Kronika

Investigimi i Top Story për trafikimin e qenieve njerëzore/ Pezullohen nga puna zyrtarët e lartë të policisë

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Policisë së Shtetit ndaj skandaleve që u publikuan në emisionin Top Story mbi trafikun e arabëve në Shqipëri.
Burime nga brenda policisë bënë të ditur se sot është marrë masë me pezullim nga detyra për të gjithë zyrtarët e Policisë Kufitare. Të pezulluarit janë: Enekeleda Toska, drejtoreshë e kufirit dhe emigracionit, Tiranë.  Altin Hasani, Shefi i sektorit Besnik Zela, Shefi i sektorit, Albana Metko, Shefe e Seksionit, Adelina Lita, Specialiste.

Të martën në mbrëmje Top Story denoncoi me fakte se si këta zyrtarë të policisë dhe familjarë të tyre ishin bërë pjesë e rrjetit të paligjshëm të trafikut me arabët.

INVESTIGIMI I ‘TOP STORY’

Emisioni investigativ Top Story në Top Channel ka publikuar fakte për lidhjet mes zyrtare të policisë me një rrjet të organizuar të trafikut ndërkombëtar të qenieve njerëzore. I përfshirë në këtë rrjet rezulton shtetasi Sami hoxha, bashkëshortja e të cilit Enkelejda Toska është drejtoreshë në “Drejtorinë Raionale të Kufirit dhe Migracionit, detyrë që e mban nga Shkurti i vitit 2018.

Emri i Sami Hoxhës dhe përfshirja e tij në trafik doli gjatë investigimit të emisionit dhe ku emigranti Salem Shehabeldin, tregoi se Samiu i kishte propozuar të bashkëpunojë për të sjellë shtetas nga vendet arabe për t’i çuar në Itali ose Rumani.

Sami hoxha dikur aksioner në kompani të vogla, ka si biznes të vetin kompaninë “FRENKI” ku i ndan aksionet me Shtetasin Arab me emrin Adel Thabi. Një kompani që shumë herë i janë bllokuar aksionet me vendim gjykatë për mos shlyerje detyrimi. Kompania tjetër që zotëron Sami Hoxha quhet “Global Fjuçër Uon”dhe është hapur në vitin 2019.

Ndër të tjera, objekti i saj i veprimit lidhet direkt me emigrantët, pasi  ndihmon në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për pajisjen me vizë, leje qëndrimi si dhe ndjek ecurinë e këtij dokumentacioni deri në përfundim.

Shërbime në zyrën e punës, emigracionit, institucioneve të ndryshme shtetërore në bazë të marrëveshjeve me bizneset e individë të veçantë. Ashtu siç shihet Sami Hoxha ka ngritur një biznes që ka për objekt shërbimet e emigracionit, atje ku gruaja e vet është drejtoreshë. Ndërkohe shtetasit arabë që kanë bashkëpunuar me emisionin kanë pohuar se e njihnin bashkëshorten e tij kur panë foton e saj, pasi e kishin parë në zyrën e Samiut.

Gjatë investigimit del në pah se emigrantët që nuk rinovojnë dot lejet e qëndrimit i drejtohen zyrës së Samiut për të mbaruar punë. Një nga emigrantet i thotë në telefon Samiut se ka për të sjellë në Shqipëri disa Egjiptianë të tjerë. Samiu pranon dhe lë një takim. Zyra e Sami Hoxhës ndodhet në rrugën Abdulla Keta, përballë me shkollën Servete Maçi në Tiranë. Ajo nuk ka asnjë logo dhe asnjë tabelë treguese nga jashtë. Nga biseda që zhvillohet në zyrën e Samiut ai pranon të sjellë një familje nga Egjipti në Tiranë me qëllim kalimin më pas drejt Italisë, për 13 mijë euro, ku ai do fitonte 10 000, ndërsa ndërmjetësuesi emigrant 3 000.

Në këmbim, Samiu do tu dërgojë atyre një ftesë, do ju hap një kompani fantazmë, do t’u marrë lejen e punës dhe në fund lejen e qëndrimit tek gruaja e vet. Kjo është një metodë mjaft e zgjuar që bën hile me procedurat ligjore, pasi në vetvete kompania që do hapi Samiu është totalisht brenda ligjeve.

Por qëllimi pse po hapet nuk është për investim në Shqipëri, por për emigracion të paligjshëm. Sipas drejtorit të policisë kufitare Pëllumb Nako, këta njerëz që garantojnë nxjerrjen e dokumenteve të emigracionit në formë legale duke anashkaluar, ose mashtruar  Shërbimin Informativ Kombëtar, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme.

Në rastin konkret të 3 këto institucione janë mashtruar dhe janë nxjerrë jashtë loje duke organizuar nën hundën e tyre një trafik ilegal.

Njoftimi i SHÇBA 

SHÇBA ndalon drejtues e punonjës të Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit të Tiranës, si të implikuar në trafikim dhe dhënie ndihme për kalim kufiri të shtetasve të huaj

Drejtoria e Standardeve në Policinë e Shtetit i pezulloi nga detyra zinxhirin drejtues në DRKM Tiranë

Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbështetur në informacionet, por edhe në vlerësim të pamjeve të transmetuara në media, në lidhje me trafikimin klandestin të qënieve njerëzore, pas hetimeve të kryera për fenomene abuzive nga punonjës policie të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Tiranë, kryesisht në zbatimin e procedurave për lëshimin e lejeve të qëndrimit ndaj shtetasve të huaj, nga Lindja e Mesme, që hyjnë në Shqipëri, kreu ndalimin e punonjësve të policisë:

– E.T., me detyrë Drejtore e Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit, Tiranë;

– B.Z., me detyrë Shefi i Sektorit në DRKM, Tiranë;

– A.H., me detyrën e Shefit të Seksionit në DRKM, Tiranë;

– A.M., specialiste në DRKM, Tiranë.

Ndalimi u krye pasi dyshohet se ata në bashkëpunim me shtetas të ndryshëm, që përfaqësojnë firma e kompani në fushën e turizmit, kanë keqpërdor atributet dhe kompetencat ligjore që u jep funksioni organik, duke shkelur detyrimet ligjore për pajisjen e shtetasve të huaj me leje qëndrimi.

Dyshohet se ata kanë favorizuar apo ndihmuar në realizimin e trafikut ndërkombëtar të qënieve njerëzore, nëpërmjet Shqipërisë.

Është e dokumentuar se kjo veprimtari e kundraligjshme është kryer për një kohë të gjatë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë kundrejt shpërblimeve financiare të konsiderueshme.

Gjithashtu, në këtë veprimtari antiligjore, përfaqësues të firmave e kompanive të ndryshme përpilonin dokumente zyrtare të falsifikuara, të cilat konsistojnë në krijimin e kompanive fiktive, kontratave fiktive të punës, adresave të rreme, enkas për të plotësuar detyrimet sipas ligjit për të përfituar leje qëndrimi në Shqiperi.

Ndalimi u bë për veprat penale të “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet vijojnë deri në dokumentimin e plotë të veprave penale të konsumuara nga këta punonjës policie.

SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo shkelje apo abuzim me detyrën të punonjësve të Policisë, në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë.

…..
Nē këtë kuadër, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, në datë 27 maj 2020, nisi hetimin disiplinor për “Shkelje të rënda të atributeve e kompetencave të Policisë”, ndaj 4 punonjësve të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, të ndaluar nga SHÇBA, si dhe punonjësen A.L., specialiste e Migracionit në DRKM Tiranë.

Mbi bazën e hetimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të 5 punonjësve të Policisë për shkelje të rëndë disiplinore të atributeve dhe kompetencave të policisë, pasi nuk kanë zbatuar procedurat standarde dhe ligjit për të huajt, në plotësimin e praktikave të aplikimit për leje qëndrimi të shtetasve të huaj.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të ndëshkojë dhe të largojë nga radhët e saj, cilindo që abuzon me detyrën kundër ligjit dhe në dëm të interesit qytetar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button