Kronika

KQZ konfirmon në detyrë kryebashkiakun e Matit dhe të Librazhdit: Nuk preken nga ligji i dekriminalizimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi rezultatin e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin Kryetarin e Bashkisë Mat, qarku Dibër, Agron Malaj në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Pas shqyrtimit, KQZ vendosi konstatimin se kryebashkiaku Agron Rufat Malaj, nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar nga ligji për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike.

Partia Demokratike, 4 muaj më parë kërkoi heqjen e mandatit për kryebashkiakun e Matit Agron Malaj, me pretendimin se ai ka qenë i dënuar dhe sipas ligjit të dekriminalizimit nuk mund të ushtrojë këtë detyrë. Po KQZ me vendimin e marrë sot hodhi poshtë këtë pretendimin dhe sikurse u shpreh edhe përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, “në 2019 dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe KQZ vendosi njoftimin për vijimin e procedurave se nuk ndodhet në kushtet e ndalimit”.

Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi rezultatin e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për Kryetarin e Bashkisë Librazhd, Kastriot Hasan Gurra, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

KQZ vendosi se kryebashkiaku Kastriot Gurra, nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar nga ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike.

Lidhur me çështjen e kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra, prokuroria ka bërë të ditur se “nuk ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale”.

Vendimi për Agron Malaj/PD: Kallëzim penal për 5 anëtarët e KQZ-së

PD reagoi lidhur me vendim e KQZ-së për kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj duke theksuar se ai “u mor në mbrojtje nga kryeministri duke dalë mbi ligjin e dekriminalizimit”.

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata tha se ”sot shqiptarët duhet të kishin një kryebashkiak më pak të lidhur me krimin, por Edi Rama vendosi ndryshe me KQZ-në e tij në largim”.

“Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kishte vendosur për mbarimin e menjëhershëm të mandatit të tij, por iu nënshtrua urdhrave politikë, duke shpërdoruar detyrën dhe besimin e qytetarëve. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht 5 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpërdorim të detyrës dhe do të ankimojë në gjykatë vendimin e paligjshëm të KQZ-së”, tha Gjata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button