Home / Politika / Dialogu me Serbinë/ Hoti: Njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, SHBA e BE rol komplementar

Dialogu me Serbinë/ Hoti: Njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, SHBA e BE rol komplementar

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi sot në Tiranë se është në koordinim me të Dërguarin Special të Presidentit Trump për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ambasadori Richard Grenell për të zhvilluar një takim të dytë në Uashington, pas refuzimit të atij të 27 qershorit.

Në konferencën e  përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, kreu i qeverisë së Kosovës Hoti tha se “Kosova ka institucione legjitime kushtetuese të gatshme të marrin të gjitha përgjegjësitë që u takon. Jam i gatshëm dhe në koordinim me ambasadorin Grenell për të caktuar së shpejti  një datë ku do të ulemi së bashku për të filluar procesin e dialogut me një axhendë fillimisht ekonomike dhe më pas për të kaluar tek çështjet politike të dialogut, duke u nisur nga parimet tona për këtë proces që ne hyjmë për njohje reciproke dhe për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

“Kemi 9 vite që po dialogojmë për normalizim të marrëdhënieve tregtare, për lëvizjen e qytetarëve, për njohjen e diplomave, të Kadastrës dhe tani po dialogojmë për njohjen reciproke, që është e pika e parë e marrëveshjes së mundshme mes dy shteteve”, – tha Hoti.

Sipas tij, është dialog mes Kosovës dhe Serbisë i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Hoti u shpreh se “kam dëgjuar gjatë kësaj kohe sikur ka konkurrencë mes SHBA-së dhe BE-së për këtë proces, rolin e të dyjave unë e shikoj komplementar në procesin e dialogut”.

Më tej Hoti tha se “Kryeministri Rama e përshkroi shkëlqyeshëm pse dialogu nuk duhet të ketë alternativë. Prandaj sa herë që ftohem në Uashington dhe Bruksel unë do të shkoj dhe përfaqësoj shtetin e Kosovës. E drejta për protestë është e drejtë elementare e secilit për të protestuar, por ne ashtu siç kemi treguar në të kaluarën politike dhe institucionale për të respektuar detyrimet ndërkombëtare që kemi edhe kësaj radhe do të sillemi njësoj sepse kur organet e rendit dhe drejtësisë e ngrejnë një çështje nuk është e udhës që të bëhen veprime për të penguar organet e drejtësisë, por për tu përballur me to”.

I pyetur nëse do të vazhdojë koalicioni në qeveri me PDK-në rast se konfirmohet aktakuza e presidenti Thaçi jep dorëheqjen, Hoti u shpreh se “ju gjithmonë e dini qasjen time se si i trajtoj këto gjëra, nuk i përgjigjem asnjë pyetje hipotetike. Qeveria është e qëndrueshme, presidenti është me mandat të plotë, nëse krijohen ato rrethana do të ulemi e gjejmë zgjidhjet me të mira për vendin”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: