Home / Bota / Duke u përballur me vështirësi elektorale, Trump sjell përsëri ekipin e tij të vitit 2016

Duke u përballur me vështirësi elektorale, Trump sjell përsëri ekipin e tij të vitit 2016

Ai riciklon shprehjet e vjetra të sulmeve që dikur kishin si objektiv Hillary Clinton. Ai ritregon dramën e natës së zgjedhjeve, të plotë duke imituar fytyrat e folësve të lajmeve të hutuar që vendosnin shtet pas shteti (Pensilvania! Uiskonsin!) në kolonën e republikanëve.

Herë të tjera, në telefonatat private nga rezidenca e Shtëpisë së Bardhë, ai risjell atmosferën miqësore të atyre ditëve, duke u bërë nostalgjik ndërsa kujton se ishte i rrethuar nga një ekip i stafit të fushatës, ndërsa avioni i tij privat fluturonte nga një qytet në tjetrin.

Tani, Trump po e rikthen sërish grupin e tij të fushatës.

Ditët e fundit presidenti ka nënshkruar kontrata punësimi për një numër të ndihmësave të tij të vjetër të vitit 2016 për fushatën 2020, një rikthim i besnikëve së bashku me anëtarë të tjerë të ekipit të tij origjinal. I njohur si drejtues që kërkon njerëz besnikë dhe beson tek pak vetë, Trump po mundohet të rikrijojë magjinë e ekipit të tij origjinal, pesë muaj para se të përballet përsëri me votuesit.

Por viti 2020 nuk është 2016. Këshilltarët e Trump janë gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen e fushatës pasi presidenti përballet me kriza të shumta, që nga rreziku i krizës shëndetësore dhe ekonomike shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, e deri tek protestat masive që kanë përfshirë të gjithë vendin.

“Është fantastike që grupi i vitit 2016 të kthehet përsëri, por faktet janë fakte. Ai mezi fitoi dhe nuk ka bërë asgjë për të zgjeruar bazën e mbështetjes së tij,” tha Sam Nunberg, i cili e këshilloi Trumpin herët në fushatën e tij të parë.

“Ai nuk mund të fitojë me nostalgji. Nuk është e njëjta garë. Nuk ka të bëjë me parulla ose sloganë. Ka të bëjë me atë që ke bërë për mua dhe pse unë duhet të të rizgjedh ty bazuar në rekordin tënd”, thaotë Nunberg , një këshilltar jozyrtar që nuk do të ribashkohet sërisht në fushatë. “Nuk mund të luftojë vetëm betejën e fundit. Është koha për t’u përshtatur ose për të vdekur.”

Përforcimet po vijnë ndërsa Trump po pajtohet me idenë se nuk mund të drejtojë llojin e fushatës që kishte planifikuar për vite – një që dukej e realizueshme deri në janar, sipas tre zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë që folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht bisedat private.

Trump kishte pritur të kandidonte duke patur një ekonomi të fortë, para se pandemia ta shkatërronte atë. Ai kishte shpresuar të gjallëronte një numër të akuzave të njohura për “minimin e presidencës së tij” ndërsa mendonte se do të përballej me një demokrat nga krahu liberal i partisë, të cilin mund të përpiqej ta portretizonte si socialist. Ai nuk e priste të përballej me Joe Biden, të krahut më të moderuar.

Megjithëse në dukje i sigurt, Trump u ka thënë këshilltarëve privatë se nuk mund të besonte sondazhet që tregojnë se ai është pas, dhe sipas zyrtarëve, i ka shprehur zemërim menaxherit të fushatës Brad Parscale mbi gjendjen e garës.

Fushata, e cila ka një infrastrukturë dhe staf shumë më të madh sesa katër vite më parë, minimizojë idenë se kthimi i anëtarëve veteranë të 2016-ës ishte ndikuar nga gjendja e garës ose pasqyronte një mungesë besimi tek zoti Parscale.

“Për mbi tre vjet tani, Brad po ndërton fushatën më të madhe dhe më të mirë politike në histori,” tha Tim Murtagh, drejtori i komunikimit të fushatës. “Zgjerimi i fundit i stafit po e bëjnë Ekipin Trump edhe më të fortë dhe po forcon udhëheqjen e Brad Parscale”.

Javën e kaluar, fushata Trump punësoi Jason Miller, drejtor i komunikimit në vitin 2016, për tu përqëndruar në strategjinë dhe koordinimin midis fushatës dhe Shtëpisë së Bardhë. Miller ka bashkë-organizuar një podcast pro-Trump me ish-shefin ekzekutiv të fushatës së presidentit, Steve Bannon.

Boris Epshteyn, i cili pas vitit 2016 u bë komentator i rrjetit konservator Sinclair Broadcast, u kthye të shërbejë një këshilltar strategjik për koalicionet. Bill Stepien, një këshilltar i lartë në vitin 2016, kohët e fundit u promovua në postin e zëvendës menaxherit të fushatës. Justin Clark, një tjetër këshilltar i vjetër, ka udhëhequr përpjekjet ligjore të fushatës Trump.

Fytyra të njohura janë rikthyer gjithashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Hope Hicks ishte zëdhënëse e fushatës së Trumpit në vitin 2016 përpara se të bëhej një nga ndihmësit e tij më të besuara në Shtëpinë e Bardhë. Ajo u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2018 vetëm për t’u rikthyer dy vjet më vonë dhe ishte një nga ideatoret prapa fotove të debatueshme të presidentit me një Bibël pasi ai përshkoi Sheshin Lafayette javën e kaluar për të shkuar në një kishë aty pranë, sapo zona u pastrua nga protestuesit.

Johnny McEntee, i cili shërbeu si ndihmës personal i zotit Trump para se të pushohej nga shefi i atëhershëm i personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly në vitin 2018, u kthye në janar dhe është përqendruar në punësimin e besnikëve në administratë.

Disa nga ekipi i Trump 2016 nuk u larguan kurrë. Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza e presidentit dhe dhëndri i presidentit, janë këshilltarë të vjetër.

Kellyanne Conway, menaxherja e fundit e presidentit për fushatën e vitit 2016, mbetet një këshilltare e lartë e Shtëpisë së Bardhë. Dan Scavino drejton median sociale të presidentit. Dy djemtë e presidentit, Donald Jr. dhe Eric Trump, dhe gruaja e Eric, Lara, mbeten përfaqësues të njohur të fushatës.

Por disa anëtarë të grupit të vjetër nuk janë rikthyer ende. Aty përfshihet Bannon, i cili mbetet mbështetës i Trumpit edhe pas një dalje të sikletshme nga Shtëpia e Bardhë, dhe Keith Schiller, i besuari i presidentit Trump për sigurinë. Gjithashtu nuk janë të përfshirë ata veteranë të vitit 2016 që kanë hyrë në telashe juridike, përfshirë Paul Manafort, Rick Gates, Roger Stone dhe Michael Flynn. /VOA/

Leave a Reply

%d bloggers like this: