Home / Ekonomia / Raporti: 60% e firmave që ndërtuan në kryeqytet në 2017-2019 nuk justifikojnë burimin financiare; U pastruan 1.6 mld euro në tre vjet

Raporti: 60% e firmave që ndërtuan në kryeqytet në 2017-2019 nuk justifikojnë burimin financiare; U pastruan 1.6 mld euro në tre vjet

Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019 në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro.

E dhëna bëhet e ditur në raportin e sapopublikuar “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, një publikim i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime ) dhe i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze. Autoret e raportit janë Tuesday Reitano dhe Kristina Amerhaiser.

Sipas raportit,  nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate midis 2017 dhe 2019, 59% e tyre nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Sipas bilanceve të tyre, kompanitë kishin të ardhura minimale dhe nuk kishin as asete dhe hua dhe as kompani të lidhura, që do tu mundësonin të bënin një investim të tillë.

Raporti bën një vlerësim të parasë ilegale që ka hyrë në ndërtim këto tre vjet duke u nisur nga tregues indirekte si kapaciteti financiar i firmave, kredia për ndërtim dhe huaja hipotekore.

Sipas raportit, Kreditë hipotekare mund të përdoren gjithashtu për të vlerësuar shkallën e pastrimit të parave të sektorit të pasurive të patundshme. Në vitin 2019, në Shqipëri janë dhënë rreth 200 milion euro kredi hipotekore. “Bankat zakonisht financojnë 50-70% të vlerës së apartamentit, ndërsa pjesa tjetër financohet përmes kursimeve personale. Kjo nënkupton që apartamente me vlerë 300 – 400 milion € janë financuar nga kreditë hipotekare në vitin 2019. Megjithatë, statistikat tregojnë se janë ndërtuar prona të paluajtshme në vlerë totale 953 milion €, me diferencën që supozohet se është paguar nga blerësi ose përmes kredive private. Një ekspert i pastrimit të parave në Shqipëri vlerësoi se afro 500 milion euro u pastruan përmes sektorit të pasurive të patundshme në vitin 2019 në këtë mënyrë. Duke përdorur të njëjtën llogaritje për vitin 2017 dhe 2018 rezulton përkatësisht se u pastruan 320 milion dhe 570 milion €. Kjo e çon vlerësimin total të pastrimit të parave në 2017-2019 në 1.6 miliardë euro”, thuhet në raport.

Sektori i ndërtimit në të tre vendet është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pastrimit të parave për shkak të mënyrës së strukturimit të tij. Së pari, shitjet e ndërtimeve të reja në përgjithësi funksionojnë përmes parapagimeve, duke u shitur përpara se të fillojë ndërtimi. Industria është përgjithësisht e bazuar në cash, me agjentët e pasurive të patundshme në Shqipëri, që raportojnë se 40-50% e të gjitha shitjeve bëhen ekskluzivisht në cash. Në rastet kur shitjet vijnë nga marrëveshjet e financimit, këto rrallë vijnë nga banka ose institucione të tjera financiare, por përkundrazi janë kredi private nga ndërmarrje të tjera tregtare. Sistemi i shkëmbimeve (barter) përdoret gjithashtu për ndërtime të reja, me materialet e ndërtimit që shkëmbehen me apartamente të përfunduara.

Në këtë mënyrë, shumica e transaksioneve të pasurive të patundshme shmangin kontrollin e sistemit formal financiar që mund të ngrinte shqetësimin për transaksione të dyshimta.

Për të vënë në jetë skemat e tyre të pastrimit, theksohet në raport, grupet kriminale shënjestrojnë kompanitë e ndërtimit dhe biznesmenët në situata të paqëndrueshme financiarisht, që kanë borxhe ose hua për të shlyer. Atyre u jepen shuma të mëdha parash për të investuar në projekte ndërtimi dhe blerjen e apartamenteve, me një marrëveshje joformale (zakonisht të siguruara nga kërcënimet e dhunës) që apartamentet t’ia kthejnë grupit kriminal pas përfundimit të projektit. Një tjetër mënyrë është që paratë e paligjshme përdoren për të blerë aksione në kompaninë e ndërtimit në këmbim të apartamenteve të dhëna si pagesa pas përfundimit. Mos-deklarimi i vlerës së apartamentit ose projektit lejon që të pastrohen fonde shtesë.

Raporti shton se në Shqipëri, përdorimi i gjerë i parave të paligjshme në industrinë e ndërtimit ka ndikuar në çmimet e pasurive të paluajtshme. Në fund të vitit 2019, çmimi mesatar i apartamenteve të banimit në Tiranë arriti pak më shumë se 1000 € për metër katror. Kjo paraqet një normë prej 16% të rritjes nga viti 2016, kur filloi bumi i paligjshëm i ndërtimit. Niveli i çmimeve është më i lartë sesa mund të besohet, në një vend ku të ardhurat mesatare mujore janë 420 €. Databaza globale e kostos së jetesës Numbeo i jep Tiranës një raport çmim-të ardhurash të barabartë me ato të Milanos, Mynihut dhe Moskës.

Flukset e paligjshme financiare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni

Raporti thekson se të gjitha provat sugjerojnë që shkalla e flukseve financiare të paligjshme (IFF) është e lartë në tre vendet, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, dhe se ato mundësohen nga një numër karakteristikash strukturore të vendeve në rajon: integrimi i tyre; ekonomitë e tyre të mëdha informale, të cilat përfaqësojnë 30-40% në të tre vendet; dhe dobësia e përgjithshme e shtetit, institucioneve shtetërore dhe kulturave demokratike. Gjeografikisht, rajoni ka shërbyer si një rrugë hyrëse midis Azisë dhe Evropës për drogën, migracionin dhe një mori mallrash tregtare. Megjithë përparimin teknik të bërë në drejtim të pajtueshmërisë me kornizat e anti-pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (AML / CFT) dhe avancimin e masave antikorrupsion dhe transparencë, tiparet sistemike minojnë përparimin real dhe rezultatet.

Ekziston një kontrast i mprehtë midis shkallës së mundësive në ekonominë kriminale dhe ekonomisë legjitime. Në një rajon ku paga mesatare mujore luhatet midis 400 dhe 600 € në muaj, dhe papunësia e të rinjve tejkalon 20%, tregtia tranzit në trafikun e drogës vlerësohet të jetë më shumë se gjysmë miliardë euro çdo vit vetëm në Shqipëri.

IFF-të mundësohen gjithashtu nga nivelet kronike të korrupsionit dhe ryshfetet që përshkojnë çdo nivel të shtetit, duke filluar nga ryshfeti transaksional deri tek korrupsioni i madh në prokurimin publik. Figurat e lidhura me politikën gëzojnë qasje të privilegjuar në industri fitimprurëse dhe mbrojtje politike për interesat e tyre. Duke pasur parasysh ndjenjën e përhapur të pandëshkueshmërisë në shtet, qytetarët e zakonshëm shohin pak nxitje për të zbatuar ligjin.

Vlerësimet e fundit nga organet ndërkombëtare sugjerojnë që qeveritë në rajon po ndërmarrin në mënyrë aktive veprime për të zvogëluar mbikëqyrjen nga institucionet e pavarura, dhe të reduktojnë përpjekjet për transparencë dhe përgjegjshmëri. Kjo përfshin sulmin ndaj mediave të pavarura dhe mbylljen e hapësirës për shoqërinë civile.

Leave a Reply

%d bloggers like this: