Home / Opinion / Abuzim me fjalën diktaturë dhe diktator në demokraci

Abuzim me fjalën diktaturë dhe diktator në demokraci

Petro Dhimitri, Gazetar

Kam vërejtur se jo vetëm te ne, po edhe në shtete që  i  marrim si model për demokracinë, ka patur akuza nga opozita se ky ose ai lider është diktator. Më i freskët ka qenë rasti kur edhe Obamën republikanët e akuzuan për diktator. Ne e dimë mirë si ishte Obama, megjithatë opozitës i erdhi për shtat që për një rast të vetëm t’ia ngjiste këtë epitet, ndonëse ai nuk kishte shkelur kushtetutën. Po, nëse si në SHBA dhe në vendet me demokraci të kristalizuar, kjo fjalë përdoret rrallë e për mallë, te ne po përdoret rëndom, sidomos nga idhtarët opozitarë si dhe nga media. Këtu po ndalem pak.

 Diktatorë nuk kanë qenë vetëm liderët komunistë, si Stalini, Mao Ce Duni dhe Enver Hoxha, 3 Kim-at e Koresë së Veriut, etje, etje. Edhe  në sistemet e mëparshme njerëz të ndryshën, duke uzurpuar pushtetin, u bënë diktatorë. Pushteti i tyre ishte jo vetëm absolut, po dhe i përjetshëm. Në Korenë e Veriut diktatura është bërë e trashëgueshme?!..
                                    ***
                Po shikoj si në ekran vetëm disa aspekte nga  diktatura komuniste. Nuk kishim të drejtë të kritikonim qeverinë ose udhëheqësit e saj. Nuk kishim të drejtën e mbledhjeve dhe të protestave. Na u ndalua me urdhër besimi fetar dhe u bëmë i vetmi shtet ateist 100 për qind në Botë. Ndalohej krijimi i partive të tjera. Vendimet e partisë në pushtet ishin të padiskutueshme. Ndalohej botimi i gazetave private, duke iu vënë dryni fjalës së lirë. Prona private u shpall armike. Ndalohej udhëtimi jashtë Shipërisë. Sa shumë ndalime! Atëhere deri kishim frikë t’i shfaqnim ndonjë pakënaqësi shokut, sepse po të denonconte, të priste burgu si për të gjitha gjërat e tjera të ndaluara kategorikisht. Sa mijëra vetë u ekzekutuan, dënuan dhe internuan! Kishte edhe shumë e shumë ndalime të tjera më të lehta, si zgjedhja e degës për studime , e fshatit apo qytetit ku dëshiroje të jetoje… Ama po të krijoje ndonjë këngë me frymë pak liberale, të priste dënimi. Dëshmi e paharruar e kësaj ishte festivali i 11 i Këngës në Radio Televizion. Liberalët u dergjën në burgje.
       Tani po kthehem në vitet pas shëmbjes së diktaturës, në epokën e demokracisë.  Të gjitha qeveritë PS-PD ose anasjelltas, lanë të lirë lëvizjen e njerëzve, krijimin e shumë partive. Të gjithë ishim dhe jemi të lirë të shfaqim hapur idetë tona, madje të kritikojmë presidentët dhe kryeministrat, pa na dënuar njeri. Është i lirë besimi fetar. Secili mund të jetojë kudo që dëshiron. Mund të punojë ku të dojë, madje të ketë edhe aktivitet privat.U kthyen në qytete pronat e rrëmbyera nga shteti. Secili ka të drejtë të kandidojë edhe për deputet. Është e lirë, doemos duke kërkuar leje, e drejta e protestës paqësore e deri ngujimi në greva urije.Na u garantua dy shtetësia, që në diktaturë as guxonim ta mendonim se mund të ndodhte. Plus këtyre, në çdo katër vjet populli voton për zgjedhjet e Kuvendit Popullor dhe për pushtetin vendor. Në qoftë se gjatë 50 vjetëve të diktaturës patëm vetë 2 kryeministra, në demokraci liderët e PD-PS ia kanë lëshuar paqësisht karriken njeri tjetrit. Iku koha kur ç’thonte i pari ishte ligj. Tani opozita reagon, shtypi shkruan të qëna e të paqëna. Pra, nuk jemi në diktaturë. Atëhere Partia-Enveri që ishin një e të pandarë, përmes zyrës së kuadrit të Komitetit Qendror, emëronte titullarët e çdo sektori. Kjo praktikë moniste në demokraci ndryshoi. Doemos pati oshilacione. Kur partia në pushtet filloi  të emëronte në prokurori dhe gjykatë njerëzit e vet, atëhere rinisi prirja për ta përqendruar pushtetin në një dorë. U rrezikua goxha funksionimi normal i demokracisë. Po nuk mund të themi se ishte diktaturë. Rrezik të madh për imazhin e demokracisë solli edhe rendja e liderve për t’u pasuruar. Nisi risia negative ,se kush kishte diçka në dorë, patjetër duhet të merrte ryshfete, shpesh edhe shuma të majme. Kurrupsioni u bë galopant. Ishte dhe është prezent kudo.Duke u pasuruar abuzivisht njëshat e partive, ata i lanë edhe vartësit të lirë  për të ”kënaqur” popullin. Kudo u ngritën pallate, hotele…Sali Berisha si President dhe kryeministër dhe Ilir Meta si kryeministër e President, me që kishin rroga të majme, ndërtuan dy vila luksoze në Lalëz. Rama si kryeminisër më modest ndërtoi shtëpinë e tij në Surrel. Pse duhet të mbesnin pas të tjerët? Oburra kush të zhvasi sa më shumë! Nga tenderat, nga droga, nga doganat, nga gomonet, nga ryshfetet…Ky devijim absurd nga parimet e demokracisë bëri që jo ne po bota të na kushtëzonte Reformën në Drejtësi. Është e vërtetë se demokracia te ne ka pësuar një shkarje ,një devijim, po kurrsesi nuk mund ta themi se po kthehet diktatura.
             Nuk është diktaturë, sepse qeveria aktuale ka dalë fituese dy herë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare, të njohura si të tilla nga bota.( A ka patur vjedhje votash? Të dyja partitë kanë vjedhur si kanë dashur dhe kur kanë dashur. Asnjëherë përqindja nga vjedhjet nuk ka qenë e atillë që mund të ndryshonte rezultatin përfundimtar) .
             Parlamenti funksionon normalisht edhe pse PD bëri gabimin fatal që u largua vullnetarisht me synimin që të rrëzonte Kryeministrin Rama. Absurditeti i tyre arrinte deri aty sa donin t’u diktonin fituesve se kë të vinin kryeministër?!
             Sistemin e drejtësisë nuk e drejton partia në pushtet.  Gjyqtarët dhe prokurorët kaluan përmes procesit të vetingut dhe asnjë nga ata nuk është propozuar nga partitë politike.
              Shtypi është i lirë, madje aq i lirë, sa abuzon duke   botuar edhe hamendësira  dhe jo fakte të vërtetuara gjyqësisht.
               Askujt nuk i është ndaluar liria e fjalës, e protestës paqësore sipas rregullave. Nuk është mohuar e drejta e pronës, e lëvizjes së lirë, e besimit fetar…
               Për të gjitha këto as Nanon, as Berishën, as Ramën nuk mund t’i quajmë diktatorë. Është tjetër gjë se si Berisha dhe Rama janë kërkues llogarie. Janë përpjekur të zbatojnë programin e partive të tyre, sepse  për ato programe populli u ka dhënë votën.
                Këtë realitet nuk duan ta pranojnë partitë kur janë në opozitë. Ato luajnë çdo gur, deri edhe protesta me shashka dhe djegie makinash, për të penguar partinë në pushtet që të realizojë programin e saj. Çirren dhe hakërrehen se nuk ka demokraci, se po ngrihen kundër diktaturës, madje, në mënyrë aspak qytetare që është e turpshme për ne , idhtarët e PS-së kanë thirrur me sa fuqi kanë patur. ” O Sali,o zagar, do të varim në litar!”, apo shpesh në vend të emrit i thonin shpellari. Në këtë garë shpifjesh nuk kanë mbetur më pas demokratët që Ramën e quajnë diktator, perandor, i gjati ( sikur qenka gjë negative të jesh shtatlartë), Ramsi etje, etje. Shpesh duke përdorur fjalë fyese që nuk i përmban as fjalori. Kjo, vetëm e vetëm se duan të pengojnë qeverinë të funksionojë normalisht. Ata harrojnë se fyerjet, sharjet, akuzat e pa vërtetuara, që ata i bëjnë në mes të shesheve, ditën dhe në të ngrysur, tregojnë që në Shqipëri ka demokraci. Po të ishte diktaturë idhtarët gojështhurur të socialistëve dhe ata të demoratëve, përfshi edhe shumë gazetarë, kishin për ta patur vendin në burgje. Familjet e tyre edhe mund të internoheshin. Pse një aktor i Estradës së Tiranës që kishte pirë, i tha shokut të vet disa fjalë jo të mira për fotografinë e shokut Enver që ishte në atë korridor, bëri disa vjet burg. Kryeministri, për të ruajtur shëndetit e popullit, siç po veprojnë kudo kryeministrat, përcakton orare, Aleksandër Gjoka shthurr gojën. Sa keq. Do t’i kujtoja kohën e Enverit. Pse nuk u bë aq trim atëhere? Edhe pse Krryeministri Rama dhe qeveria e tij po përpiqen me sa mundin të shpëtojnë jetë njerëzish, përsëri dalin disa  mosmirënjohës që e akuzojnë atë si shkatarin e falimentimit të tyre?!  Me qëllim e dashkeqësi lënë në harresë COVID-19 që mori dhe po merr kudo në botë aq shumë jetë njerëzish, ka lënë pa punë me miliona njerëz, ka mbyllur uzina e fabrika, dyqane , shkolla, parqe. Sëmundja e mallkuar, import nga Kina, ka paralizuar botën mbarë. Mos vallë për të gjitha këto e paskërkan fajin kryeministrat?! Ka edhe thirrje patetike, madje nga ndonjë gazetar me përvojë, që treshja Berisha, Meta, Rama të largohen nga politika, sepse për 30 vjet ata nuk kanë bërë asgjë të mirë për popullin, po vetëm se i kanë sjell dëm atij?! Të flasësh kështu, do të thotë që botën ta shikosh me syze të zeza 100 përqind. Ne e shikojmë sa shumë ka ndryshuar Shqipëria në këto 30 vjet. Është meritë e popullit, po patjetër edhe e Kryeministrave dhe Presidentëve tanë.
            Është për të ardhur keq që opozita, përfshi dhe Presidentin Meta që ka dalë si opozitar i thekur, po tensionon tej mase popullin, duke frymëzuar anëtarët ose simpatizantët e saj, qofshin edhe njerëz të njohur të artit, për të krijuar lloj lloj lëvizjesh dhe protestash kundër qeverisë dhe reformës. Qëllimin nuk e është aq te teatri. Jo. Ai është sebepi. Nuk ka pse të bëhet aq zhurmë për atë ndërtesë ku prej vitesh nuk jepeshin më shfaqje. Në gjendjen mjerane si ishte , Teatri nuk u shërbente as aktorëve, as artdashësve. Kjo bëhet vetëm e vetëm të fitohet kohë për ta zvarritur reformën në drejtësi. Gjithashtu nuk duan kurrsesi që teatri i ri modern të jetë vepër e PS-së ose e binomit Rama-Veliaj. Teatri është një rast tjetër për të të diskredituar Ramën që partia e tij të mos fitojë zgjedhjet e vitit 2021. Po të ishin si opozita dhe pozita të interesuara vërtetë për demokracinë, së bashku duhet të ngriheshin njëzëri për të hedhur poshtë kompromisin e turpshëm Berisha-Rama të vitit 2008. Për të mbetur lidera të plotpushtetshëm të partive të tyre, ata i mohuan turpërisht popullit të drejtën për të zgjedhur kandidatët për deputetë, për të diskutuar me ta, për t’i njohur kush janë. Pse hesht zoti Budina për atë shkelje flagrante të demokracisë? U vendos të votohet me listë partiake. Kryetarët e partive kishin dhe kanë dorë të lirë të caktojnë deputetë vetëm kokëpërunjurit. Kjo po, është shmangie e qëllimshme nga demokracia dhe rilindje e liderve partiakë absolutë që brenda partive të tyre janë shquar për diktat. Po ama diktat brenda partive, jo si shtet. Shteti funksionon normalisht, ashtu si presim do të funksionojnë gjykatat.  Shpresojmë në të ardhmen edhe Presidenti të jetë vërtetë i pavarur, një personalitet që do të kalojë me sukses vetingun e poilitikanëve dhe jo një lider partie, aq më shumë njeri i akuzuar me fakte për korrupsion!?
               Po e mbyll këtë shkrim duke i kujtuar çdo shqiptari, qoftë intelektual që ,kur mendon se në Shqipëri PS, pjella e PPSH-së, po  vendos diktaturën, përpara se të flasë dhe të akuzojë, le të bëjë krahasimin e dy kohëve, asaj të PPSH-së dhe të qeverisë Rama. Kjo qeveri nuk ka burgosur asnjë kundërshtar politik, nuk ka vrarë asnjeri në demonstratat me shashka dhe djegie makinash, nuk  ka ardhur në pushtet me tanket e Gardës së Republikës, duke pushtuar edhe ndërtesën e Radio-Televizionit Shqiptar po thjesht nga vota e popullit. Vullnetin e popullit, sovranit, të gjithë duhet ta respektojmë. Ka ardhur koha që partitë opozitare të heqin dorë nga praktika komuniste e marrjes së pushtetit përmes dhunës. U provua një herë kur u dëbua zoti Fatos Nano. Orvatja dështoi, se erdhi urgjentisht në Tiranë Medlin Ollbrait, sekretarja e shtetit e SHBA-së  që bashkë me Dan Evertsin, si përfaqësues i EU-së, i futën Berishës të dy këmbët në një kepucë dhe ai u struk te selia e PD-së . Tankun që bënte roje para selisë e ktheu të nesërmen në gardë. Kjo se bota demokratike njeh vetëm qeveritë e dala nga zgjedhjet e lira.Ka edhe më. Më kujtohet mirë se ish Kryetari i Kuvendit Popullor, sa socialist po aq demokrat i thekur më vonë, gjatë pushimit të një seance, më tha,” Ne jemi opozitë dhe do të kundërshtojmë çdo gjë!”Kjo është e papranueshme ashtu si edhe isteria aktuale për të minuar me çdo kusht qeverinë që të zbatojë programin e saj. Kjo nuk do të thotë që opozita të heshti. Jo. Ka shumë fusha për të kritikuar , sidomos kur qeveria nuk  zbaton premtimet e saj. Vetëm nga kritikat e bazuara në fakte dhe idetë e reja të  programit perspektiv të saj për qeverisje, ajo mund të bindi popullin që në zgjedhjet e pritshme të votojë për të. Secilës nga dy partitë  blu dhe rozë, kur nuk është në pushtet, diskutimet në Kuvend i duken sikur ata po rrahin ujë në havan, se qeveria patjetër duhet të veprojë si mendojnë ata…Çuditen pse nuk e dëgjon pozita zërin e tyre, etje, etje.!? E quajnë qeveri diktatoriale dhe kryeministrin shkaktarin e të gjitha të zezave të Shqipërisë…Nuk e kanë kuptuar akoma që vendimarrja dhe qeverisja nuk i takon partisë që ka humbur zgjedhjet, por vetëm fituesit. Edhe ti kur të jesh në pushtet ke për të zbatuar programin  tënd dhe jo kërkesat e opozitës, që në Shqipëri arrijnë deri në absurd. Kapakun e këtij absurdi e shikojmë qartazi edhe keto ditë që politikanët tanë mjeranë, do të thosha me bindje, nuk janë në gjendje të bëjnë një  reformë zgjedhore normale, të paktën ashtu siç e kishim para se Berisha-Rama të ndryshonin kushtetutën, po duhet me hosten ti shtyjë zonja Juri Kim, së cilës populli që pret me ankth demokracinë e vërtetë, duhet dhe do t’i jetë shumë mirënjohës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: