Ekonomia

Malaj: “Kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar nga rialokimi i bizneseve”

Flet Prof. Dr. Arben Malaj

President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje

Diversifikimi i zinxhirit të furnitorëve do të thotë zhvendosje e disa prej investimeve në vende të tjera që, gjeografikisht, janë më afër kompanive mëmë duke shmangur që në situata të jashtëzakonshme të kenë bllokim total të aktivitetit. Për vendet e Europës Perëndimore, Ballkani Perëndimor ku përfshihet edhe Shqipëria, mund të jetë një prej zgjedhjeve. Por konkurrenca për të tërhequr këto investime potenciale pritet të jetë e ashpër.

Prof. Dr. Arben Malaj, president i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje, në një intervistë për “Monitor”, shprehet se bizneset dhe vendet e tyre të origjinës shohin me vëmendje një sërë aspektesh, përpara se të vendosin për rialokim, duke nisur nga verifikimi i standardeve të funksionimit të ekonomisë deri te performanca e administratës.

Po kështu, shihet kuadri ligjor dhe shkalla e taksimit. Sipas Malajt, një rol të rëndësishëm luan edhe gjeopolitika dhe në këtë rast, Shqipëria duhet të aktivizojë diplomacinë ekonomike për të dhënë garanci ndaj
vendeve të tilla si SHBA, apo ato europiane për investimet potenciale.

Koronavirusi ka ndikuar në ekonominë shqiptare në mënyrë të pashmangshme, ashtu sikurse në të gjithë globin. Cilat janë pikat më delikate të ekonomisë, që ka nxjerrë në pah kjo situatë?

Pandemia përfaqëson krizën më të rëndë dhe më të thellë të ekonomisë botërore. Paqartësitë dhe pasiguritë që ka krijuar, e bëjnë edhe më të vështirë dhe të kushtueshme strategjinë e daljes prej saj. Aspekti kryesor i kësaj krize është se pasojat e saj nuk janë për një sektor të vetëm dhe nuk kanë prekur vetëm disa shtete apo një rajon.

Kriza është globale dhe shumëdimensionale. Pandemia rrezikon ta prekë ekonominë tonë nga – 5 deri në – 9% të PBB. Raporti i FMN-së parashikon që ekonomia globale në 2020 do të tkurret me – 4.9% dhe në vitin 2021 do të rritet me 5.4%.

Eurozona do të tkurret në 2020 me – 10.2% dhe do të rritet në 2021 me + 6%. Në Eurozonë bëjnë pjesë partnerët kryesorë të ekonomisë shqiptare, e cila ka mbi 75% të eksporteve me vende të BE-së dhe rreth 65% të importeve. Fakti që ekonomia e Italisë do të tkurret me rreth 12.3% në 2020 dhe do të rritet me 6% në 2021. Që kriza do të prekë shumë edhe Greqinë, pra preken më shumë dy nga partnerët tanë kryesorë, ku jetojnë pjesa më e madhe e emigrantëve, krijon vështirësi që ekonomia shqiptare të tkurret në vitin 2020 me 9% të PBB-së dhe të rritet me 12% në vitin 2021, i cili do të ketë edhe ndikimin e periudhës zgjedhore.

Ekonomia shqiptare e ka të vështirë të arrijë modelin e reagimit ndaj krizës në formën e V-së, që nënkupton rënie të shpejtë dhe të thellë dhe ringritje më të shpejtë dhe më të madhe. Ringritja mund të ketë trajtën e U-së, ku ringritja nuk do të vijë menjëherë. I vetmi faktor që mund të ndikojë në një rritje të shpejtë dhe të lartë në vitin 2021 do të ishte impakti i financimeve për rikuperimin e dëmeve nga tërmet, ku në total parashikohen rreth 1.15 miliardë euro. A do të arrijë qeveria shqiptare të negociojë dhe të bëjë efektive këtë shumë gjatë pjesës së dytë të vitit 2020 dhe gjatë vitit 2021? Kjo është një sfidë jo e lehtë.

Pikat e dobëta të ekonomisë sonë, që e bëjnë Shqipërinë një nga vendet me rënien më të madhe të rritjes ekonomike janë katër: së pari, varësia e konsiderueshme nga turizmi, sektor i cili për shkak të mbylljes së kufijve dhe rregullave të vështira të respektimit të pandemisë rezulton se është prekur më rëndë.

Në Shqipëri, turizmi ndikon 8-10% në rritjen ekonomike dhe 10-12% në punësim, me një multiplikator 3, efekti në ekonomi shkon në 30% të saj dhe në punësim rreth 36%; së dyti, eksportet – vendet me deficit të lartë tregtar preken më shumë nga goditjet e jashtme; së treti, remitancat – vendet me varësi të ndjeshme nga remitancat preken, aq më tepër që në parashikimet e FMN dhe BB, Italia, që është partneri ynë kryesor, në vitin 2020 do të ketë një rënie ekonomike në 12.3% dhe në vitin 2021 një rritje në 6% të PBB-së, por edhe Greqia ka një rënie të madhe të rritjes ekonomike, çka nënkupton papunësi më të lartë dhe varfëri më të madhe për familjet e emigrantëve.

Emigrantët janë ata që preken të parët, çka nënkupton që të ardhurat e tyre bien dhe dërgesat në familjet e tyre gjithashtu, duke pakësuar burimet financiare për familjet e tyre që të luftojnë varfërinë. Së katërti, është ndikimi i rënies së investimeve të huaja – për shkak të rritjes së paqartësive. P.sh., gjatë krizës së çmimeve të naftës, për shkak të rënies së rritjes ekonomike globale ra çmimi i naftës, bile përkohësisht ai arriti edhe në nivel minus, pra kompanitë prodhuese nuk kishin ku ta depozitonin prodhimin se stoqet kishin ngecur nga rënia e shitjeve. Kjo krijon paqartësi për investimet në këtë industri

Është folur vazhdimisht për integrimin ekonomik në zinxhirin global. Fakti që Shqipëria ende nuk është e integruar në mënyrë masive, ka sjellë më shumë dëm apo imunitet në një rast si ky? Si mund të bëhet paralelisht integrimi në zinxhirin e furnizimit me avantazhet që sjell kjo dhe mbrojtja e ekonomisë nga goditjet?

Fakti që ne prekemi më pak se jemi të integruar më pak, nuk duhet konsideruar pozitiv. Ne duhet të përdorim reforma strukturore për strukturimin produktiv të ekonomisë dhe diversifikimin e prodhimeve, shërbimeve por edhe të partnerëve tregtarë. Kjo ka të bëjë me konceptin që ne duhet të kemi një ekonomi vibrante, që luhatet por nuk rrëzohet nga goditjet e jashtme në periudha krize. Një ekonomi vibrante që përballon më mirë goditjet e jashtme dhe krizat është parakusht i rëndësishëm edhe për integrimin europian dhe përfshihet në kriteret e Kopenhagës të vitit 1993. Pandemia rrëzoi absolutizimin e zinxhirit global të furnizimeve.

Bllokimi në kulmin e pandemisë i eksporteve të pajisjeve shëndetësore nga Kina, apo bllokimi i disa produkteve jetike si gruri nga Rusia, kanë rritur shqetësimin se luftërat tregtare mund të jenë më të shpeshta dhe duhet kaluar nga globalizimi në rajonalizim. Po ashtu, disa produkte jetike në fushën e shëndetësisë dhe ushqimit duhen prodhuar brenda ekonomive të vendeve tona ose në rajonet më të afërta.

Cilët janë sektorët e prekur më shumë në këndvështrimin tuaj?

Turizmi dhe zinxhiri i funksionimit të tij, ku përfshihet edhe agroturizmi, dhe zinxhiri i furnizimeve me produkte vendase është sektori i parë më i prekur. Bazuar në strategjinë afatgjatë të turizmit përllogaritet se në një vit, në Shqipëri vijnë rreth 5 milionë turistë. Në 2020 turizmi, bujqësia dhe shërbimet rrezikohet të humbasin rreth 60% të këtij tregu. Bujqësia ka një ekspozim të lartë edhe për faktin që ajo është lehtësisht e prekshme edhe nga fatkeqësitë natyrore si thatësirat dhe përmbytjet.

Është prekur rëndë sektori i shërbimeve dhe bizneset e vogla, të cilat kanë ndikim të pandjeshëm në të ardhurat në buxhet, por kanë ndikim të madh në reduktimin e papunësisë dhe varfërisë, ato kontribuojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e kohezionit social. Sektori i energjisë mund të preket nga luhatjet e çmimeve dhe kjo mund të reduktojë investimet e reja pa të cilat kërkimi dhe prodhimi i naftës bie, dhe deficiti tregtar e varësia nga tregjet e tjera rritet.

Pritet që kompanitë e mëdha globale në planet e tyre të zgjerimit apo operimit të zhvendosin fabrikat apo investimet në rajone të tjera. Ju keni përmendur ndoshta alokimin e disa bizneseve të vendeve perëndimore nga Azia. Si mund të përfitojë Shqipëria nga kjo dinamikë?

Po ky është një moment i veçantë dhe kërkon qëndrim strategjik në politikat e qeverisë. Jo vetëm firmat amerikane, por edhe një pjesë e firmave europiane janë duke studiuar alokimin e bizneseve të tyre nga Azia, në vendet e tyre ose në rajonet e tyre. Pra fillon dhe merr rëndësi gjeografia ekonomike. Ky rialokim do të bazohet në parime të pastra të përfitimit të biznesit. Konkurrenca nuk do të jetë e lehtë, por pa dyshim një lobim pozitiv mund të ndikojë.

Kjo gjë duhet të jetë e qartë për politikëbërësit, kompanitë serioze janë strikte në verifikimin e standardeve të funksionimit të ekonomisë, ndarja dhe balanca e pushteteve, lufta kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, kuadri ligjor dhe administrativ i hapjes, zhvillimit dhe mbylljes së aktiviteteve, performanca e administratës publike në nivel vendor dhe qendror.

Pra, nëse duhet të shpresojmë të jemi vend i preferuar pritës për bizneset që do të alokohen, duhet të punojmë përditë për plotësimin e parakushteve. Do të ketë edhe një konkurrencë gjeopolitike, sidomos kur flitet për investimeve nga vende si Kina, Rusia, Turqia ku ndikimi i qeverive mbi vendimet përfundimet të bizneseve është i ndjeshëm.

Po kështu mund të ketë një garë të përjashtimeve nga taksat dhe tatimet, si dhe subvencioneve direkte dhe indirekte që vende të ndryshme do të ofrojnë në “luftën” për të marrë “pjesën e luanit” nga këto rialokime. Është momenti që Shqipëria të këtë një diplomaci ekonomike më aktive dhe të qartësojë kompanitë amerikane dhe europiane dhe sektorët nga të cilat pret rialokime potenciale.

Cilat janë avantazhet kryesore që paraqet Shqipëria dhe që mund të shërbejnë si stimuj në këtë aspekt?

E para – dividendi demografik – një fuqi e re punëtore me ambicie për mirarsimim dhe marrje risku.

E dyta, diaspora e vjetër dhe emigrantët e rinj mund të jenë ura lidhëse me kompanitë potenciale, për të cilat cilësia e kapitalit human dhe social është faktor i rëndësishëm i suksesit.

E treta, anëtarësimi në NATO dhe avancimi në procesin e integrimit europian. Anëtarësimi në NATO jep siguri për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku paqja është ende e pakonsoliduar dhe prosperiteti cenohet shpesh nga keqqeverisja, korrupsioni dhe kapja e shtetit, por edhe nga luftërat tregtare, kryesisht ato jo tarifore.

E katërta, afërsia gjeografike dhe bërja graduale pjesë e të gjitha llojeve të network-ëve infrastrukturorë për tregjet e reja potenciale.

Oksigjeni që Investimet e Huaja Direkte si TAP dhe Hidrocentralet mbi Devoll zyrtarisht ka mbaruar. Çfarë mund të ndryshojmë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të rritur flukset hyrëse në ekonomi nga IHD?

Së pari, eliminimi i krizës politike që ka dëmtuar rëndë mjedisin social dhe politik dhe, për pasojë, ka penguar reformat strukturore dhe investimet e reja, vendase dhe të huaja.

Së dyti – eliminimi i çdo vonese në proceset integruese. Bullgaria dhe Rumania, pas anëtarësimit në NATO, brenda një periudhe të shkurtër, patën dyfishim të Investimeve të Huaja Direkte.

Së treti, avancimi në bashkëpunimin brenda CEFTA-s duke eliminuar luftërat tregtare dhe sidomos ato në pikun e prodhimeve bujqësore. Rastet sporadike krijojnë efekte negative afatgjata.

Së katërti, strategji zhvillimi të qarta dhe politika taksash dhe administrimi fiskal të thjeshtë, të qarta dhe me ndikim lehtësues të investimeve individuale e private, vendase dhe të huaja. Së pesti, krijimi i një ambienti me ndjesi pozitive për të ardhmen, duke reduktuar polarizimet shoqërore dhe rritjen e konflikteve sociale dhe politike.

Nuk ka disa rregulla standarde të vlefshme njësoj për të gjithë, por ka disa parime dhe standarde, bazuar edhe te mësimet nga krizat e mëparshme që vlejnë për kapërcimin e kësaj pandemie dhe përshtatjen strategjike të bashkëjetesës me krizat e pandemive, paqartësive dhe pasigurive.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button