Home / Ekonomia / Projekte madhore investimi nga BE në Shqipëri/ Impakt për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e punësimit

Projekte madhore investimi nga BE në Shqipëri/ Impakt për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e punësimit

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi deklaroi sot në Tiranë se BE ka përcaktuar 9 miliardë euro grante dhe po bashkëpunon edhe me institucionet financiare ndërkombëtare që të arrijmë të sigurojmë edhe 20 miliardë euro në garanci për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e punësimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kam sjellë lajme të mira, shpresoj që qytetarët e Shqipërisë ta shikojnë këtë. Po vijmë në fund të rinovimit të asaj që quhet politika jonë e zgjerimit. Ne e bëmë të qartë që në fillim të detyrës se do të vazhdojmë punën me Ballkanin Perëndimor dhe të përforcojmë punën tonë me Ballkanin Perëndimor dhe me politikën e zgjerimit. E kemi atë shumë seriozisht dhe e kemi bërë duke treguar besueshmërinë e parashikueshmërinë e këtij procesi me metodologjinë e re që kemi miratuar. Kemi mundur të marrim dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Komisionieri i BE-së.

Ky, vuri në dukje Komisioneri, është segmenti i tretë i kësaj pune të madhe dhe ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe planin e investimeve.

Plani, tha ai, duhet të përshpejtojë punën që duhet të bëjnë vendet e rajonit për zhvillimin socio-ekonomik për të kapur ritmin e Bashkimit Europian.

Synimi ynë, vijoi ai, është të ndihmojmë rimëkëmbjen ekonomike e sociale të vendeve të rajonit, pasi patëm edhe sfidën e COVID-19.

Komisioneri theksoi se plani është ndërtuar së bashku me vendet e rajonit.

“Ne nuk jemi këtu t’u themi se kjo është gjëja më e mirë për ju. Ju kemi dëgjuar gjatë gjithë kohës. Kemi biseduar me të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë këtu kryeministrat e vendeve përkatëse. Na kanë ardhur projekte, ide, si dhe fushat e zhvillimit ekonomik, të cilat janë të rëndësishme dhe mund të ndihmojnë në mënyrë që rimëkëmbja të jetë sa më e shpejtë që të jetë e mundur, duke sjellë rritje ekonomike dhe vende të reja pune”, deklaroi Komisioneri.

Komisioneri Várhelyi bëri të ditur se “ne e kemi projektuar këtë paketë mbi ato që vetë vendet kanë kërkuar, duke patur parasysh edhe që ne duam të kemi një ndikim madhor në rajon, pasi përmes këtij plani mund të ndryshojmë panoramën e të gjithë rajonit në mënyrë të konsiderueshme për 4-5 vitet e ardhshme”.

“E them këtë se ne po përcaktojmë 9 miliardë euro grante dhe po bashkëpunojmë edhe me institucionet financiare ndërkombëtare që të arrijmë të sigurojmë edhe 20 miliardë euro në garanci, për të shkuar në pothuajse 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të të gjithë rajonit”, deklaroi komisioneri Várhelyi.

Pra po flasim për një projekt madhor të dukshëm, ritheksoi ai, një plan i cili do të mund të fokusohet tek ato fusha të ekonomisë që sjellin rritje ekonomike dhe vende pune.

Sipas tij, pjesët më të dobëta kanë të bëjnë me mungesë në infrastrukturë, transport, energji, infrastrukturën dixhitale, por edhe të kapitalit njerëzor.

“Kur flasim për transportin, e kemi fjalën dhe është miratuar edhe nga udhëheqësit e rajonit, se problemi më i madh edhe për tregtinë është mungesa e infrastrukturës që mund të lidhin rajonin dhe vendet me njëra-tjetrën. Ne po përpiqemi që të punojmë pikërisht për këto projekte në fillim. Kështu që pas 4-5 vitesh panorama në rajon do të jetë tërësisht ndryshe”, tha Komisioneri.

Ne, vijoi ai, e shohim që ka një hendek të madh ndërmjet disponueshmërisë së internetit me valë të gjera dhe nevojave të biznesit.

“Jemi këtu për t’u ofruar ndihmën tonë në mënyrë që të ndërtojmë këto aspekte të teknologjisë më të lartë për broadband për të gjithë rajonin”.

Më tej, Komisioneri vuri në dukje se kemi mungesë energjie në rajon dhe varësi ndaj qymyrgurit.

“Në rast se do të mund t’i zëvendësojmë ato me gazin, do të ulim emetimet në rajon me më shumë se 60% dhe në mënyrë të menjëhershme. Kemi potencial shumë të madh në Shqipëri. Shqipëria do të mund të japë furnizimin e gazit për të gjithë rajonin. Dhe unë me kënaqësi e dëgjova atë që tha Kryeministri se është i gatshëm të bashkëpunojë me ne për këtë çështje. Kjo ka për të ndryshuar gjërat tërësisht”, tha ai.

Po ashtu, Komisioneri tha se në Shqipëri jemi të gatshëm të sjellim në pararojë ato projekte që janë të rëndësishme në aspektin vendor, por do të ndihmojnë dhe në zhvillimin e rajonit.

“Ne jemi të gatshëm që të flasim për korridoret blu në të gjithë bregdetin. Po ashtu të punojmë edhe për gazsjellësin. Jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe për dy projektet e HEC-eve në vend”, theksoi Várhelyi.

“Këto janë projekte madhore investimi dhe logjistike që do të sjellin ndryshim të madh dhe do të sjellin ndryshim të madh edhe të klimës së investimeve. Klima e investimeve është  kyçe, deçizive për vendin, ashtu si edhe sundimi i ligjit luan një pjesë të rëndësishme në këtë aspekt, ku ne na duhet që klima e biznesit të jetë e garantuar, ku ne të kemi një gjyqësor të pavarur dhe po ashtu parashikueshmëri të mjediseve legjislative që kanë të bëjnë me pjesën e biznesit”, deklaroi Komisioneri.

Më tej, ai tha se duhet investuar edhe në kapitalin njerëzor.

“Ne jemi të gatshëm të krijojmë një program me autoritetet shqiptare, dhe me pjesën tjetër të rajonit, që të kemi aftësitë e duhura për brezin e të rinjve të Ballkanit Perëndimor, aftësi për të cilat ka nevojë ekonomia, me të cilat ato mund të jetojnë këtu në rajon dhe të tejkalojmë sfidën e vetme madhore që është largimi i trurit. Prandaj besoj se pas 4-5 vitesh ne mund të shikojmë edhe rikthimin e të rinjve në rajon”, u shpreh ai.

Komisioneri tha se kishte folur me Kryeministrin edhe për raportin vjetor që u prezantua dje.

“E përgëzuam Kryeministrin për të gjitha arritjet dhe punën e pareshtur që ka bërë Shqipëria e po bën për të treguar rezultate në aspektet e zgjerimit, e në veçanti në lidhje me ato që kanë të bëjnë me përfundimet e Këshillit për të hapur rrugën për të ecur përpara me negociatat”, deklaroi Komisioneri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: