Home / Rajoni / Kroacia jep 264 euro për punëtorët e kompanive të prekura nga koronavirusi

Kroacia jep 264 euro për punëtorët e kompanive të prekura nga koronavirusi

Qeveria kroate do t’i përkrahë financiarisht kompanitë që i kanë pakësuar ditët e punës gjatë javës dhe të ardhurat e të cilave kanë rënë për së paku 20 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Lajmin e konfirmoi kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

“Qëllimi është që të ruhen vendet e punës në kompanitë ku rrethanat e jashtëzakonshme e kanë zvogëluar vëllimin e punës. Përkrahja qeveritare do të jetë dy mijë kuna (rreth 264 euro) në muaj për secilin punëtor”, tha kryeministri kroat gjatë një konference për gazetarë.

Kjo masë pritet të jetë në fuqi nga 1 qershori deri më 31 dhjetor të këtij viti për kompanitë që i kanë pakësuar javët e punës për shkak të rënies së aktivitetit si rezultat i pandemisë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Qeveria e Kroacisë tashmë i ka shpenzuar rreth tetë miliardë kuna (mbi një miliard euro) që nga marsi si ndihma financiare për ruajtjen e vendeve të punës në kompanitë e prekura nga pandemia. Kjo ndihmë është ofruar kryesisht përmes pezullimit të taksave dhe përkrahjes në paga.

Masa e re për javët e shkurtuara të punës pritet t’i kushtojë qeverisë rreth 400 milionë euro. Kroacia ka parashikuar deficit buxhetor prej 6.8 për qind të prodhimit vendor gjatë këtij viti.

Leave a Reply

%d bloggers like this: