Opinion

Si “vdesin” revolucionet Kulturore

Ato hanë veten e tyre, përveç rastit kur ngrihet një diktator mizor, që e bashkon dhe e vë nën kontrollin e tij turmën. Ngjashëm me puçet ushtarake apo revolucionet politike, revolucionet kulturore nuk ndryshojnë vetëm qeveritë ose udhëheqësit. Përkundrazi, ato përpiqen të ri-formatojnë të gjithë shoqërinë.

Drejtuesit e tyre i quajnë ato “gjithëpërfshirëse” dhe “sistematike”. Revolucionarët kulturorë, sulmojnë vetë referencat bazike të jetës sonë të përditshme. Për shembull, i ashtuquajturi “Mbretërim i Terrorit” të Jakobinëve gjatë Revolucionit Francez, masakroi klerin e krishterë, riemërtoi muajt e vitit, dhe krijoi një qenie të re supreme në vend të Zotit: Arsyen.

Mao u ngrit kundër dekadencës së supozuar perëndimore të një pjese të shtresës intelektuale, duke përmendur në mënyrë absurde shenja si mbajtja e syzeve, teksa i detyroi fshatarët të farkëtonin hekurin në tenxheret e kuzhinës, dhe intelektualët të mbanin në kokë kapele qesharake.

Ndërkohë “Libri i Gjelbër” i Muamar Kadafit zhduku të gjitha violinat në vend, dhe i detyroi libianët të rritnin pula në apartamentet e tyre në qytet. Revolucioni aktual i “Black Lives Matter” në SHBA, ka “anuluar” disa filma, shfaqje televizive dhe karikatura, ka rrëzuar përmendore, është përpjekur të krijojë zona të reja autonome urbane, dhe ka ndryshuar emrat e disa rrugëve dhe shesheve.

Disa fanatikë të kësaj lëvizjeje e kanë rruar kokën e tyre. Të tjerët, mendojnë se i kanë poshtëruar autoritetet, duke u larë këmbët revolucionarëve të tjerë. Por revolucionet e pashmangshme kulturore vdesin kur ato shndërrohen në kanibalizëm.

Kur Garda e Kuqe në Kinë nisi të vriste aparatçikët komunistë shumë pranë Maos, roli i saj nisi të bjerë. Nëse kërkohet rrëzimi i statujave të Konfederatës, atëherë çfarë duhet thënë për babin e kryetares aktuale të Kongresit Amerikan Nensi Pelozi, që dikur si kryetar i Bashkisë së Baltimorës, i kushtoi një përmendore nderi gjeneralëve të Konfereratës?

Nëse racistët në mënyrë të kuptueshme nuk e meritojnë që emrat e tyre të vazhdojnë të qëndrojnë në shumë nga institucionet publike, aëherë çfarë duhet të bëjmë me programin  famshëm të të diplomuarve në Princeton, Shkollën Udrou Uilson për Punë Publike dhe Ndërkombëtare?

Ajo mban emrin e një president, që bëri më shumë për thellimin e mëtejshëm të ndarjeve dhe paragjykime racore, sesa çdo president tjetër gjatë shekullit XX. Edhe Universitetet e Stenfordit dhe Jeilit, mbajnë në fakultete të ndryshme emrat e disa personazheve që sot protestuesit i konsiderojnë racistë.

Kur nis një revolucion kulturor, nuk mund të ketë kontekstualizim të së kaluarës, asnjë tolerancë ndaj dobësisë njerëzore, dhe asnjë konsideratë për peshimin e gjerave të mira përkundrejt atyre të këqija. “Arkitektët” e trazirave kulturore, bëjnë gjithnjë 2 përllogaritje të gabuara.

Së pari, ata supozojnë se shkatërrimi i gjërave nuk do të zbatohet kurrë për veten e tyre, duke pasur parasysh mbrojtjen me zë të lartë prej tyre të virtytit. Se dyti, nëse do të tregohen me gisht nga turma, ata supozojnë se mund ta përdorin disi ndikimin e tyre për t’u përjashtuar nga ndëshkimi.

Me fjalë të tjera, pasi revolucionet kulturore të shndërrohen në anarki dhe të hanë veten e tyre, ato e humbasin mbështetjen. Kur simpatizantët e qetë arrijnë në përfundimin se në fund mund të shënjestrohen edhe ata vetë, për të mbijetuar e kthejnë sërish kokën nga idhujt e tyre të mëparshëm.

Dhe këtë gjë po e shohim që tani. Vëzhguesit liberalë të trazirave po pyesin tani nëse zjarr-vëniet dhe plaçkitjet në qendër të qyteteve, do të zhvendosen edhe në periferi për të mbërritur deri tek shtëpitë e tyre. A dëshirojnë ata vërtet riemërtimin apo heqjen e monumenteve të Xhorxh Uashingtonit apo Tomas Xhefersonit?

Çfarë ndodh kur policia merr vazhdimisht sinjalizime për dhunë? Kur një kryebashkiak liberal apo shef policie me ngjyrë, apo një guvernator progresiv apo i majtë i bardhë që del nga linja partiake vendoset në shënjestër të turmës, atëherë kush është realisht i sigurt?

Përgjigjja? Asnjë. Dhe në këtë mënyrë revolucioni kulturor fillon e bëhet i parëndësishëm. Ajo që e minoi Lëvizjen #MeToo, ishte numri i lartë i atyre që u akuzuan në mesin e elitës së Hollivudit dhe kulturës. Befas, kur karriera e tyre u shkatërrua, të famshmit progresivë filluan që të kërkojnë prova për akuzat, dhe këmbëngulën për pafajësinë e tyre.

Ajo që i platit këto kryengritje kulturore, është se revolucionari i sotëm mund të denoncohet si i shituri i nesërm. Asnjë udhëheqës nuk dëshiron të ketë fatin e Maksimilian Robespierit pikërisht në gijotinën që ai e përdori me aq shumë zell kundër armiqve të revolucionit.

Por ndërkohë edhe përjashtime. Ndonjëherë revolucionet kulturore nuk vdesin, nëse ato përvetësohen nga një hajdut apo vrasës. Lëvizja Kombëtare Socialiste ishte një turmë e parëndësishme nihiliste të marrësh, derisa Adolf Hitleri e shndërroi atë në kultin e tij gjenocidist personal.

Një Stalin vrastar, ringjalli absurditetet e bolshevizmit të dështuar të Leninit. Edhe çmenduria aktuale do të zbehet si një virus, pasi ha veten dhe tmerron simpatizantët e tij se mund ta kenë ata radhën, përveç rastit kur një Napoleon i mirëfilltë e shndërron turmën në kultin e tij personal.

Edhe diçka e fundit:Revolucionet kulturore jo vetëm që në fund “vdesin” pa diktatorët mizorë, por ato mund të shkaktojnë hedhjen e shumë hapave pas. Ronald Regani ishte përgjigjja për radikalizmin e viteve 1960. Revolucionarët tani po mbjellin erën, por ata nuk e dinë se shumë shpejt mund të korrin furtunën. / National Review /

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button