Politika

“Potenciali i kësaj familjeje politike është për shumë më tepër”/ Mandati i tretë që Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim

 “Ne na duhet një mandat i tretë, jo për vete, por për Shqipërinë, në mënyrë që mandatin e tretë Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Partisë Socialiste, Rama tha se sot jemi në fazën e fundit të këtij mandati dhe njëkohësisht edhe në fazën finale të përpjekjes për të marrë mandatin tjetër.

Ai theksoi se “janë sot kushtet për të shpjeguar si dhe pse Shqipëria mund të kalojë në një nivel të ri shpejtësie”. “Kush mund ta kalojë në një nivel të ri shpejtësie përveç PS-së?” – tha ai.

Rama tha se “ne nuk jemi e keqja më e vogël, ne jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare”.

“Patjetër ne nuk jemi më e mira e mundshme dhe kjo është arsyeja pse ne të parët duhet të jemi të vetëdijshëm që potenciali i kësaj familje politike është për shumë më tepër besnikëri ndaj vlerave, besnikëri ndaj atyre që meritojnë më shumë edhe në aspektin e përfaqësimit dhe për shumë më tepër besnikëri ndaj bindjes për të cilën të gjithë shqiptarët në shumicë e votojnë dhe do ta votojnë prapë PS-në”, – tha Rama.

“Besoj që është e rëndësishme gjithmonë të kemi parasysh nga vijmë për të mundur të dimë se ku mund të shkojmë. Tanimë kur bëhen 7 vjet nga dita kur ne morëm detyrën mund të thuhet me plot gojën se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar ose duhet kujtuar dhe rikujtuar. Sepse dita kur ne e nisëm këtë rrugëtim nuk ka asnjë gjë të ngjashme në raport me punët e vendit, me ditën ku jemi sot. Por në të njëjtën kohë, siç e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund dhe ne duhet të mbajmë parasysh se teksa numërojmë me të drejtën tonë legjitime ato që kemi bërë, në asnjë moment të mos ia themi vetes dhe të mos lëmë përshtypjen te të tjerët se jemi të kënaqur me sa kemi bërë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kur kthejmë kokën pas është e vështirë të zgjedhësh çfarë të kujtosh më parë në raport me sa shumë na është dashur të bëjmë”.

“Mandati i parë ishte faktikisht përpjekja për të ndaluar një inerci rrënimi dhe një hemorragji të rrezikshme në raport me vetë financat e vendit. Kur ne jemi ulur në detyrë dhe kemi parë mbi tryezë të dhënat reale të vendit, kemi qenë përballë sfidës të madhe të financimit të rrogave dhe pensioneve pa pasur nevojë t’i ulnim ato. E kujtoj si sot bisedën shumë të vështirë që kemi pasur me FMN-në, që insistonte që duhet ta fillonim nga ulja e rrogave e pensioneve dhe refuzonte idenë tonë se ne do të kompensonim boshllëkun e atëhershëm me një reformë shumë agresive në fushën e energjisë, ku ishte edhe burimi kryesor i hemorragjisë së vendit në aspektin financiar”, – tha Rama.

Nuk e harroj, vijoi ai, kur përfaqësuesit e FMN-së më kanë thënë se këtë e kemi dëgjuar nga të gjithë kryeministrat e mëparshëm por e kemi mësuar nga çdo qeveri se kjo reformë në Shqipëri nuk bëhet.

“Sot të gjithë atyre që me të drejtë ankohen për shumëçka që ende iu mungon, iu duhet kujtuar që 7 vite më parë mbanin radhën në shi për të paguar fatura aforfe të energjisë elektrike, fatura arbitrare të energjisë elektrike, të cilat i paguanin për vete dhe për gjysmën e dynjasë që nuk denjonte të paguante. Ndërsa prej disa vitesh tanimë s’ka më fatura aforfe dhe s’ka më radha në shi. Ashtu sikundër nuk ka më arbitraritet apo gabim në faturë që nuk korrigjohet, pa llogaritur transformimin e vazhdueshëm të sektorit me investimet e munguara qysh nga koha e elektrifikimit të vendit. A mjafton ta quajmë të mbyllur këtë proces? Aspak. Nuk ka mjaftuar as në këtë sektor, as në ndonjë tjetër. Kjo është arsyeja pse ne duhet të marrin mandatin e tretë”, – tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button