Ekonomia

Terminali i kontenierëve në Durrës/ Tabaku: 30 milionë euro pa garë dhe pa asnjë investim

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, këtë shtunë, përmes një deklarate për mediet nga Durrësi, ka akuzuar qeverinë për abuzime në procedurën koncesionare për një nga kalatat e Portit të Durrësit.

Sipas Tabakut, do të paguhen 30 milionë euro pa garë dhe pa bërë asnjë investim

“Në ditët e para të shtatorit u hap një procedurë koncesionare për një nga kalatat e Portit të Durrësit. Një koncesion që do të zgjasë 5 vite, me një kosto prej 30 milionë eurosh për buxhetin e shtetit. Por çfarë fshihet pas kësaj procedure? Pas kësaj procedure fshihet një faturë e kripur në Arbitrazh, pasi qeveria detyroi kompaninë koncesionare që të largohet për t’ia dhënë atë një tjetër klienti të radhës”,- tha Tabaku.

“Ky është një transferim i pastër dhe i qartë i fondeve publike nga buxheti i shtetit tek një koncesionar, që nuk do të bëjë asgjë dhe praktikisht nuk do të bëjë asnjë investim, sepse investimet, mirëmbajtjen do të vazhdojë që t’i bëj Porti i Durrësit”, u shpreh Tabaku.

Tabaku theksoi se Partia Demokratike do hetojë këtë procedurë me një grup të posaçëm pune për të vënë para drejtësisë këdo që ka firmosur koncesionin e Portit të Durrësit.

“Partia Demokratike angazhohet që çdo procedurë të tillë korruptive ta hetojë. Të ngrihet një grup i posaçëm pune i cili do të çojë përpara drejtësisë këdo që ka firmosur, këdo që ka konceptuar dhe këdo që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një faturë të tillë, siç është fatura që do të ndodhë me koncesionin e Portit te Durrësit, por njëkohësisht edhe me Arbitrazhin”,- përfundoi Tabaku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button