajonale”, tha Palmer gjatë intervistës për Zërin e Amerikës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: