Bota

SHBA zotohet të rivendosë sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit

Ne do të kthehemi tek Kombet e Bashkuara për të rivendosur sanksionet në mënyrë që embargoja e armëve të bëhet e përhershme javën e ardhshme“, tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo të mërkurën gjatë një konference të përbashkët shtypi me Sekretarin e Jashtëm britanik Dominic Raab.

Mendoj se jemi plotësisht dakord që Irani nuk duhet të lejohet kurrë që të ketë një armë bërthamore“, tha zoti Raab. “Ne gjithashtu ndajmë mendimin se dera diplomatike është e hapur për Iranin për të negociuar një rrugë paqësore. Ky vendim apo zgjedhje është aty për udhëheqjen e atij vendi”. Por zoti Raab nuk dha shumë detaje nëse apo si Britania do t’i zbatonte sanksionet.

Britania, Franca dhe Gjermania, grupimi i ashtuquajtur E3, thanë në gusht se ata nuk mund ta mbështesin lëvizjen e SHBA-së për të rivendosur sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, duke thënë se ky hap ishte i papajtueshëm me përpjekjet për të mbështetur marrëveshjen bërthamore për Iranin.

Mbetet për t’u parë nëse ato vende do të injorojnë sanksionet e OKB-së, nën rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të organizatës“, u tha gazetarëve i dërguari special i SHBA-së për Iranin dhe Venezuelën Elliott Abrams gjatë një konferencë telefonike të mërkurën. Ai shtoi se grupi E3 dhe vendet e tjera evropiane i kishin thënë Uashingtonit se ata nuk duan që embargoja e armëve ndaj Iranit të marrë fund, por ata nuk ishin në gjendje të ndërmerrnin ndonjë veprim që ta mbanin në fuqi embargon. Zoti Abrams tha se sanksionet “do të ndalonin Iranin që të përfshihet në aktivitete të lidhura me pasurimin dhe ripërpunimin, ndalimin e testimit dhe zhvillimin e raketave balistike si dhe sanksione mbi transferimin e teknologjisë bërthamore e raketore në Iran“.

Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se një Iran i lirë nga kufizimet do të çonte në destabilizim të mëtejshëm rajonal, konflikte të intensifikuara dhe një garë rajonale të armëve.

SHBA u përpoq, por dështoi në 14 gusht të zgjaste një embargo të skaduar të armëve kundër Iranit përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Embargoja kundër shitjes ose transferimit nga ose në Iran të armëve konvencionale pritet të skadojë më 18 tetor, sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Me bllokimin e zgjatjes së embargos, Uashingtoni pa rikthimin tek sanksionet e OKB-së, nën Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit, si rrugën e vetme për rivendosjen e embargos së armëve. Ndërsa SHBA përgatitet të rivendosë sanksionet kundër Iranit këtë fundjavë, vendet e E3-it ka gjasa të mos i përfillin ato.

Sipas JCPOA-së, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB, plus Gjermania, ranë dakord me Iranin për të hequr gradualisht sanksionet ndërkombëtare në këmbim të kufizimeve në veprimtaritë bërthamore të Teheranit, për ta penguar atë të prodhojë bomba bërthamore. Marrëveshja gjithashtu hapte tregun iranian për më shumë investime të huaja.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja me Iranin në maj 2018, duke vendosur përsëri sanksione të njëanshme mbi Teheranin. Si përgjigje, Teherani rifilloi disa nga aktivitetet e tij bërthamore dhe në korrik 2019-s, theu marrëveshjen duke tejkaluar kufijtë si në pasurimin e uraniumit ashtu edhe në nivelet e rezervave. Irani ka mohuar që aktiviteti i tij bërthamor është për qëllime ushtarake.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button