ArteKryeartikull

Masakrimi i “Doktor Zhivagos”

Nga Theollor Cico

Pas analizës së përkthimit në shqip të romanit “Krim dhe ndëshkim” të F.Dostojevskit, po vijoj me përkthimin e një tjetër kryevepre të letërsisë ruse, siç është romani “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut, i vlerësuar me çmimin Nobel, botim i shtëpisë botuese “Uegen” i vitit 2002

Pas analizës së përkthimit në shqip të romanit “Krim dhe ndëshkim” të F.Dostojevskit (që sipas prof. Ismet Elezi, mjeshtrit të jurisprudencës shqiptare dhe në veçanti të së drejtës penale, termi “наказание” në shqip është “dënim” dhe jo “ndëshkim”, sikurse e dinim të gjithë gjer më sot, prandaj titulli i romanit duhet të përkthehet “Krim dhe dënim” dhe jo “Krim dhe ndëshkim”), po vijoj me përkthimin e një tjetër kryevepre të letërsisë ruse, siç është romani “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut, i vlerësuar me çmimin Nobel, botim i shtëpisë botuese “Uegen” i vitit 2002. Vepra origjinale është përkthyer nga Jorgji Doksani dhe është redaktuar nga Qazim Shemaj dhe Xhevair Lleshi. Themi “masakrim”, sepse kanë kaluar pa u përkthyer jo vetëm fjalë, fjali dhe fraza, por edhe pasazhe të tëra, është përkthyer në një masë të madhe, për të mos thënë thuajse kudo, duke nxjerrë kuptimin e një paragrafi dhe duke na e transmetuar neve me jo pak ndërhyrje, pra siç e ka kuptuar përkthyesi, pa na dhënë me besnikëri fjalët e shkrimtarit, mirëpo vepra është e Boris Pasternakut dhe jo e Jorgji Doksanit. Në shumë raste përkthyesi shton fjalë e fjali nga xhepi i tij, duke e dëmtuar jo pak tingëllimin e veprës origjinale, veç të metave të llojit të pasaktësisë së përkthimit të disa fjalëve e termave, heqjes së pikave dhe bashkimit të fjalive me presje (që s’ke të drejtë ta bësh këtë), lënies në shumë raste pa kaluar në kryeradhë, kur në tekst është kryeradhë dhe, e kundërta, kalon në kryeradhë, kur nuk është kryeradhë, ka jo pak pasaktësi gjuhësore e drejtshkrimore etj. etj. Po le t’i shohim konkretisht këto që thamë, duke analizuar disa nga paragrafët e veprës së përkthyer, në pamundësi për t’i parë të gjithë paragrafët e saj.

 

F.32: Në paragrafin që nis me fjalët “Si ajo…” nuk ka “nga fëmijët e siguruar në mirëqenie” (s’përmenden fare “fëmijë”), as “zhbirime të kota”, as “arsyetime teorike”, as “për të rrahur ujë në havan”, as “duhej menduar për çështje me dobi praktike” – të gjitha i shton dhe i sistemon përkthyesi nga mendja e tij, duke iu larguar kështu origjinalit. Ku ka në tekst “për të rrahur ujë në havan” etj. etj. Pra, ka jo vetëm fjalë të shtuara, por edhe fjali të tëra, sepse priret të bëjë shpjegime mbi ato që shkruan autori, mirëpo vepra, siç e thamë, nuk është e përkthyesit, por e Pasternakut.

F.70: Te paragrafi “Tymi i davaritur…” e gjithë fraza e përkthyer nga përkthyesi nuk i përgjigjet origjinalit, sepse nuk ka në tekst “mbi dëborën e ngrirë”, as “ishin duke udhëtuar drejt pafundësisë”, as “u dukej se po i priste diku larg vendi misterioz”. Në tekst thjesht thuhet se “kërcitja e hapave dhe gërvima e patinave kontribuonin në përshtypjen sikur ata po ecnin një Zot e di qysh prej sa kohësh dhe se kishin përfunduar në një vend tmerrësisht të largët”. Këtë ka thënë autori. Pak më poshtë përkthyesi përkthen: “Në pupë rrinte ulur një trimosh kokoroç (që në fakt duhet kokorosh)”. Pupë është pjesa e pasme e anijes, pra s’hyn fare këtu, ku është thënë “На месте для седоков”, që do të thotë “në vendin për pasagjerët” rrinte ulur jo një trimosh kokoroç (ku e gjeti këtë?!), por karrocieri (лихач = извозчик). Pra, e ka ngatërruar “лихач”me “лихой” që do të thotë i guximshëm, trim dhe nga trim ka dalë te trimosh, i ka këputur edhe një kokoroç nga prapa dhe e ka kënaqur fare.

 

F.90: Te paragrafi “Po në verën…”, i gjithë përkthimi i këtij paragrafi është për të vënë duart në kokë, sepse në tekstin origjinal nuk ka as “tërë kohën shkrofëtinte e teshtinte (kulmi, teshtinte?!) avull të nxehtë (pra treni)”, as “Lara e pa veten aq shumë të përmallur dhe të emocionuar”, as “Ura në sy”, as “që doli t’i priste, ngarkoi plaçkat (pra karrocieri)”, as “ky po qëlloi i gojës”, as “i vuri në dijeni të të rejave më të freskëta të sezonit veror”; pastaj ç’të reja dhe madje të freskëta, kur karrocieri po u tregonte zotërinjve të ulur në karrocë të rejat lokale të sezonit të shkuar (истекшего сезона). Këtu ka lënë fare pa përkthyer fjalinë që përshkruan veshjen e karrocierit të Dupljankës: “…дуплянский кучер в безруковом ямском казакине с выпущенными в проймы рукавами красной рубахи…”, pra “karrocieri i Dupljankës me xhaketën pa mëngë prej karrocieri dhe me mëngët e këmishës së kuqe që dilnin nga kavatura…”.

F.150: Te paragrafi “Natë. Ivan…” nuk ka as “i mbylleshin sytë”, as “zgjohej i tromaksur”, as “iu bë me teka gjumi” (hajde fantazi, hajde?!) Autori thjesht pohon: “Ai dremiste me intervale dhe përfytyronte se, i shqetësuar nga ngjarjet e ditës, ai nuk mund të flejë, ai nuk po fle.” Më tej përmendet emri Shuroçka që përkthyesi e përkthen Sashenjka. Në fakt që të dy këta emra janë variante të të njëjtit emër Aleksandër, por përkthyesi duhej ta linte siç e ka autori, pra Shuroçka, pavarësisht se tingëllon disi jo mirë në gjuhën tonë. Përkthyesi lë pa përkthyer fjalinë e fundit të këtij paragrafi që është “si ky mot që ndryshon, si kjo natë e paqëndrueshme.” Mirëpo kjo fjali është shumë e rëndësishme, se këtu bëhet krahasimi i gjendjes shpirtërore të personazhit me natyrën, detaj ky karakteristik për shkrimtarët e shquar, por edhe për ata më pak të shquar.

F.170: Te paragrafi “Rrapëllima e…” nuk ka as “shurdhuese”, as “ishin aq të dendura”, as “që dukej se nuk do të kishte të sosur”, as “që çante errësirën e madhe”, as “me drurët që përkundeshin dhe përkuleshin deri në tokë (madje deri në tokë ?!). Pra përkthehet si t’i teket përkthyesit.

F.210: Te paragrafi “E kuptonte se…”, së pari, përkthyesi nuk e ka kuptuar që bëhet fjalë thjesht për të ardhmen (будущего) dhe jo për ndonjë “vigan që po shtronte me vendosmëri e pashmangshmëri të ardhmen” (fantazi e përkthyesit). Në tekst thuhet: “Ai e kuptonte që ishte një pigmè (xhuxh dhe jo bëzhdile) përpara masës monstruoze të së ardhmes, e kishte frikë…etj. (pra këtë të ardhme kishte frikë dhe jo ndonjë “vigan që shtronte me vendosmëri e pashmangshmëri të ardhmen ?!”; së dyti, nuk ka “në thellësi të shpirtit”, por thjesht “në fshehtësi” (в тайне) krenohej me të”; së treti, në gjithë këtë periudhë të gjatë autori ka dy lidhëza “dhe” që realizojnë lidhjen e frazës, por që përkthyesi i harron që të dyja dhe rezultati është se na ka dhënë një lëmsh fjalësh të mbledhura grumbull, mes të cilave ka thënë madje edhe të kundërtën e asaj që thuhet në origjinal, si “shihte mbarë qytetin që dergjej nën peshën e fatkeqësive”, në një kohë që është e kundërta “qyteti rus (këtë “rus” e ka harruar) që nuk mposhtej nga fatkeqësitë”; së katërti, autori thotë thjesht “shihte njerëzit që ecnin nëpër rrugë”, kurse përkthyesi “shihte…njerëzit, që ecnin me hallet e tyre në kurriz (madje) në ato ditë buzëvjeshte” (shpikje e përkthyesit?!). Këtu ka lënë pa përkthyer tre rreshta, nga “Она по старой памяти…deri te подходящего названия” që do të thotë: “Si në të kaluarën vazhdonte të quhej Krestovozdvizhenskaja, ndonëse shoqata që mbante këtë emër ishte shpërndarë. Por për spitalin ende nuk kishin menduar për një emërtim të përshtatshëm.” Pasternaku thekson këtu prirjen e bolshevikëve për t’u ndryshuar emrat e rrugëve dhe të institucioneve.

F.310: Te paragrafi “De, Fedo Nefediç! – i thirri plaku pelës….” nuk ka as “-Ec tani e lëri huqet!”, as “Po ngryset, duhet nxituar.”, as (e çuditshme?!) “Edhe ti vetë ke nevojë të ushqehesh”. Aty thuhet vetëm se “Është një vapë vërtet diabolike! Si në furrën e Abraamit racë e persianëve!” Të gjithë këtë fjali të fundit përkthyesi nuk e përkthen. Por kjo është gjysma e së keqes, sepse këtu personazhi, plaku, pas fjalëve “Ty po të flas, ec mirë!” nis e këndon disa fragmente të çastushki, që ishin strofa të folklorit rus me përmbajtje kryesisht satirike. Pasternaku i rendit në formë vjershe në plot 12 vargje, të cilat përkthyesi i kalon dhe i lë pa përkthyer. Me ç’të drejtë, si është e mundur ta bëjë këtë?! Është gati gjysmë faqe libri që nuk përkthehet. Pastaj, kur plaku i drejtohet pelës dhe i thotë “Ty po të flas, ec mirë!”, kjo “ec mirë” në fakt është “Ty po të flas, Mazepa!” Këtë përkthyesi nuk e përmend, mirëpo, sipas legjendës, atamani kozak Ivan Mazepa (1639-1709), i kapur në befasi nga një bashkëshort xheloz, lidhet lakuriq në kurrizin e një kali të egër dhe shpëtohet nga disa fshatarë ukrainas. Figura e tij ka frymëzuar shumë artistë e shkrimtarë, ndër të cilët edhe Bajronin, Hygonë e Listin.

F.330: Te paragrafi “Në kreun e shtatë të…” nuk ka as “pranvera të kujton sarajin e çifligarit”, as “përfund kopshtit”, as “nën mal” (si mund të jetë nën mal varri i Lenskit, kur është “rrëzë malit” под горою, pra përkthen fjalë për fjalë), as “Po në luleferre pse?”, as “Fjalët e komentit do ta zbehnin mbresën”, as “do ta dhunonin përfytyrimin në brishtësinë e tij”, as “Të lëna kështu nga dora e poetit gjeni mbeten të pavdekshme”, as “Përveç kësaj dhe rima e goditur “pranvere”-“luleferre” të mbetet në kujtesë.”, as “A nuk ndihet në këtë vargëzim flladi përtëritës i rimës së mrekullueshme të këngës së kreshnikëve…”. Të gjitha këto janë sajesa të përkthyesit. Në origjinal thjesht thuhet: “Përse dashnor? Duke folur në përgjithësi, epiteti është i natyrshëm, me vend. Në të vërtetëështë një dashnor. Veç kësaj, në rusisht “dashnor”, “ljubovnik”, rimon me “trëndafili i egër”, “shipovnik”. Por nga pikëpamja e tingëllimit a s’është edhe një jehonë e “Bilbilit cub” të epopesë së vjetër popullore ruse? Në poemën epike quhet Bilbili cub, i biri i Odihmantjevit.” Këto ka thënë autori dhe jo sajesat e përkthyesit. Për sa i përket “Bilbilit cub” (Sollovjej – razbojnik”) mund të jepej shpjegimi në fund të faqes që është një personazh i epikës popullore tradicionale, i cili i linte në vend, pa ndjenja, armiqtë me zërin e tij.

F.350: Te paragrafi “Mos vallë po e tradhtonte (duhej shkruar tradhtonte) Tanjën?…” Emri i saktë në veprën e Pasternakutështë Tonja dhe jo Tanja. Tonja është Antonina, kurse Tanja është Tatjana. Pra në këtë paragraf nuk është “Besonte verbërisht në ndershmërinë dhe çiltërsinë e saj, besonte më tepër se i ati, më tepër se ajo vetë”. Jo, është “E mbronte me të gjitha forcat nderin e saj, më shumë se ajo vetë dhe babai i saj” Pra, jo besonte, por kemi shprehjen “стоял горой за еë честь” e barabartë me “всеми силами защищал”, që do të thotë “E mbronte me të gjitha forcat”, pra përkthyesi nuk ka thënë atë që thotë autori.

F.390: Te paragrafi “E paimagjinueshme!…” (jo e paimagjinueshme, por e paimitueshme, e pashoq – неподражаемо) nuk ka as “ngado që t’i kthesh”, as “kurse këtij nga kjo i shtohet dëshira…”, as “Në çdo bisedë që bëjmë, s’po lë gur e kusur pa ia thënë e stërthënë… (ç’sajesa “të bukura” ?!) Në origjinal thjesht thuhet: “Unë në vazhdimësi po i deklaroj atij se pikëpamjet tona janë të kundërta, ai më ka kapur mua me forcë dhe me forcë më mban pranë vetes…etj.” Pastaj perifrazon, komenton: “Për këtë njeri interesat e revolucionit, përmbushja e tyre, njëlloj si mbarëvajtja e sistemit diellor dhe ekzistenca e gjithësisë, janë e njëjta gjë.” Në tekst është thjesht: “Interesat e revolucionit dhe ekzistenca e Sistemit diellor për të janë e njëjta gjë.”

F.432: Te paragrafi “Jurij Andrejeviç Zhivago ecte…” përkthyesi ka thënë tjetër për tjetër. Aty nuk përmendet Zhivago, por thuhet “Bolshaja Kupeçeskaja zbriste përgjatë një kodërze thikë derisa arrinte Mallaja Spaskaja dhe rrugën e ngushtë Novosvalloçnij.” Pastaj nuk thuhet “në atë rrugë ishin shtëpitë më të larta dhe kishat më të mira të Juriatinit.” (S’përmendet ky emër.) Aty thuhet: “Në të (pra në rrugën Bolshaja Kupeçeskaja) hidhnin shikimin shtëpitë dhe kishat e pjesëve më të ngritura të qytetit” dhe jo “ishin shtëpitë më të larta dhe kishat më të mira?!”.

F.450: Te paragrafi “Në përçartjen…” nuk ka “për mungesë vëmendjeje në fatin e tij”, por thjesht e kishte qortuar qiellin “për indiferentizëm”, as nuk thotë autori “qielli kishte zbritur në tokë, ishte ndalur tek ai, endej rreth e rrotull shtratit të tij…” (hajde fantazi, hajde?!) Shkrimtari thotë thjesht që “qielli me tërë madhësinë e tij kishte zbritur te shtrati i tij.”

F.490: Te paragrafi “Me t’u zgjuar…” lë pa përkthyer “дела было по уши” që do të thotë punë kishte plot, gjer në grykë. Aty nuk ka “I mori me radhë, u gëzua kur vuri re që po i shkonin mbаrë, ndërkohë që në shpirt gjithë më fuqishëm i ndizej ëndrra për t’i hedhur në letër mendimet që e tundonin prej kohësh. Nuk kishte rëndësi të ç’lloji ishin, mjafton t’i hidhte.” E gjithë kjo është rrotullimi i gjërave në mendjen e përkthyesit, sepse autori nuk thotë këtë, por: “Në ëndrrat për atë punën e tij të mbrëmjes nuk kishte objektiva të rëndësishëm. Ishte pasioni i thjeshtë për bojën, fuqia tërheqëse për penën dhe për të shkruar që e dominonin atë.” Këtë ka thënë autori. Përkthyesi, në vend që të përkthejë fjalët e autorit, komenton dhe i paraqet gjërat siç i kupton ai. Në origjinal nuk ka “do t’i bënte mirë e thjesht, për të shkrifur pak trurin” , as “do të arrinte ta përtërinte pasionin e krijuesit që i dremiste.” Janë shtesa e komente të përkthyesit.

F.530: Në paragrafin e parë lë pa përkthyer “В эти годы сильно развилась его давняя болезнь сердца, которую он сам у себя установил уже и раньше…” që do të thotë “Në këto vite sëmundja e kahershme e zemrës, që ai vetë e kishte diagnostikuar qysh përpara…”, kurse në f. 550 lë pa përkthyer “…побывали в Мучном городке и Сивцевском доме, наведались во все Дворцы Мысли и Дома Идей, где он когда-либо служил…” që do të thotë “Shkuan në Muçnoj Gorodok dhe në Shtëpinë Sivcev, vizituan të gjitha Pallatet e Mendimit dhe Shtëpitë e Ideve, ku ai kishte shërbyer dikur…”.

Të shumta janë edhe rastet e përkthimit jo të saktë të fjalëve dhe termave, por po përmendim disa prej tyre. Në f. 50 “валенки” e përkthen “çizme shajaku”, por duhej ta linte valenki dhe në fund të faqes të jepte shpjegimin që janë çizme tipike ruse prej leshi të rrahur. Në f. 70 “kali i mbuluar me qilim”, jo, duhej me “velenxë” (попона) që u hidhet përsipër kuajve. Po këtu “бабка” përkthehet “ije”, por është “kyç mbi thundër” te këmbët e kafshëve, kurse ije në rusisht është “бок”. Po në këtë faqe fjala “самовар” duhej lënë “samovar” dhe jo “çajnik”, sepse është enë metalike që përdoret tradicionalisht për ngrohjen dhe zierjen e ujit në Rusi; ka të bëjë me foljen “варить” që do të thotë “ziej”. Në f. 110 “Lara kishte shtirë”, por “целиться” është “marr nishan”, pra Lara e kishte vënë në shenjë dhe jo kishte shtirë (që në fakt duhej shkruar “shtënë”). Po këtu “ломбардные оценщики” nuk janë “vlerësues mobiljesh” (duhej shkruar mobiliesh), por “ekspertë të bankës që japin kredi kundrejt një pengu.” Në f. 293 fjala “насыпь” qëështë dhè i hedhur, grumbull dheu, përkthehet “transhe”, po ku ka transhe aty?! Në f.379 titulli “Trimëria e pyllit” është “Ushtria e pyllit”, sepse “воинство” është “войско, воины” që do të thotë “ushtri, trupa” etj. etj. Janë disa raste të mosrespektimit të shenjave të pikësimit dhe të kryeradhës në vepër. Pra, hiqet pika dhe bashkohen fjalitë me presje, duke mos pasur asnjë të drejtë për ta bërë këtë, si në f.90 p.sh. te paragrafi “Po në verën…” në origjinal janë vënë vetëm katër pika, kurse përkthyesi vë shtatë pika, duke e ndërprerë rrjedhshmërinëe mendimit të autorit etj.etj. Veç kësaj, në shumë raste, kur në origjinal është kryeradhë, në përkthim nuk dilet në kryeradhë dhe, e kundërta, kur në origjinal nuk është kryeradhë, në përkthim dilet me kryeradhë. Edhe këtë përkthyesi nuk kishte asnjë të drejtë ta bënte. Janë edhe disa pasaktësi gjuhësore e drejtshkrimore.

Në f.7 duhet “Ekspresi i orës pesë”; në f.32 “notonin në bollëkë” duhej bollëk; f. 50 “njeriut patëkeq” duhej “të patëkeq” si mbiemër që është; f. 91 “s’e kishte patur” duhej pasur; f. 150 “gjumi e mundi dalëngadalë gjumi” përsëritet dy herë “gjumi”; f. 151 “Kurse vitin po.” Nuk mund të filloje fjalia me “kurse”; po aty “lojrat” duhej lojërat; f.190 “nga që” duhej bashkë “ngaqë” si lidhëz që është; po aty “për të zjerë kafenë” duhej “zier”; f. 191 “ballëpërballë” duhej veç ballë për ballë; f. 210 “bëzhdilë” duhej bëzhdile; f. 211 “trishtilët” duhej trishtilat; f.251 “gjatë një bastisje” duhej bastisjeje; po aty “të shoqëruar me roje” duhej “roja”, sepse kemi të bëjmë me rojtarët, pra rojë-a dhe shumës roja, rojat, kurse roj, roji është luzma e bletës që ka për shumës roje, rojet; f. 270 “Deri sa” duhej bashkë si lidhëz që është; po aty “Urdhëri”duhej Urdhri; f.271 “ujrat” duhej ujërat; f. 293 “nga të huajtë” duhej të huajt; f. 350 “rrallë herë” duhej bashkë rrallëherë si ndajfolje që është; f. 371 “kazakë” duhej “kozakë”; f.390 “mossuk-seset” duhej “mossukseset; f.391 “prapë se prapë” duhej bashkë “prapëseprapë” si ndajfolje që është; f. 430 “mespërmes” duhej veç mes për mes; f. 431 “Mos lojte?” duhej luajte; f. 451 “plotëpërplot” duhej plotpërplot; f. 491 “rrobet” duhej rrobat; po aty “krruaj” duhej kruaj; po aty “sado pak” duhej bashkë “sadopak” si ndajfolje që është etj.etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button