Bota

Kina vendos sanksione ndaj 11 shtetasve të SHBA

Në shënjestër të sanksioneve të së hënës ishin gjashtë ligjvënës republikanë, Senatorët Ted Cruz, Marco Rubio, Tom Cotton, Josh Hawley dhe Pat Toomey si dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Chris Smith. Të tjerët janë individë nga organizata jofitimprurëse dhe ato për të drejtat e njeriut.

“Në përgjigje të asaj sjelljeje të gabuar amerikane, Kina ka vendosur të shpallë sanksione ndaj individëve që kanë vepruar në mënyrë të tepruar për çështje që lidhen me Hong Kongun,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian në një konferencë shtypi të hënën.

Ai nuk specifikoi se çfarë pasoja kanë sanksionet në fjalë.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar ashpër muajt e fundit për çështje që variojnë nga tregtia dhe Hong Kongu e deri te trajtimin nga Kina të koronavirusit.

Të premten, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Shefes Ekzekutive të Hong Kongut Carrie Lam dhe shefave aktualë dhe të mëparshëm të policisë së qytetit.

Ligjvënësit amerikanë të vënë në shënjestër nga Kina të hënën kanë qenë midis kritikëve më të zëshëm të një ligji të ri të sigurisë kombëtare që Pekini ia imponoi Hong Kongut në fund të qershorit.

Anëtarët e Kongresit amerikan zakonisht i marrin si kompliment e jo si problem sanksionet e vëna ndaj tyre nga kundërshtarët e SHBA.

Zyra e ligjvënësit Hawley bëri një deklaratë ku thuhet se senatori nuk do të “tërhiqet” dhe se do të “vazhdojë të mbrojë interesat e Amerikës”.

Kjo është hera e dytë që Kina njofton sanksione ndaj republikanëve. Muajin e kaluar, Pekini vuri në shënjestër senatorët Cruz, Rubio dhe Smith pas penalizimit nga Uashingtoni të zyrtarëve kinezë për çështjen e trajtimit nga Kina të myslimanëve ujgurë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button