Home / Kronika / Koronavirusi i merr jetën mjekut të parë, Manastirliu: Dhimbje e madhe

Koronavirusi i merr jetën mjekut të parë, Manastirliu: Dhimbje e madhe

Koronavirusi i merr jetën mjekut të parë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, hematologut Arjan Pushi, duke e çuar në 63 numrin e viktimave.

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga Covid-19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor.

Profesor Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit.

Lidhur me vdekjen e tij ka reaguar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila thotë se ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite.

Manastirliu shprehet se kontributi i çmuar i profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza.

“Me gjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm. U prehsh në paqe Profesor Pushi! Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve. Ju jemi pranë në këto momente të vështira!”, deklaron ministrja e Shëndetësisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: