Rajoni

Mali i Zi/Reagon ashpër Cungu pasi Abazoviq e akuzoi si bashkëpuntor i shërbimeve sekrete

Kryetari i Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu ka reaguar ndaj një akuze të kryetarit të Lëvizjes URA z. Dritan Abazoviq dhënë në emisionin „Rubikon” të gazetarit nga Kosova Adriatik Kelmendi.

Deklaratë e kryetarit të Forcës së Re Demokratike mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Të nderuar qytetarë, shqiptarë në Mal të Zi e mbarë rajonin dhe diasporë,

Këtë deklaratë po e bëj nisur nga akuzat publike të kryetarit të subjektit politik „Građanski Pokret Ujedinjena Reformska Akcija (URA)” z. Dritan Abazoviq, në një nga studiot televizive. Në atë intervistë, ai u hodh në sulme personale në vend që të shpjegonte para publikut shqiptar përse gjatë mandatit si deputet nuk ka votuar për hyrjen në NATO, për ligjin për të Drejtat e Pakicave që mundëson përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, ligjin për Simbolet Kombëtare që na lejon përdorimin e flamurit shqiptar apo ligjjn që mundësoi formimin e Komunës së shumëkërkuar të Tuzit. 

Me një pafytyrësi të pashembullt deklaroi se unë, Nazif Cungu dhe kolegë të tjerë të subjektit që unë përfaqësoj, „Forcës së Re Demokratike”, se gjoja qenkemi bashkëpuntorë dhe të nxitur nga sherbimet sekrete te Malit të Zi (UDB-së) për të sulmuar z. Abazoviq, gjatë fushatës. 

Deklaroj me përgjegjësi të plotë se këto thënie të tija janë shpifje të ulta që ai i trillon në përpjekje për tu viktimizuar si hero në sytë e aleatëve të tij.  Deklaratat e Abazoviqit janë të pavërteta që ai i thotë për motive të ulta politike me shpresën se ashtu maskon veprimet dhe qëndrimet e tij të mëparshme e kështu mund të fitojë ndonjë poen më shumë.

Në respekt të elektoratit tonë, qytetarëve dhe familjes, e ftoj publikisht z. Abazoviq të kërkoj falje publike për ato thënie të rënda, ose t’i argumentojë e ti demonstrojë me fakte. 

Në të kundërtën e kam obligim moral, politik e qytetar t’i drejtohem Gjykatës me një padi për shpifje e fyerje. Me këtë, para qytetarëve tanë, do të rikonfirmohet e vërteta që ata e dijnë vetë fort mirë. 

Bashkëqytetarët e mi na njohin mirë e dijnë të dallojnë se cila familje ulqinake është e angazhuar për komunitetin shqiptar dhe cila i ka shërbyer tradicionalisht regjimeve e ka përfituar prej tyre. Kësaj çështje kam për ti shkuar deri në fund për hir të së vërtetës dhe dëmshpërblimin që do marr për shpifje, fyerje e cënim të figurës do e përdor për bamirësi.  

Me respekt, 

Nazif Cungu

Kryetar i Forcës së Re Demokratike

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button