Kosova

Krime lufte/ Prokuroria e Hagës ngre aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi sot se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara; shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Aktakuzat i janë dërguat gjykatës speciale për t’u shqyrtuar.

Sipas njoftimit të zyrës së prokurorit, aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e prokurorit të specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat, thuhet në njoftim.

Prokurori i Specializuar shton me tej se e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të zotit Thaçi dhe Veseli për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës së Posaçme. Sipas kësaj gjykate, besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’iu shmangur drejtësisë.

E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, zyra e presidentit të Kosovës, tha se nuk komenton njoftimin e zyrës së prokurorit. Presidenti Thaçi, thanë në zyrën e tij, tashmë është rrugës për në Shtetet e Bashkuara ku do të shtunën në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet një raund bisedimesh Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga i dërguari amerikan Richard Grenell.

Më 28 prill të këtij vitit Prokuroria e Posaçme, tha se tashmë kryetarja e Dhomave të Specializuara, emër më të cilin njihet Gjykata e Posaçme, ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake që do të shqyrtojë një aktakuzë të prokurorisë.

Në njoftimin e asaj dite u tha se “përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”.

Me 24 shkurt të këtij viti Prokuroria e Posaçme paralajmëroi fillimin e ngritjes së akuzave.

Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Në korrik të vitit 2019 në prokurorinë e posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme./VOA/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button