Home / Kryeartikull / Haga mund të prodhojë tërmet politik në Kosovë

Haga mund të prodhojë tërmet politik në Kosovë

Nga Mero Baze

Njoftimi i prokurorit special në Hagë, nuk ka hedhur në erë vetëm inciativën amerikane për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por do të ketë pasoja dhe mbi riformatimin e spektrit politik në Kosovë. Në listën e këtij prokurori janë shumica e politikanëve të njohur të Kosovës së krahut të luftës dhe figura të tjera të shoqërisë së Kosovës.

Nëse Gjykata Speciale formalizon akt-akuzat, drejt Hagës do të fluturojnë Presidenti i Kosovës, ish Kryeministri, ish kryetari i Kuvendit, ish zëvendëskryeministri, rreth 10 ushtarakë të lartë, dhe disa figura të tjera të shoqërisë së Kosovës. Në çdo rrethanë ky është jo vetëm një tërmet politik në Kosovë, por dhe një përmbysje e dhunshme e spektrit politik, që druaj se kalon aq lehtë.

Dhe e sigurt është se këta do të fluturojnë të gjithë në një ditë ose në një javë, duke krijuar një zbrazëti, e cila mund të krijojë së pari tension social dhe së dyti nevojën urgjente për pasardhës të rinj, që të mbajnë nën kontroll elektoratin e tyre. Këto parti kanë thuajse gjysmën e votave të Kosovës, dhe efekti që pritet të ketë ekzekutimi i akt-akuzave, është shumë më i madh se efekti që pati ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, nën mbikqyrjen amerikane.

Duke qenë se është një pastrim u dhunshëm i fushës së lojës dhe jo një reformim natyral i saj, Kosova rrezikon të zhytet në turbullira të brendshme, nëse më shumë se gjysma e politikanëve të njohur të saj përfundojnë në Hagë.

Madje ky akt rrezikon të prodhojë të kundërtën e asaj që ëndërrojnë kundërshtarët politikë të këtyre liderëve. Ky akt mund të nxjerrë dhe ata jashtë loje, ashtu siç do të nxjerrë jashtë loje dhe rolin e Tiranës, e cila mund të bëjë rolin e korrierit diplomatik Uashington- Tiranë- Prishtinë.

Meqë shumë prej liderëve të krahut të luftës, që do të udhëtojnë në Hagë, gjatë periudhës së qeverisjes kanë pasur akuza për korrupsion dhe kapje të shtetit, shkuarja në bllok në Hagë si heronj të luftës së Kosovës, jo vetëm që mund të mos nisë procesin e ç’kapjes së shtetit, por mund të heroizojë edhe më shumë se sa meritojnë këto figura, duke i kthyer në simbole të historisë së Kosovës.

E di që është e vështirë që liderë të rinj të emërohen në vend të tyre, qoftë dhe prej tyre, pasi do të ngjanin si Lulzim Basha. Mbështetësit e tyre politikë në Kosovë pas shkuarjes në Hagë, do të jenë dhe më fanatikë se sa sot dhe një elektorat militantësh radikalë.

Ky elektorat të udhëhiqet dhe kontrollohet ose nga liderë që do të lindin nga trazirat sociale që mund të pasojnë ikjen e tyre, ose nga liderë të prodhuar nga mbështetja që SHBA ose Perëndimi duhet t’u japë atyre për të mos u ndjerë të braktisur. Kjo e dyta është vendimtare.

Historinë e Kosovës, në një moment delikat të saj në vitet 1998 -1999 e përcaktoi pushka në mal.

Pas 20 vitesh nëse Kosova do të ndjehet e braktisur dhe mbështetësit e krahut të luftës të poshtëruar, historinë mund ta vendosin sheshet e Kosovës. Dhe kjo nuk do të jetë mirë për askënd. As për kundërshtarët e këtyre që po shkojnë në Hagë. Edhe ata mund të jenë “viktima” të këtij tërmeti.

Leave a Reply

%d bloggers like this: