Ekonomia

Vitin e ardhshëm nis “Skavica”: Investimi 510 milionë euro financim nga shteti

Kryeministri Rama ka prezantuar dje projektin e hidrocentralit të Skavicës, i cili do të ndërtohet nga vetë shteti. Fuqia e instaluar e tij do të jetë 210 MW.

“Në një hark të shkurtër i rikthemi një tjetër projekti madhor. Bëhet fjalë për një ëndërr në sirtar. Që në vitin 1963 është skicuar plani. Skavica mbeti thjesht një plan i parealizuar. U bë një përpjekje në 2005, por rezultoi një flluskë sapuni. Në 2008 hapi një tender qeveria e mëparshme ku morën pjesë 6 kompani të huaja, në 2009 duhej shpallur fituesi por nuk u bë. Ne e kthyem Skavicën në tavolinë dhe në vitin 2017 në samitin e Triestes u miratua si një ndër projektet prioritet të procesit të Berlinit. Ne u pozicionuam për të ndjekur me përparësi këtë rrugë duke garantuar jo thjesht financimin, por edhe cilësinë e tij. Projekti u pranua dhe ne kemi një pamje te detajuar nga një kompani me një biografi të njohur botërisht, kompania Franceze. Më vjen shumë mirë që kjo qeveri do të nisë punën pas 40 vitesh për një hidrocentral të madh. Kemi vendosur këtë vepër të madhe ta financojmë nga burimet e shtetit. Shumë vite më parë një inxhinier i njohur më patë thënë që kaskada e Drinit pa Skavicën është si një tufë delesh pa bariun,” tha Rama.

Ai shtoi se ky projekt do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në aspektin ekonomik. “Natyrisht që të jemi të qartë Skavica nuk do ta bëjë Shqipërinë një superfuqi. Këto janë gjëra që ne nuk i arrimë dot, pasi ne nuk jemi të dytët pas Gjermanisë. Brenda vitit shpresoj të kemi kantierin ne kemi të gjitha arsyet për të qenë shumë optimist për vitin e ardhshëm. ”

Janë dy variante projekti, njëri me vlerë 308 mln dhe tjetri me 510 mln euro. Projekti do iniciohet dhe ndërtohet nga KESH.

Sipas KESH, Hidrocentrali i Skavicës kompleton Kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike (kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore) dhe duke e kthyer eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi hapin e parë për nisjen e procedurave për ndërtimin e HEC Skavicës, si një ëndërr shumëvjeçare e hedhur si ide që në vitet ’60-të, e risjellë në vëmendje herë pas here, por pa arritur asnjëherë finalizimin e projektit të saj. Sot, tha ministrja, Qeveria shqiptare ka në duar një studim konkret të këtij projekti, i cili ofron disa skenarë për ndërtimin e kësaj vepre.

Balluku u ndal tek ndikimi që do të ketë ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës, duke nisur me optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë së Shkodrës dhe fushës së Lezhës, rritjen e sigurisë dhe eficiencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës, por mbi të gjitha hedhjen e një tjetër hapi, drejt përmbushjes së kërkesës energjitike vendase dhe sigurisë së saj.

“Skavica ofron optimizimin e kësaj kaskade, duke bërë që 3 hidrocentralet e tjera të optimizojnë prodhimin e tyre, duke e rritur minimalisht deri në 80 GWh”, ka thënë ministrja Balluku.

Ndërtimi i HEC Skavica do të ofrojë një zgjidhje për përmbytjet në rrjedhën e poshtme të kaskadës. Projekti i propozuar do të mundësojë “magazinimin” e një pjese të ujit në rast të krijimit të plotave në Drinin e Zi, duke zvogëluar në këtë mënyrë efektet negative në rrjedhën e poshtme të kaskadës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kjo vepër do të realizohet me fondet e Qeverisë Shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët e saj financiarë dhe synohet, që brenda këtij viti të hapet gara ndërkombëtare për realizmin e kësaj vepre, në formatin projektim i detajuar dhe ndërtim.

“Është e rëndësishme të theksohet, që sot nis ky proces me synimin, që brenda këtij viti ne të realizojmë një garë të hapur, transparente dhe ndërkombëtare, ashtu siç qeveria shqiptare bën, brenda muajit tetor, për të arritur në një instrument të rëndësishëm të kësaj gare, përmes dizenjimit të projektit të detajuar dhe të ndërtimit të veprës. Kjo është një vepër, e cila do të ndërtohet me fonde të Qeverisë Shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët tanë financiarë, po përmend BERZH-in, i cili është ofruar për t’a financuar këtë projekt, duke qenë se dhe bashkëpunimi me WBIF, financuese e studimit të fizibilitetit, është një paketë, që ata zakonisht operojnë së bashku”, theksoi ministrja Balluku.

Megjithatë, sipas ministres, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të jetë vetëm një lajm i mirë për sistemin energjetik shqiptar, por do të jetë një lajm i mrekullueshëm për të gjithë ekonominë shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button