Kosova

Ministria e Infrastrukturës: Mbi 3 miliardë euro për projektet midis Kosovës dhe Serbisë

Lidhja infrastrukturore mes Prishtinës dhe Beogradit duket se tashmë ka marrë rrugë. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë deklaruar se vlera e projekteve infrastrukturore do të jetë 3.7 miliardë euro.

Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë ka treguar se “vlera e projekteve infrastrukturore, që janë të rëndësishme për lidhjen e Beogradit dhe Prishtinës” dhe që do të diskutohen me përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, kap shumën prej 3.7 miliardë eurosh.

Në një deklaratë për media kjo ministri ka treguar se deri më tash, është siguruar financimi për pjesën e parë të autostradës Nish-Merdare-Prishtinë, të gjatë 33 kilometra, nga Nishi në Plloçnik, dhe se me Korporatën amerikane do të bisedohet për ndërtimin e pjesëve të mbetura.

Në deklaratë po ashtu thuhet se gjatësia totale e autostradës Nish-Merdar-Prishtinë është rreth 100 kilometra, nga të cilat 77 kilometra janë nga Nishi në Merdare.

Vlera e parashikuar për ndërtimin e të gjithë autostradës është 1.065 miliard euro.

Ministria serbe ka thënë se do të bisedohet edhe për bashkëpunimin e mundshëm në projekte të tjera të trafikut rrugor, të tilla si: autostrada Bujanoc – Konçul – Gjilan – Shtërpcë, e gjatë 78 kilometra, riparimi i rrugës Ribariq – Bërnjak – Zubin Potok, e gjatë 28 kilometra, dhe rrugës Rashkë – Jarinë – Mitrovicë, e gjatë 61 kilometra.

“Kur bëhet fjalë për lidhjet hekurudhore, përparësi është rindërtimi i hekurudhës që lidh Nishin, Merdaren dhe Prishtinën”, tha Ministria serbe e Ndërtimit, për të shtuar se një nga projektet e propozuara është edhe hekurudha Prishtinë – Fushë Kosovë – Hani i Elezit.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan të martën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës u zotuan se do të zbatojnë marrëveshjen e 4 shtatorit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës u bë edhe hapja simbolike e zyrës së Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të SHBA-së në Beograd.

Gjatë ditës së martë , në rezidencën e ambasadorit amerikan në Serbi, odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizim ekonomik, është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Temat politike nuk kanë dhënë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ajo që do të bëjmë ne është të fokusohemi në prioritetet e projekteve të ekonomisë dhe shumë të tjera”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh tha se do të dëshmohet se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë stabilitet në rajon.

“Tash kemi një ekip të përbashkët për të mbështetur projektet dhe për t’i dhënë ekspertizë qeverive tona që të zbatojnë projektet”.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka konfirmuar se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.

Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Nënshkrimi i marrëveshjes për normalizim ekonomik nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Uashington, 4 shtator.

Marrëveshja për normalizim ekonomik, ndër të tjera parasheh operacionalizimin e autostradës Prishtinë-Beograd, lidhjes hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjes hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button