Home / Ekonomia / Pas recesionit, Denaj: Ekonomia do të rritet 5,9% në vitin 2021, turizmi do të vazhdojë të ketë ngërç

Pas recesionit, Denaj: Ekonomia do të rritet 5,9% në vitin 2021, turizmi do të vazhdojë të ketë ngërç

Ekonomia këtë vit do të bjerë në recesion në nivelin e 4,3%, sipas ministres së Financave, Anila Denaj, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia.

Ministrja Denaj deklaroi se vitin tjetër, ekonomia do të rritet 5,9% dhe për 3 vitet e ardhshme mesatarisht 4,9%. Optimizmin, kreu i Financave e mbështet te rritja e konsumit nga investimet publike.

“Në rishikimin e buxhetit të miratuar në Parlament, për këtë vit dhe vitin tjetër, parashikojmë mjaftueshëm realizim të investimeve publike që do të nxisin konsumin. Turizmi do të jetë sektori që do të ketë ngërçin më të madh, për shkak të kufizimit të lëvizjes të lirë dhe protokollove që po zbatojnë shtetet e tjera, ndërsa të gjithë sektorët e tjerë do të pësojnë rritje. Rindërtimi është një nga elementet bazë të këtij viti dhe të 2021 do të ketë mbështetje të konsiderueshme buxhetore.”

Qeveria më herët miratoi shtyrjen e afatit me 60 ditë për aplikim kredie nëpërmjet Garancisë Sovrane 2, nga data 2 gusht që ishte afati i përfundimit.

“Zbatimi i Garancisë Sovrane 2 kërkon më shumë kohë, pasi biznesi nuk kund të projektojë 5 vjet planin e pagesës të kredisë, pa ashtu edhe bankat duhet të kryejnë analizën e riskut”, shpjegoi ministrja e Financave.

Fondi i kredisë nëpërmjet Garancia Sovrane 2 është në masën 15 mld lekë dhe mund të aplikojnë të gjitha bizneset, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kredia jepet për nevoja në kapital qarkullues dhe investime me interes 5%. Nga shteti garantohet 60% e principalit, kurse pjesa e mbetur nga bankat. Në total, deri më 27 korrik janë aprovuar 46% e totalit të aplikimeve. Konkretisht janë aprovuar 119 aplikime, me vlerë 3 mld lekë, nga 263 që është totali i tyre me vlerë 6,5 mld lekë.

Rreth 130 mijë persona përfituan nga Paketa 1 e ndihmës financiare, sipas ministres së Financave dhe nga këta. 65 mijë kanë përfituar 3 paga minimale, si dhe 172 mijë individë përfituan nga Paketa 2 pagën prej 40 mijë lekë.

“Jemi duke adresuar çdo ankesë dhe kërkesë të qytetarëve që nuk kanë përfituar pagën, por duhet theksuar që jo të gjithë kanë qenë përfitues të paketave financiare.”

Rreth 82% e përfituesve janë paguar me bonusin 40 mijë lekë, sipas të dhënave të Ministrisë të Financave deri më 24 korrik për 47,388 biznese nga 210 mijë që është numri total i përfituesve të pritshëm.

Me Masën 2 (përfshihen punonjësit e larguar nga puna për periudhën 1 mars-17 maj) janë paguar rreth 90% e punonjësve; me Masën 4 50% e punonjësve të strukturave akomoduese nga 10 mijë që parashikohet totali; nga Masa 3, subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8,000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1, etj.) janë paguar rreth 70% e përfituesve nga 100 mijë që parashikohet totali i tyre; me Masën 1 për subvencionim për punonjësit e larguar + aktualë në bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë të mbyllur nga urdhrat e MSHMS-së janë paguar 9,419 punonjës për 819 biznese.

Leave a Reply

%d bloggers like this: