MaqedoniaRajoni

BE përshëndet zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Bashkimi Evropian ka përshëndetur popullin e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet e parakohshme të 15 korrikut, pavarësisht pandemisë COVID-19. Përmes një deklarate të përbashkët, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi theksojnë se pavarësisht faktit se fushata dhe votimet u zhvilluan në klimën e duhur, stabiliteti ligjor u dëmtua nga rishikimet thelbësore të kornizës ligjore dhe dekretet e miratuara nga qeveria.

Për këtë rekomandohet që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme. “Presim të punojmë me një parlament të fuqishëm dhe me një koalicion qeveritar të qëndrueshëm që do të përmbushë objektivin strategjik të vendit, integrimin në BE dhe përmbushjen e pritshmërive të popullit”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të dy diplomatëve. BE premton se do të vijojë të mbështesë vendin në rrugën drejt anëtarësimit në familjen evropiane, por pret që autoritetet të përshpejtojnë zbatimin e reformave të lidhura me integrimin, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në fund të kësaj deklarate, Varhelyi dhe Borrell shprehen optimistë se Konferenca e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut do të mbahet shumë shpejt.

Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë fituese të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.  LSDM-ja ka fituar 46 ulëse në Kuvend, VMRO DPMNE-ja 44, BDI-ja 15, Koalicioni Aleanca-Alternativa 12, E majta 2 dhe PDSH-ja 1 ulëse.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 vende deputetësh. Sipas Kushtetutës, mandati për formimin e qeverisë së re i jepet asaj kandidatit apo partisë që ka fituar shumicën e votave. Ai mund të formojë qeverinë e re nëse arrin të sigurojë shumicë parlamentare prej 61 deputetësh.

Rezultati i ngushtë zgjedhor do ta bëjë të vështirë formimin e qeverisë pasi vendimtare për këtë do të jenë votat e dy partive shqiptare. BDI-ja në zgjedhje ka marr pjesë me kërkesën për kryeministrin e parë shqiptar. Dy partitë maqedonase e kanë përjashtuar një mundësi të tillë duke theksuar se kryeministri i takon partisë maqedonase që fiton zgjedhjet.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, ka hedhur poshtë informacionet që “sulmet kibernetike ndaj faqes elektronike të KSHZ-së të kenë manipuluar procesin zgjedhor, siç pretendon VMRO DPMNE-ja opozitare. Faqja elektronike ku publikohen të dhënat nga votimet nuk ka funksionuar që nga mbyllja e votimeve. Rasti është paraqitur në polici, e cila po heton rastin, nëse ka pasur sulm hakerësh dhe nëse ka pasur ndërhyrje në procesin zgjedhor.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button