MaqedoniaRajoni

BDI prezanton kandidatin e parë shqiptar për kryeministër të Maqedonisë së Veriut

Në një tubim të mbajtur në Prespë, BDI ka prezantuar Naser Ziberin për kandidat të kësaj partie politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një tubim të mbajtur në Prespë ka prezantuar Naser Ziberin për kandidat të kësaj partie politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që është kandidati i parë shqiptar për kryeministër në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë caktuar për më 15 korrik, ndërsa sot zyrtarisht ka filluar fushata parazgjedhore.

Në mënyrë simbolike, tubimi u mbajt në vendin ku u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, në anën e Maqedonisë së Veriut, marrëveshje me të cilën u zgjidh çështja e emrin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe u mundësua anëtarësimi i vendit në NATO dhe debllokimi i procesit për integrim në BE.

Gjatë tubimit i cili u transmetua drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, duke shpalosur emrin e kandidatit, tha se “tani po hapim një kapitull të ri”.

“Ne kemi dalë me idenë që ky vend mund të drejtohet dhe të menaxhohet shumë mirë edhe nga një shqiptar. Ne nuk kemi kërkuar as ta përvetësojmë, as ta partizojmë dhe ideja ka dalë tash e 11 vite”, u shpreh Ahmeti.

Ndërkohë, kandidati për kryeministër, Naser Ziberi, gjatë fjalimit të tij u shpreh se është i nderuar me propozimin e BDI-së, duke shtuar se përmes kësaj ideje edhe më tepër do të faktorizohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Thash po sepse besoj në idenë e kryeministrit të parë shqiptar dhe gjithashtu jam i bindur se këtë detyrë do ta kthejmë në një shërbim për të gjithë qytetarët, në rend të parë ato shqiptar, por edhe komunitetet tjera, pa dallim kombi, feje, përkatësie politike apo sociale”, tha ai.

Naser Ziberi më herët është zgjedhur deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), edhe atë në zgjedhjet e viteve 1990, 1994 dhe 1998.

Ai gjithashtu ka shërbyer si zv/kryeministër dhe ministër i Punës dhe Politikës Sociale në vitet 1996-1998.

Përpos BDI-së, kandidat për kryeministër në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut tradicionalisht kanë edhe partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button