Home / Politika / Meta në Mallakastër: Krahinë që i ka dhënë nder dhe lavdi historisë së shqiptarëve në shekuj

Meta në Mallakastër: Krahinë që i ka dhënë nder dhe lavdi historisë së shqiptarëve në shekuj

Presidenti Meta zhvilloi sot një vizitë në Poçem të Mallakastrës, ku vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt e nderim para kujtimit dhe veprës historike të luftëtarëve atdhetarë mallakastriotë.

Ai vlerësoi “Besëlidhjet e Mallakastrës” me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin : “Për kontributin e shquar të popullit të Mallakastrës dhe krahinave fqinje në organizimin e luftës për liri dhe pavarësi kombëtare, në kushte të vështira, sa herë e ka kërkuar interesi kombëtar. Besëlidhjet e Mallakastrës përgjatë një shekulli janë tre akte të ndritura të vetëdijes, atdhetarizmit, strategjisë popullore, aftësisë organizuese, trimërisë dhe përkushtimit të bijve të Mallakastrës e më gjerë. Ato përcjellin në shekuj mesazhin e madh të atdhedashurisë dhe fuqisë së bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim në luftën për mbrojtjen e trojeve, sovranitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve të shumtë në këtë veprimtari përkujtimore historike, mes të cilëve ishin edhe kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismaili, deputetë të zonës, përfaqësues së pushtetit vendor, veteranë, si dhe qindra mallakastriotë, Presidenti Meta theksoi: “Shumë i lumtur të jem sot në Poçem të Mallakastrës fisnike, të burrave të shquar, trima e patriotë, në këtë vend të shenjtë të tre Besëlidhjeve të mëdha për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar, që i kanë dhënë nder dhe lavdi historisë së shqiptarëve në shekuj”, tha ai.

Meta tha se “kombi ynë është i bekuar që ka një krahinë kaq patriotike, atdhetare dhe heroike si Mallakastra”.

“Tre Besëlidhjet e Poçemit në vitet 1847, 1920 dhe 1943 ishin frymëzim mbarëkombëtar për kryengritje mbarëpopullore kundër pushtuesve”, tha Meta.

Presidenti theksoi se “pas Pezës heroike, Mallakastra ishte krahina e dytë në Shqipëri që përjetoi rrethimin më ndëshkues dhe më mizor të 20 mijë trupave pushtuese në korrik 1943”.

“Mallakastra u dogj, por kryengritja nuk u shua. Qëndresa heroike e burrave dhe e djemve të saj, jo vetëm kaloi kufijtë e kësaj krahine, por frymëzoi të gjithë vendin në luftën për liri, duke dhënë një kontribut madhor për çlirimin e Shqipërisë. Emrat e Heronjve të Popullit Dervish Hekali, Dino Kalenja, Ramiz Aranitasi dhe qindra dëshmorëve të cilët dhanë jetën për lirinë do të mbeten të paharruar”, tha ai.

Leave a Reply

%d bloggers like this: