Home / Sporti / Gjimshiti e Abrashi/ Prag ndeshja me Kazakistanin: Ndihmojmë të rinjtë me eksperiencën tonë

Gjimshiti e Abrashi/ Prag ndeshja me Kazakistanin: Ndihmojmë të rinjtë me eksperiencën tonë

Në fillim ishte Berat Gjimshiti ai që iu përgjigj interesit të mediave:

– Gjimshiti, çfarë po ndodh me mbrojtjen?

– Besoj që në dy ndeshjet e fundit, mbrojtja nuk ka pasur shumë probleme. Mendoj që repartin e kemi përmirësuar shumë dhe në ndeshjet e fundit me Bjellorusinë dhe Lituaninë, nuk kemi pësuar shumë raste. Ajo kundër Lituanisë ishte gabim individual dhe besoj që jemi në rrugën e duhur dhe kemi mbrojtës me cilësi.

– Përsa i përket mbrojtjes me 3, besoj ju tek Atalanta e keni perfeksionuar sepse luani me 3. Po në përfaqësuesen shqiptare, trajneri po insiston me një mbrojtje me 3, ku jo të gjithë mund të jenë përshtatur ashtu siç duhet. Mendon që duhet insistuar me këtë apo mund të ndryshohet diçka?

– Unë besoj që të gjithë lojtarët që ne kemi në mbrojtje mund të luajnë me këtë sistem. Është e vërtëtë për mua që kam vite që luaj me mbrojtjen me 3, por ka edhe lojtarë të tjerë që kanë luajtur me skemën me tre mbrojtës dhe nuk besoj se është problem.

– Si u ndjeve kur more shiritin e kapitenit në krah në ndeshjen e fundit pas largimit të Hysaj?

– Ishte krenari, ndoshta nuk ishte ndeshja që kisha menduar, por është diçka e bukur.

– Si duken të rinjtë e afruar së fundmi në përfaqësuese?

– Është një gjë që ka ndodhur edhe në vitet e tjera. Ka shumë talente në të gjithë shqiptarinë, që kanë shumë cilësi lojtarët, dhe këtë e kemi parë dhe në stërvitje por kanë akoma edhe shumë rrugë për të bërë. Është ndoshta edhe puna jonë, si e Abrashit edhe e imja, si me më shumë eksperiencë për t’i ndihmuar ata.

– Pas humbjes me Lituaninë, e ndjeni pak presionin për këto dy ndeshjet e radhës kundër Kazakistanit dhe Lituanisë për të marrë pikë të plota?

– Më mirë të kesh presion se mos të kesh, por normal që duhet harruar ajo ndeshje dhe të bëjmë më mirë në ndeshjen e ardhshme, sidomos në ndeshjen e parë ndaj Kazakistanit pastaj me Lituaninë.

– Edhe ndryshimet e ndodhura së fundmi në përfaqësuese, kushtëzuar pak edhe nga pandemia, beson që ndoshta deri diku e dëmtojnë pak grupin sepse nuk mund të ruhet i gjithi?

– Është një situatë e vështirë besoj për të gjithë, jo vetëm për ne, por edhe për klubet, kombëtaret. Por duhen respektuar vendimet që merren pasi vijnë nga FIFA, UEFA, ato vendosin rregullat dhe që duhet të bëhen.

– Sot në mbrëmje luan Maqedonia me Kosovën. Besoj se të gjithë bashkë si grup do e shikoni këtë ndeshje.

– Duhet patjetër.

Më pas, ishte radha e Amir Abrashit t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve:

– Doja ta nisja me gjendjen tuaj fizike duke qenë se vini pas një dëmtimi. Si është gjendja fizike për momentin?

– Për momentin jam mirë, edhe për ndeshjen nuk ka problem, jam 100% i gatshëm.

– A ndihesh lider në përfaqësuese tani, në mos gaboj vetëm Berisha i ardhur në 2013 është le të themi më i vjetër se ty. Hyn tek ajo pjesë e lojtarëve që kanë një jetë në përfaqësuese. Nuk e di si të bën të ndihesh ky fakt.

– Në këtë ndeshje unë jam ai që kam më shumë ndeshje pas Berishës në këtë grumbullim dhe e ndjej veten mirë. Dua t’i ndihmoj ekipit me eksperiencën time dhe ta forcojmë sërish grupin.

– Skema që përdor Reja, ju duket efektive? Beson se jeni ambientuar të gjithë apo do ndiheshit më mirë sikur skema të ndryshonte herë herë në varësi të kundërshtarit?

– Skemat i kam pranuar prej kohësh. Nuk ka rëndësi skema që luajmë, e rëndësishme është të funksionojë grupi dhe jemi në drejtim të mirë. Edhe pse e kemi humbur ndeshjen me Lituaninë, shpresojmë 3 pikë me Kazakistanin.

– Beson se në këto dy ndeshje do të mjaftojnë vetëm tre pikë me Kazakistanin, ndoshta brenda jush në njëfarë mënyre qarkullon fjala që duhet t’i fitojmë patjetër këto dy ndeshje për t’i rikuperuar atë gabim që bëmë me Lituaninë këtu në shtëpi?

– Ende e vuaj ndeshjen me Lituaninë, edhe të tjerët. Edhe e kemi detyrë, unë si i madh këtu, për të marrë dy fitore. Por ndeshja e parë është të dielën, marrim tre pikë dhe pastaj flasim për Lituaninë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: