Ekonomia

Bankers Petroleum drejt rikthimit në normalitet, rivë në punë 95% të puseve

Kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, Bankers Petroleum Albania njofton se po i rikthehet aktivitetit të saj normal të biznesit duke rifilluar dita ditës prodhimin e naftës së papërpunuar pasi u ndikua negativisht nga fillimi i pandemisë Covid-19.

Megjithëse Bankers u detyrua të pezullojë të gjitha operacionet e naftës në fushën e naftës për gati një muaj, nga prilli deri në maj, aktualisht pothuajse 95% e puseve në fushën Patos-Marinza janë rivënë në punë dhe kanë rifilluar operacionet e prodhimit të naftës papërpunuar.

Sipas të dhënave të kompanisë, prodhimi mesatar ditor është aktualisht rreth 2050 tonë, duke iu afruar dita ditës niveleve të prodhimit përpara fillimit të pandemisë.

“Ne planifikojmë të shënojmë një nivel të përgjithshëm të prodhimit prej rreth 60 mijë ton naftë bruto brenda këtij muaji, e gjithë kjo falë rezultateve pozitive që ne kemi shënuar si pasojë e mirë-menaxhimit të fushës Patos-Marinzës”, thotë zv.Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, z.Luntao Chen.

E gjithë kjo sasi nafte do të shitet në eksport dhe tregun e brendshëm, tek rafineritë lokale.

Gjatë muajit qershor, kompania do të realizojë dy ngarkesa eksporti, me një sasi totale prej rreth 40,000 ton.

Ndërkohë në tregun e brendshëm, Bankers i ka shitur rafinerisë së Fierit rreth 9 mijë ton në muajin maj, dhe planifikon që në muajin qershor të shesë një total prej 10 mijë ton për këtë rafineri, proces që po vijon aktualisht.

Drejtuesit e Bankers synojnë të jenë më agresiv në muajin korrik, kur planifikohet që prodhimi i naftës të tejkalojë 63,000 ton, me qëllimin për ta shitur sa më shumë të jetë e mundur në rafineritë vendase.

Mbyllja nga Covid-19

Në prill, pas situatës së vështirë të krijuar nga Covid-19 në mbarë globin, që uli kërkesën për naftë dhe i çoi çmimet e saj në nivele negative, Bankers Petroleum, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe është eksportuesi më madh në vend, si dhe një ndër sipërmarrjet kryesore në vend, sa i përket të ardhurave, vendoi të ndërpresë aktivitetin.

Kjo ishte ndërprerja e parë e prodhimit në histori, që nga viti 1957, kur ka filluar nxjerrja e naftës në atë zonë. Madje as në 1997-n, prodhimi nuk u ndërpre.

Në vitin 2018, kompania kishte rreth 28 miliardë lekë të ardhura, me rritje vjetore 18%, duke u renditur e pesta më e madhe në vend, pas Kastrati, OSHEE, BKT dhe Spiecapag.

Bankers Petroleum është prodhuesi më i madh i naftës në vend. Në vitin 2019 kompania nxori 88% të totalit të arit të zi nga nëntoka e vendit, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN). Më pas renditet kompania shtetërore, Albpetrol, me 8% të totalit.

Në 2019-n, prodhimi total i naftës arriti në rreth 1 milion ton, me rritje prej 10% në raport me vitin e mëparshëm, sipas AKBN.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button