Ekonomia

Kosova “shpëton” turizmin e Shqipërisë, në gusht përbënin 62% të hyrjeve

Shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve tregojnë se 62% e të totalit të hyrjeve në vendin tonë në muajin gusht ishin nga Kosova, duke konfirmuar atë që theksuan tur-operatorët pak javë më parë.

Sipas INSTAT, në gusht 2020, hynë në vendin tonë mbi 356 mijë shtetas nga Kosova, nga 575 mijë në total. Ndërkohë që një vit më parë, nga Kosova, vetëm në gusht hynë mbi 781 mijë shtetas dhe që përbënin 51.1% të totalit të shtetasve që kishin hyrë në gusht 2019 në vendin tonë.

Sa i takon bilancit 8-mujor, shtetasit nga Kosova përbëjnë 49.2% të hyrjeve në vend, ndërkohë që një vit më parë përbënin 37.7% të totalit të hyrjeve në janar-gusht 2019.

Shifrat e INSTAT

Pandemia gjithsesi ka krijuar një rënie drastike të hyrjeve brenda vendit në raport me një vit më parë. INSTAT raportoi se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin gusht 2020, janë 846.973. Krahasuar me gusht 2019, ky tregues rezulton me rënie 62,5%. Në gusht 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 575.559. Krahasuar me gusht 2019, ky numër ka rënë me 63,0%.

Numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri në tetëmujorin 2020 është 1.745.169, duke rënë me 64,2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Gjatë tetë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 53,2%, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 89,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019” vlerëson INSTAT.

I njëjti publikim vlerëson se daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit gusht 2020, ishin 846.714 duke shënuar një rënie me 60,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë në muajin gusht 2020 janë 310.593. Krahasuar me gusht 2019, ky numër ka rënë 57,2%.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit gusht 2020, janë 536.121. Krahasuar me gusht 2019, ky numër ka rënë 62,6%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në tetëmujorin 2020, është 1.937.235 duke rënë 50,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” vlerëson INSTAT.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button