Tani Gjermania është baza e dytë më e madhe e trupave amerikane jashtë vendit, pas Japonisë. Ç’pasoja do të shkaktojë tërheqja e papritur e trupave amerikane nga Gjermania dhe kush do të përfitojë nga kjo?

Gjermania ka qenë vija e parë e frontit të përballjes midis Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, si edhe një motor i ekonomisë evropiane. Rëndësia e pozicionit të saj strategjik është e vetëkuptueshme. Kjo është edhe arsyeja kryesore për vendosjen e trupave amerikane në Gjermani – komandat e Shteteve të Bashkuara për Evropën dhe Afrikën gjenden në Shtutgart të Gjermanisë Jugperëndimore. Si rrjedhojë, Gjermania vlerësohet nga bota e jashtme si një prej aleateve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Lajmi i tërheqjes solli shqetësime te partitë qeverisëse dhe opozitare gjermane. Nëse zbatohet plani, e para që do të pësojë humbje do të jetë ekonomia gjermane. Le të marrim për shembull Grafenvalin, një qytet i vogël në juglindje të Gjermanisë. Popullsia e tij është më pak se 7 000 banorë, ndërsa ka 11 000 oficerë dhe ushtarë amerikanë të dislokuar atje. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që, për shkak të epidemisë, ekonomia gjermane do të tkurret me 7.8 % këtë vit. Pas tërheqjes së ushtrisë amerikane, ekonomia në shumë vende të Gjermanisë do të mbetet në vend ose madje edhe “motorët” e saj mund “të shuhen”, gjë që do të shtojë nivelin e papunësisë dhe do të prodhojë një efekt domino. Katër guvernatorët e shteteve gjermane ku janë dislokuar trupat amerikane i dërguan bashkërisht një letër Kongresit të ShBA-së, ku thuhej se tërheqja e këtyre trupave do të sjellë “një fatkeqësi”.

Në sipërfaqe, Polonia mund të arrijë objektivat strategjike të qeverisë duke pranuar trupat amerikane. Shumë ekspertë ushtarakë megjithatë e vënë në dyshim nëse Polonia do të bëhej vërtet më e sigurt, në rast se do të thellohej përçarja e brendshme e NATO-s. Burime të tjera nga ushtria amerikane theksuan se Polonia ende nuk ka nënshkruar një “marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen” me ShBA-në dhe se marrëveshja për ndarjen e shpenzimeve ushtarake gjithashtu ka mbetur pezull. Nëse për këto dy çështje nuk negociohet siç duhet, garnizoni nuk mund t’i zbatojë ato. Për më tepër, Polonia dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore kanë disavantazhe për sa i përket ekonomisë dhe infrastrukturës, dhe është e vështirë të plotësohen kushtet për ardhjen e një numri të madh trupash amerikane në një afat të shkurtër. Për pritjen e trupave amerikane Polonia është e detyruar të shpenzojë shuma të mëdha parash, për të përmirësuar kushtet e ndryshme.

Por, a do të fitojnë diçka Shtetet e Bashkuara? Kushtet infrastrukturore të bazave ushtarake në Gjermani janë shumë të mira dhe evakuimi në shkallë të gjerë do të shkaktonte shtimin e panevojshëm të kostos.

Heather Conley, eksperte e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një institut amerikan studimi politikash, beson se “ShBA-ja po vazhdon të dobësojë besimin ndër aleatët e vet nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, po dobëson edhe NATO-n. Kjo është një vetëvrasje strategjike.” Sipas saj, shkatërrimi i besimit mund të ndodhë brenda një dite, por rindërtimi i tij kërkon kohë dhe përpjekje. Sipas saj, nëse marrëdhënia transatlantike e ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara me një shpenzim të madh forcash njerëzore dhe burimesh materiale pas Luftës së Dytë Botërore shembet dita-ditës, riparimi dhe rindërtimi në të ardhmen me siguri do të ketë një kosto të lartë. “Nuk e di nëse Shtëpia e Bardhë e ka llogaritur këtë?” pyet ekspertja.