Home / Ekonomia / Efektet e krizës për bankat do t’i shohim vitin e ardhshëm

Efektet e krizës për bankat do t’i shohim vitin e ardhshëm

Silvio Pedrazzi, Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Intesa Sanpaolo Bank Albania”

Moratoriumi i pagesave të kredive dhe skemat e garancisë sovrane për mbështetjen e sipërmarrjeve ndihmuan në zbutjen e pasojave që mund të sillte vala e parë e krizës në sistemin bankar dhe që mund të ishin shumë serioze.

Por, Silvio Pedrazzi, Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Intesa Sanpaolo Bank Albania”, pohon në një intervistë për “Monitor” se efektet e krizës për bankat do t’i shohim nga fundit i 2020-s e pastaj vitin e ardhshëm. Kjo lidhet me faktin se kreditë fillojnë të konsiderohen si problematike pas 90 ditësh mospagesë, ndaj moskthimet e shtatorit do të pasqyrohen në treguesit e dhjetorit.

Faza e parë krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19 duket të ketë kaluar pa pasoja shumë serioze për sektorin bankar. Cilat kanë qenë sfidat kryesore për bankat pasi Shqipëria u prek nga epidemia?

Sfida e parë për ne ka qenë mbrojtja e shëndetit të punonjësve dhe klientëve. Shëndeti është gjithnjë çështja më e rëndësishme. Në këtë situatë, të gjitha bankat arritën të siguronin vazhdimësinë e shërbimeve të përditshme, edhe falë koordinimit të mirë me Bankën e Shqipërisë dhe qeverinë.

Për sa i takon efekteve ekonomike, duhet të themi se ato ende nuk janë materializuar, për një sërë faktorësh dhe është e vështirë të parashikohet sesi do të materializohen në të ardhmen. E sigurt është se masat e ndërmarra, si moratoriumi i pagesave të kredive dhe skemat e garancisë sovrane për mbështetjen e sipërmarrjeve, ndihmuan në zbutjen e pasojave që mund të sillte vala e parë e krizës dhe që mund të ishin shumë serioze.

Pyetja që shtrohet tani është se sa të mëdha do të jenë dëmet e përhershme që kjo krizë do të shkaktojë në ekonomi. Në çdo krizë sigurisht që do të ketë të humbur, por ka edhe të tjerë që mund të dalin të fituar, falë aftësisë për të shfrytëzuar mundësitë dhe hapësirat reja që ajo mund të krijojë.

Bankat ende nuk kanë pësuar dëme të prekshme në kuptimin e cilësisë së portofolit të kredisë, edhe falë ndryshimeve rregullatore në kuadrin e moratoriumit të pagesave. Kjo masë evitoi krijimin e problemeve të likuiditetit për bizneset dhe familjet dhe, rrjedhimisht, edhe pasojat negative në portofolat e bankave.

Tani që moratorium ka përfunduar, duhet të fillojmë të kuptojmë, mbështetur në një analizë rast pas rasti, cilët kanë qenë kredimarrësit, që kanë pësuar pasoja serioze nga kriza. Por, për momentin, askush nuk mund të ketë një përgjigje të saktë për këtë.

Megjithatë, ekziston një numër që e paraqet në mënyrë domethënëse përmasën e kësaj krize, për Shqipërinë ashtu si për shumicën e vendeve të tjera: do të ketë një rënie të prodhimit kombëtar të paktën në intervalin mes 5% dhe 10%. Në thelb, kjo tregon se në ekonomi do të ketë më pak para dhe këto para diku do të mungojnë. Këto pasoja natyrisht që do të ndihen edhe për sektorin bankar. Sidoqoftë, deri tani, mendoj se autoritetet dhe sektori bankar e kanë menaxhuar më së miri situatën dhe ky është një rezultat që duhet vlerësuar

Aktivet e sektorit bankar, përfshi kredinë, janë rritur edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Në cilat segmente të tregut dhe sektorë është mbështetur kryesisht rritja e huasë?

Në muajt më kritikë të krizës, sidomos për marsin dhe prillin, kërkesa për kredi pothuajse u paralizua. Pas majit, u vërejt një gjallërim gradual i kësaj kërkese, sidomos në segmentin e individëve. Megjithatë, kur vlerësojmë rritjen e portofolit të kredive duhet të mbajmë parasysh efektin e moratoriumit, që e ngadalësoi amortizimin e portofolit ekzistues.

Ishin rreth 150 milionë euro këste kredie që klientët nuk i shlyen dhe që ngelën pjesë e stokut të kredisë.
Veç kësaj, paketat financiare përmes skemave të garancisë sovrane të shtetit shqiptar dhanë një ndikim të konsiderueshëm, duke nxitur kërkesën për kredi bankare dhe duke mbështetur pjesërisht rritjen e saj.

Duhet të them se në këtë situatë qëndresa ndaj krizës dhe ringritja e ekonomisë do të kenë një varësi të lartë nga roli që do të luajë qeveria, përmes investimeve publike dhe projekteve të zhvillimit të infrastrukturës. Së fundmi, vërejmë një kërkesë në rritje, të lidhur me këto projekte. Shpresoj se me burimet ekonomike që ka sektori publik, përfshi edhe mbështetjen që mund të vijë nga Bashkimi Europian, të jepet një kontribut i rëndësishëm për të zhvilluar infrastrukturën dhe për të nxitur ekonominë.

Megjithëse Banka e Shqipërisë pati pezulluar kërkesat për riklasifikim dhe provigjionim të kredive deri në fundin e muajit gusht, një pjesë e bankave kanë zgjedhur një qasje konservatore dhe kanë rritur provigjionet në tremujorin e dytë, çka është reflektuar edhe në rezultatet financiare sipas IFRS. Cilat do të jenë efektet kryesore të krizës ekonomike në bilancet e sektorit bankar në pjesën e dytë të vitit? Prisni rritje domethënëse të kredive me probleme dhe goditje në treguesit e përfitueshmërisë?

Dua të jem i hapur: një krizë që ul prodhimin kombëtar në këto përmasa do të ketë pasoja të paevitueshme në cilësinë e portofolit të kredisë së bankave. Deri tani, efektet nuk i kemi parë, pikërisht falë atyre masave dhe ndërhyrjeve që përmendëm dhe që i mbajtën kredimarrësit në gjendje likuide. Sepse thelbi i problemit është likuiditeti. Një biznes nuk falimenton kur del me humbje për një apo dy vjet; biznesi falimenton kur nuk ka më likuiditet për të vazhduar aktivitetin.

Unë mendoj se pasojat e vërteta të kësaj situate për sektorin bankar do të mund t’i shohim vetëm duke filluar nga fundi i këtij viti dhe sidomos në fillimin e vitit të ardhshëm. Ky është opinion im personal.

Cilët sektorë prisni që të goditen më rëndë nga kriza?

Së pari do të jetë turizmi. Njerëzit nuk udhëtojnë më ose udhëtojnë më pak, ka kufizime të lëvizjes. Shifrat e turizmit nga jashtë deri tani për Shqipërinë nuk janë të mira dhe kjo ishte e pritshme, megjithëse ato janë kompensuar pjesërisht nga rritja e turizmit të brendshëm. Goditja e sektorit të turizmit sigurisht që nuk është problem vetëm shqiptar, por global.

Sektori i transportit sigurisht që do të jetë gjithashtu shumë i goditur. Kufizimet e lëvizjes kanë dhënë efekte dramatike. Edhe kompanitë më të mëdha janë detyruar të shkurtojnë numrin e fluturimeve, çka përkthehet në pasoja në të gjithë zinxhirin e biznesit të tyre.

Megjithatë, unë mendoj se Shqipëria ka gjasa të reagojë më mirë krahasuar me vende të tjerë, edhe më të pasur. Por, kjo do të varet shumë nga politikat ekonomike që do të ndiqen dhe nga ruajtja e mbështetjes për sektorët më të prekur. Politikat duhet të orientohen te objektivi thelbësor i ruajtjes së punësimit. Duke u kthyer te pyetja, them turizmi, transportet, por edhe industritë nxjerrëse, të lidhura me konjukturën e çmimeve të lëndëve të para do të jenë më të goditurat.

Cila do të jetë qasja juaj në trajtimin e ekspozimeve kundrejt sektorëve që kanë pësuar goditjen më të rëndë nga kriza, si aktivitetet e lidhura me turizmin dhe udhëtimet?

Që në mes të muajit korrik, ofruam një paketë nga të cilat klientët mund të zgjidhnin dhe aprovimi ynë ishte praktikisht automatik. Për sektorët më të prekur, kryesisht në sektorin e turizmit, ne ofronim zgjatjen e moratoriumit deri në dy vjet. Mendoj se është detyrë e bankave, por edhe në interes të bankave, të mbështesin ato ndërmarrje që punësojnë familjet, në këtë moment vështirësie.

Por, duhet ta pranojmë që situate të tilla mund të shkaktojnë edhe viktima në kuptimin ekonomik të fjalës. Ndoshta në ndonjë rast mund edhe të detyrohemi t’i themi “jo” ndonjë klienti. Sigurisht, unë siguroj se brenda mundësive tona do të vazhdojmë të garantojmë mbështetjen maksimale për klientët. Të gjitha kërkesat e reja për kredi, të bazuara në plane biznesi realiste dhe koherente, do të jenë të mirëpritura. Kjo është qasja e ndjekur nga i gjithë grupi ynë bankar.

Sa prisni të zgjasin efektet e krizës në sistemin financiar, nëse nuk do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm negativ të situatës së pandemisë dhe masa të reja kufizuese?

Pak javë më parë, ne zhvilluam një anketim me punonjësit tanë dhe ju drejtuam pikërisht këtë pyetje që po më bëni ju. 35% e punonjësve tanë mendojnë se kriza do të mbyllet brenda këtij viti. 55% u përgjigjën se nuk kanë një ide të qartë, ndërsa pjesa tjetër nuk dhanë asnjë përgjigje.

Personalisht besoj se duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me këtë situatë dhe nuk ka rrugëdalje të lehta. Jam i bindur se jo situatë do të na shoqërojë edhe për një pjesë të mirë të vitit të ardhshëm.

Leave a Reply

%d bloggers like this: