Home / Kryeartikull / Një “gjitholog” si Balla i PS-së apo sherbestar i privates në dëm të publikes e shqiptarëve…

Një “gjitholog” si Balla i PS-së apo sherbestar i privates në dëm të publikes e shqiptarëve…

Taulant Balla ka shpalosur edhe një dimension tjetër, të cilin deri më sot shqiptarët nuk ia njihnin. Nga foltorja e Kuvendit, ai i ka terhequr vemendjen Thoma Gëllçit si drejtor i përgjithshëm, Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe vetë transmetuesit publik për çeshtje që lidhen me sportin e futbollit. Ai ka kërkuar që të anulohet blerja e të drejtave televizive për Champions League dhe madje, edhe UEFA League që transmetohet prej disa vitesh edhe nga RTSH. Natyrisht, ai i mëshon fort idesë së “kursimit” dhe përdorimit të fondeve publike për shembull, transmetimin emisioneve shkollore, siç ka bërë edhe gjatë pandemisë RTSH-ja. Justifikimi i Ballës së PS-së është se CHL dhe UL janë “shpenzime qejfi”.

Numri 2 i kësaj mazhorance, po përcjell mesazhe të gabuara për publikun por edhe ndërkombëtarët. Transmetimet televizive publike, janë sherbim që ofrohen për qytetarët pa pagesë direkte. Natyrisht, paguhen 1.200 lekë çdo vit për familje, të ndara nga 100 lekë në muaj bashkë me faturën e dritave. Por në konceptin e abonimit, kjo është barrë shumë më e lehtë se ajo e mediave private komerciale. Në këtë rast, RTSH nuk bën asgjë përveç se ndjek shembullin e shumë mediave publike të tjera si në Itali, Gjermani etj.

Nga ana tjetër, futbolli është sporti më i ndjekur në botë. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Balla nëse nuk e di këtë fakt, të pyes Ramajt. Ata që administrojnë apo ata që ndjekin futbollin. Harxhojnë mijëra euro me fluturime charter për vetëm një foto, për shembull, Cristiano Ronaldon. Në Shqipëri, sidomos në disa qytete, normalisht jo Librazhdi, futbolli është gati një “fe”. Ngjyrat e skuadrave të zemrës, paraprijnë ecurinë e jetës së shumë njerëzve. E duke kaluar jashtë kufijve, Balla duhet të pyes dikë për të kuptuar se çfarë bënin shqiptarët për të ndjekur Europianët e Botërorët e futbollit, kur ato ishte vështirë ti ndiqje në Shqipërinë komuniste. E njëjta gjë për Kupën e Kampionëve, Kupën e Kupave dhe Kupën UEFA. Tifozeria për ekipet e huaja, është gati në të njëjtin standart me ato shqiptare. Tek disa, ndjeshmëria edhe më lartë.

Nuk është e vështirë të kuptohet se Ballës RTSH-ja i sherben thjesht si një megafon politik. Për deri sa konsideron “shpenzim luksi” transmetimin e ndeshjeve të futbollit, nuk është vështirë të kuptohet se shqiptarët edhe për shumë vite, ai i preferon “për një copë bukë”. Kur të ndezin RTSH-në, të mund të shohin vetëm “paradë suksesesh” të qeverisë, “lojë shkollash” dhe ndonjë film të para 1990-ës. Duket se Balla ka mbetur me standartin e para 1990-ës dhe kjo nuk përbën ndonjë mëkat të madh. Secili zgjedh vetë në ç’kohë të jetojë, pavarësisht vitit kalendarik.

Nuk e njohim dhe nuk kemi ndonjë simpati personale për Thoma Gëllçin. Si për çdo media tjetër, ka dhe do të ketë mjaft rezerva për RTSH-në dhe programacionin e tij. Por nuk mund të kritikohet sepse tentoi të futet në një treg, i cili ka qenë “mollë e ndalueme” për shqiptarët por edhe RTSH-në. Për të parë CHL apo UL, shumë shqiptarë që nuk kanë mundësi të bëjnë abonime mbi 100 euro vjetore, detyroheshin të mësynin lokalet me një kafe apo birrë para.

Sot, RTSH po ua krijon këtë mundësi me 100 lekë të vjetra në muaj. Po ashtu, Gëllçi apo Këshilli Drejtues, para se të vendosin të shpenzojnë 1.8 milion euro për ndeshje futbolli, duhet të kenë bërë ndonjë llogari. Ballës duhet t’ia thotë dikush se ndeshjet e CHL dhe UL, kanë audiencë të lartë dhe marketohen pa shumë vështirësi. Në shumë vende të botës, marketimi sjell kosto zero për ata që blejnë të drejtat e transmetimit. Më qartë, nëse RTSH ka specialistë të mirë marketingu, 1.8 milion euro jo vetëm mund të rikthehen në arkë, por edhe mund të shtohen përmes transmetimit të reklamave të të interesuarve. Në ratin më të keq, edhe nëse ka një humbje si diferencë nga shifra e mësipërme, është një sherbim që transmetuesi publik ia jep qytetarëve, ashtu siç Balla e Rama shpesh përsërisin për sherbime të tjera që subvencionohen nga shteti.

Për pozicionin që ka, ndikimin në jetët e shqiptarëve, nuk është normale që Balla i PS-së të marrë një pozicion të tillë. Për shumë arsye, por më kryesorja se nuk mund të bëhet zëdhënës i interesave të mediave të tjera që ua servirin shqiptarëve të njëjtin sherbim por me kosto “sa frëngu pulën”, teksa transmetuesi publik ua ofron me kosto të papërfillshme, pa dashur të themi gratis. Përndryshe, mbetet që edhe RTSH-në ta japin me konçesion tek privati dhe atëherë diskutimet mbyllen. /Shënim i ShkodraWeb Media/

Leave a Reply

%d bloggers like this: