Ekonomia

Mbrojtja e investitorëve, si do të vlerësohet përshtatshmëria e klientëve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nxjerrë së fundmi për konsultim publik me tregun dhe aktorët e tjerë të përfshirë një projektrregullore “Për formatin e pyetësorit të vlerësimit të përshtatshmërisë së klientit”.

Rregullorja, e hartuar bazuar mbi ligjin e ri për tregjet e kapitalit, merr rëndësi pasi vlerësimi i përshtatshmërisë është një nga detyrimet kryesore të shoqërive që operojnë në tregun e titujve në drejtim të mbrojtjes së investitorëve.

Shoqëritë nëpërmjet testit të përshtatshmërisë, që realizohet nëpërmjet pyetësorëve në aneksin e rregullores së hartuar nga Autoriteti, vlerësojnë kuptueshmërinë e investitorit për instrumentat financiare, përpara se investitori t’i hyjë një investimi që mund të rezultojë me risk të lartë për të, ose i papërshtatshëm për shkak të njohurive të tij të pamjaftueshme.

Në rastin kur shoqëria jep rekomandime ose këshilla për investime ose kryen aktivitetin e administrimit të portofolit, vlerësimi i përshtatshmërisë së klientit (investitorit) bëhet i plotë, duke u mbështetur në informacionin për njohuritë dhe përvojën e klientit, gjendjen e tij financiare si dhe informacionin për objektivat e investimit të klientit dhe tolerancën e riskut. Në këtë mënyrë shoqëria ofron rekomandime apo ndërmerr vendime të përshtatshme në emër të klientëve, në përputhje me profilin e tyre.

Në mungesë të informacionit apo mospërshtatshmërisë së klientit, shoqëria nuk ofron shërbime të këshillimit apo administrimit të portofolit.

Në rastin kur shoqëria ofron shërbime investimi që konsistojnë në marrjen, transmetimin dhe/ose ekzekutimin e urdhërave për llogari të klientëve joprofesionistë, përshtatshmëria e klientit mbështetet në njohuritë dhe eksperiencën e tij në fushën e investimeve për instrumentin apo shërbimin e ofruar.

Në bazë të vlerësimit të informacionit të marrë nga klienti, nëpërmjet pyetësorit, shoqëria vlerëson nëse instrumenti apo shërbimi është ose jo i përshtatshëm për këtë klient. Nëse klienti vijon me kërkesën për ekzekutimin e urdhërit, atëherë shoqëria e paralajmëron klientin se papërshtatshmëria e tij ndaj shërbimit apo instrumentit financiar e ekspozon ndaj rreziqeve që nuk janë në përputhje me njohuritë dhe përvojën e tij.

Shoqëria që operon në tregun e titujve nuk përgatit testin e përshtatshmërisë në rastin e ofrimit të shërbimit të marrjes dhe transmetimit dhe/ose ekzekutimit të urdhrave për llogari të klientit për instrumentat financiare jokomplekse si: tituj të emetuar nga Qeveria e RSH, instrumenta të tregut të parasë, aksione dhe obligacione të tregtuara në treg të rregulluar, kuota në sipërmarrje të investimeve kolektive me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike.

Instrumente komplekse konsiderohen: të gjitha llojet e instrumenteve derivative me kushtin që këto të jenë të transferueshme, si obligacione të nënrenditura (borxh i varur), produktet e strukturuara,  kontratat për diferencë, instrumente të tjera, që kanë një strukturë komplekse dhe të vështirë për t’u kuptuar nga ana e klientit. Për këto instrumente, shoqëria që operon në tregun e titujve përgatit testin e përshtatshmërisë në rastin e ofrimit të shërbimit të marrjes dhe transmetimit dhe/ose ekzekutimit të urdhrave për llogari të klientit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button